Shkup, 6 mars – Rreth mesditës së djeshme është sulmuar fizikisht Branko Sinadinovski themeluesi i Bashkësisë Fetare të Shqiptarëve Ortodoksë në Maqedoni. Siç raportuan mediat, Sinadinovski është sulmuar fizikisht në afërsi të banesës së tij, në lagjen Aerodrom të Shkupit. Rasti është paraqitur në polici, e cila është duke e hetuar incidentin. “Kam qenë duke shkuar tek vajza në banesën e saj rreth orës 10 të mëngjesit. Kam hasur se dikush me ndiqte, por nuk i vura re shumë. Vazhdova rrugën. Dhe në një moment dy persona mu vërsulën dhe më sulmuan brutalisht. Akti ka qenë barbarë dhe se të gjitha goditjet i mora në kokë. Kam përjetuar tmerr të vërtetë sepse ata kishin si qëllim eliminimin tim fizik”, ka rrëfyer Sinadinovski për agjencinë “INA” duke shtuar se ai është shpëtuar nga dhëndri i tij pasi ka dëgjuar zhurmë dhe i ka ardhur në ndihmë. Sinadinovski shprehet se lidhur me përmbushjen e, siç e quan ai, misionit të tij kombëtar, kërkohen sakrifica dhe përkushtim. “Unë kam qenë i vetëdijshëm për këto pasoja, por nuk ndalemi në qëllimin tonë. Bashkësia fetare e shqiptarëve ortodoks në Maqedoni është një realitet dhe shprehje e lirisë fetare dhe kombëtare”, thotë Sinadinovski, duke theksuar se me këto veprime po rrezikohet liria themelore e shprehjes së identitetit kombëtar dhe fetar.
Sot, vizitë Sinadinovskit i ka bërë edhe ambasadori i Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, i cili pasi ka dënuar sulmin ndaj prof.Sinadinovski, i ka dëshiruar shëndet të shpejtë. Njëherësh, Hysa me Sinadinovskin ka biseduar edhe për planet me Kishën Ortodokse Shqiptare në Maqedoni. Lidhur me sulmin fizik të Sinadinovskit ka reaguar edhe kryetari i Akademisë Shqiptaro-Amerikane, prof.dr. Skender Kodra, i cili ka bërë thirrje që të zbardhet akti brutal i rrahjes së anëtarit të tyre të Akademisë dhe iniciuesit të themelimit të Bashkësisë Fetare të Shqiptarëve Ortodoksë në Maqedoni, Branisllav Sinadinovskit. Në ndërkohë, në MPB thonë se po hetohen autorët, me qëllim që të njëjtit të vihen para drejtësisë. Sinadinovski është edhe profesor universitar, ndërsa për opinionin u bë i njohur vite më parë pas deklaratës se është shqiptar etnik dhe angazhohet për krijimin e një Bashkësie Fetare të Shqiptarëve Ortodoksë në Maqedoni. Sinadinovski është me prejardhje nga Beliçica e Rekës së Epërme nga rajoni i Mavrovës në Maqedoni.