Sulmuesi shqiptar Arbër Mehmetllari ka bërë hapin e madh në karrierë duke nënshkruar për katër vjet me Lokomotivën e Zagrebit, klubi satelit i Dinamos së Zabrebit. Mehmetllari, i cili është grumbulluar edhe nga trajneri Erjon Bogdani me Kombëtaren U-19, u testua dy herë te Lokomotiva e Zagrebit dhe prej një muaji është pjesëtar i rregullt i këtij klubi. Pasi kaloi me sukses të gjitha testet, kroatët vendosën t’i ofrojnë një kontratën katërvjeçare, e para si profesionist për sulmuesin e talentuar. Skautët e Lokomotivës u bindën gjatë një turneu U-19 që u zhvillua në Utrecht të Holandës, ku Mehmetllari u shpall golashënuesi më i mirë. Në testin “Gacon”, zhvilluar pak ditë më parë në Zagreb, ai doli i pari me “VAM 21”, rekord për moshën e tij, i denjë për ekipin e parë.