“Sundimi i së drejtës është kapitulli kyç për rrugëtimin e Maqedonisë drejt BE-së”, ky është konstatim i përbashkët edhe i zyrtarëve të BE-së, por edhe i ekspertëve juridik në vend. Përveç këtij kapitulli që ka të bëjë me sundimin së drejtës, pika tjera kyçe në rrugëtimin e Maqedonisë drejt BE-së, sipas zyrtarëve të unionit janë edhe respektimin i lirive dhe të drejtave të njeriut, ambientit jetësor dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët
Destan JONUZI
Shkup, 25 shtator – Sundimi i së drejtës do të jetë fusha kryesore në të cilën Maqedonia e Veriut duhet të fokusohet në periudhën e ardhshme, porositi euro-ambasadori i ri në vend Dejvid Gir. Pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, Gir theksoi se kapitulli që ka të bëjë me sundimin e së drejtës do të hapet i pari gjatë bisedimeve me Bashkimin Evropian (BE), por njëkohësisht do të jetë edhe i fundit i cili do të mbyllet. Gir, po ashtu vuri në dukje se Maqedonia përveç kësaj fushe maksimalisht duhet të fokusohet edhe në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, ambientit jetësor, ndërsa vuri theks në marrëdhëniet me fqinjët të cilat sipas tij duhet të jenë ndër top prioritetet e Qeverisë. Në takimin e tij të parë me gazetar në Shkup, Gir tha se pret deri në fund të vitit nën kryesimin gjerman të mbahet edhe konferenca e parë ndër-qeveritare, që në thelb edhe e shënon fillimin e bisedimeve me BE-në.
Në anën tjetër, juristi Qenan Aliu thotë se sundimi i së drejtës është kapitulli kyç për rrugëtimin e Maqedonisë drejt BE-së. “Pas vetos së Francës të promovuar nga presidenti Macron, Komisioni Evropian përgatiti një dokument të ri-metodologjia e re, i cili u prezantua nga komisari për zgjerimin Oliver Harvelyi: Janë 4 parime mbi të cilat bazohet metodologjia: besueshmëri, parashikueshmëria e dinamikës dhe drejtim politik. Metodologjia e re, rishikon shumë aspekte të procesit të bisedimeve. Madje, nga ana teknike, zëvendësohen kapitujt e deritanishëm në 6 blloqe. Bisedimet për secilin grupim do të hapen si një e tërë. Ato për grupin e parë, ku përfshihen kapitujt që kishin të bënin me shtetin e së drejtës, do të hapen në fillim dhe do të mbyllen të fundit dhe përparimi i tyre do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave”, shprehet Aliu.
Ai thotë se nuk duhet harruar se metodologjia franceze parashikon dhe penalizime pra ekziston mundësia që ta ndalin procesin e bisedimeve kur nuk do të shohin progres apo ka hapa pas, pra do të zbatojnë masa proporcionale, që do të thotë se do ta bëjnë të qartë se mund edhe të tërhiqen nga procesi. “Negociatat mund të ndalen për elementë të caktuara, ose në rastet më serioze, të pezullohen plotësisht, dhe kapitujt e mbyllur mund të rihapen. Po ashtu përfitimet e tjera, edhe financiare mund të ndërpriten ose të tërhiqen. Një element që mund të përbëjë rrezik për vendet në proces bisedimesh është angazhimi më i madh i vetë vendeve anëtare në proces, të cilat mund të sinjalizojnë Komisionin për çdo ngecje ose lëvizje serioze në procesin e reformës, apo madje të kërkojnë dhe aplikimin e sanksioneve në raste kur konsiderojnë se procesi nuk po ecën në drejtimin e duhur. Nga ana tjetër metodologjia parashikon dhe stimuj që mund të përfshijnë integrimin e përshpejtuar dhe ‘përfshirjen graduale’ në politika individuale të BE-së, në tregun të BE-së dhe programet e BE-së – duke siguruar kushte të barabarta – si dhe rritje të fondeve dhe investimeve. Bazuar në mundësinë e ndërhyrjes të çdo shteti anëtarë të BE, Maqedonia e Veriut do të gjendet para një sfide të madhe gjatë këtij rrugëtimi”, deklaroi për KOHA, Qenan Aliu, jurist.
Ndryshe, kapitulli 23 i bisedimeve të vendeve aspiruese për anëtarësim në BE që i kushtohet gjyqësorit dhe të drejtave themelore, llogaritet si një nga kapitujt kryesor në bisedimet me BE-në. Sipas metodologjisë së re franceze në rast të ngecjes në reforma, dhe vërejtjesh nga ndonjë vend anëtarë i BE-së, procesi rikthehet nga e para. Ndërkohë deri në fund të këtij viti zyrtar të lartë të Qeverisë në Shkup, por edhe nga BE-ja kanë paralajmëruar edhe mbajtjen e konferencës së parë ndër-qeveritare me të cilën shënohet edhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. (koha.mk)