Sulmohet me mjet shpërthyes objekti i Elektrokosmet në veri të Kosovës

Një mjet shpërthyes është hedhur mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 22:40 në objektin e elektro-distribucionit në veri të Mitrovicës.

Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar një transformator dhe disa automjete, të cilat kanë qenë të parkuara afër këtij objekti.

Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga drejtori rajonal i Policisë së Kosovës për Mitrovicën, Besim Hoti, i cili tha se përveç dëmeve materiale, nuk ka patur të lënduar.

Advertisements

“Prokuroria ka nisur hetimin dhe në pritje të ekspertizës përfundimtare mund të konfirmojmë se shpërthimi është shkaktuar nga një lëndë plasëse, ndërsa ka nisur puna për riparimin e transformatorit të dëmtuar”, deklaroi Hoti.

Ngjarja ndodhi dy ditë pasi Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes për energjinë të nënshkruar më 2013, në Bruksel, por e cila nuk ishte zbatuar.

Pas dakordimit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara më shumicë serbe, që nuk kanë paguar rrymën elektrike nga viti 1999, do të obligohen t’i paguajnë faturat.

Sipas këtij udhërrëfyesi, parashihet që Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), t’i lëshojë licencë për furnizim kompanisë nga veriu, Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

Elektrosever është një kompani me pronësi serbe, e themeluar në Kosovë dhe sipas ligjeve të Kosovës./REL