Pas vendimit të Realit të Madridit për të hequr nga merkatoja James Rodriguez, Napoli është shumë pranë dështimit në një tjetër objektiv të merkatos, atë që lidhet me transferimin e sulmuesit nga bregu i Fildishtë, Nicolas Pepe.
Ky i fundit shkëlqeu sezonin e kaluar me Lille, ndërsa klubi francez kërkon 80 milionë euro për kartonin e 22-vjeçarit, shifër që janë treguar të gatshme ta paguajnë 4 klube, mes të cilave edhe Napoli, por që duket se nuk preferohet nga sulmuesi.
Dy ditë më parë menaxheri i Pepe mbërriti në Dimaro, për të folur nga afër me Ancelottin dhe drejtuesit e Napolit, ku u bëri të qartë se sulmuesi kërkon një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon dhe një komision transferimi prej 5 milionë eurosh për përfaqësuesit e tij.
Këto shifra duket se nuk janë miratuar nga De Laurentiis, por ndryshe nga bosi napolitan, është klubi i Arsenalit që ka treguar gatishmëri për të kënaqur si dëshirat e sulmuesit, ashtu edhe ato të klubit francez të Lille.
Sipas mediave franceze, palët janë shumë pranë marrëveshjes, teksa menaxheri i Pepes ka thënë fjalën e tij, duke zgjedhur “topçinjtë”, ndonëse vendimin final do ta marrë vetë sulmuesi, menjëherë pas kthimit nga pushimet.