Sulmohet ambasada amerikane në Afganistan

Një raketë shpërtheu në ambasadën e SHBA-së në Kabul, dhe një tjetër goditi kompleksin e Ministrisë së Mbrojtjes së Afganistanit.

Nuk është raportuar për dëme në të dyja objektet.

“Personeli diplomatik nuk është prekur drejtpërdrejtë nga shpërthimi”, ka thënë një zyrtar i Departamentit të Shtetit.

Incidenti ndodh në 18 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, që ishin edhe arsye e nisjes së luftës në Afganistan.

Sulmi ndaj ambasadës amerikane, bëhet disa ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se bisedimet e paqes më talibanët ishin “të vdekura”.

Trump anuloi bisedimet e fshehta me talibanët që ishin paraparaë të mbahen në SHBA, pasi një makinë bombë e grupit militant shpërtheu në Kabul, duke lënë të vrarë 12 njerëz përfshirë një ushtar amerikan. Rreth 14.000 trupa amerikane gjendet në Afganistan.