Shkup, 16 janar- I akuzuari Pançe Angelov për sulmin e Radmila Shekerinskës që ka ndodhur më 27 prill të vitit të kaluar në Kuvend, sot është ankuar për kohëzgjatjen e dënimit. Sipas tij, në vend të dënimit me burg prej katër vitesh për veprën penale “dhunë” duhet t’i shqiptohet dënim me kusht.
Para Gjykatës së Apelit Shkup, ku sot u mbajt seanca publike, Angelov tha se Gjykata në mënyrë të padrejtë e ka dënuar me dënim aq të lartë.
Në seancën publike prokurori nga Prokuroria e Lartë Publike, Jovan Cvetanovski kërkoi të refuzohet propozimi i të akuzuarit.
Angelov, i cili në Parlamentin e Maqedonisë e tërhoqi për flokësh deputeten e atëhershme dhe tani ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, në tetor të vitit të kaluar në Gjykatën penale e pranoi fajin.