Shkup, 1 mars – Ministria e Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, pas një takimi me kryetarin e SHGM-së dhe përfaqësues të Drejtorisë për Sigurisë Publike, siguroi se policia po vepron me të gjitha mekanizmat për të ndaluar çdo akt joligjor, ndërsa ka apeluar qytetarët të respektojnë ligjin për rendin dhe qetësinë publike. Nuhiu, mes tjerash tha se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në një mënyrë të qetë dhe demokratike, të tubohen në vende publike dhe t’i shprehin qëndrimet e tyre. “Në emrin tim dhe të MPB-së, i dënojmë ngjarjet e fundit dhe ju sigurojmë se MPB do t’i shfrytëzojë të gjitha kapacitetet për zbardhjen e plotë të këtyre incidenteve. Do të sanksionohet të gjitha përpjekjet për prishjen e rendit dhe paqes publike, ndërsa apelojmë deri te qytetarët e Maqedonisë të jenë të përmbajtur ndaj çfarëdolloj dhune dhe shkelje të rendit juridik dhe vlerave kushtetuese. Të gjitha qëndrimet dhe mendimet e tyre le t’i shprehin pa shkelë mbi vlerat themelore juridike”, u shpreh ministri Nuhiu, duke shtuar se në protestat e ardhshme, do të shtohet numri i pjesëtarëve të policisë. Para mediave u prononcua edhe Jordan Llamanoski, ndihmës i ministrit për marrëdhënie me publikun, sipas të cilit, incidenti i parë që është paraqitur në MPB, është ai i orës 18:45, kur u sulmuan gazetarët e TV AION. Incidenti i dytë, siç tha Llamanoski, që është paraqitur – është ai i ndodhur përball Bankës Popullore të Maqedonisë, ku pësoi rrahje ndëretnike midis nxënësve shqiptarë dhe maqedonas, ndërsa njëri përfundoi me lëndime të rënda në Urgjencën e qytetit të Shkupit. Të rinjtë madje kishin vazhduar rrahjet edhe në autobusin shtetëror me numër 58. “MPB punon në zbardhjen e këtyre incidente. Janë marrë në pyetje disa persona në lidhje me këto raste. Sa i përket sulmit të gazetarëve, janë thirr në pyetje 12 persona, ndërsa punohet në identifikimin e dy personave qe kanë sulmuar gazetarin dhe kameramanin e A1ON”, tha Llamanoski, duke shtuar se të gjitha materialet që ndihmojnë në zbardhjen e rastit do të përdoren për t’i identifikuar sulmuesit – qoftë edhe ato nga rrjetet sociale. Në ndërkohë, drejtuesit e portalit A1ON kanë paralajmëruar padi penale kundër organizatorëve të protestës, konkretisht iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, pasi siç thonë nga A1ON, protestuesit në mënyre tinëzare dhe të dhunshme mbrëmjen e 28 shkurtit, para Parlamentit të Maqedonisë, i sulmuan dy gazetarë të këtij mediumi elektronik. Për dhunën e ushtruar ndaj mediave ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), e cila ka kërkuar nga policia që t’i gjejë autorët dhe të zbardhet incidenti. Naser Selmani, kryetar i SHGM-së, i ka apeluar VMRO-DPMNE-së, që t’i tërheq aktivistët e vetë partiak nga këto sulme. (E.J)