Andaj, sot, si asnjëherë më parë, është i domosdoshëm ndërtimi i urave, formësimi i aleancave, si dhe ndërtimi i një pakti mbarë njerëzore, me qëllim që t’u bëhet ballë bashkërisht stuhive të kohës, të cilat nxiten nga një grup shumë i vogël i njerëzve të interesit, me agjenda apokaliptike. Të keqen, ose do ta luftojmë të bashkuar, ose, ajo (e keqja) ka për të na gllabëruar ndaras (një nga një)
Nga Sali SHASIVARI
Sulmi terrorist makabër si dhe masakra barbare dhe perverse një djalli në formë njeriu, ndaj një grupi njerëzish besimtarë paqësor në Zelandën e Re (sulm ky i cili rezultoi në 50 të vrarë dhe mbi 30 të plagosur, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, pleq, të rinj, gra dhe burra), preku thellë çdo zemër, ndërgjegje dhe vetëdije njerëzore.
Si rrallëherë më parë, të gjithë të njerëzishmit anekënd botës u bashkuan rreth një fjale dhe qëndrimi, duke e dënuar aktin në fjalë, duke e emërtuar atë me emrin e vërtetë, si dhe duke kërkuar unitet mbarënjerëzor kundër veprave të këtilla djallëzore.
Në një kohë të stërngarkuar me shumë agjenda, antagonizma, stereotipa, propaganda, kriza dhe konflikte, tragjedia në fjalë, me gjithë fatkeqësinë e saj, në vehte ngërtheu shumë mësime, mesazhe dhe porosi, të cilat, po qe se analizohen, kuptohen dhe implementohen mirëfilli, do të ishin garancë për një botë më të mirë dhe më të sigurt; për muslimanët në veçanti, si dhe për njerëzimin në tërësi.
Në mesin e këtyre mësimeve, mesazheve dhe porosive, do të veçonim:
- Jeta e njerëzve të pafajshëm është e shenjtë; dhe se, kushdo që bëhet shkaktar për derdhjen e gjakut të të pafajshmëve, do të meritojë mallkimin e njerëzimit në tërësi; para se të zbret mbi të mallkimi i Zotit.
- Të gjithë njerëzit, në çfarëdo vendi të globit, dhe pa dallim race, kombi, apo feje, duhet ta kenë të garantuar të drejtën e jetës së lirë, të sigurt dhe të dinjitetshme (në suaza të ligjeve të arsyeshme); dhe se, shkelja e këtyre të drejtave, me çfarëdo arsyetimi supremacist, fanatik apo ekstrem, është i refuzuar dhe i dënuar.
- Të besuarit dhe të nënshtruarit e njeriut ndaj Krijuesit (Zotit), gjithmonë ka qenë burim jete, mëshire dhe mirësie ndaj njerëzve dhe krijesave tjera në përgjithësi. Përndryshe, në momentin kur njeriu mohon Krijuesin e tij, dhe fillon të aktrojë dhe të pretendojë të qenurit ‘zot’, pikërisht në këtë moment fillon destruktiviteti i tij si dhe shkatërrimi i tij ndaj çdo gjëje që e rrethon.
- Të gjitha fetë qiellore, e me theks të veçantë Islami, ftojnë në paqe, siguri dhe mirëqenie të gjithmbarshme. Vetëm keq-interpretimi si dhe instrumentalizimi i këtyre feve, për qëllime dhe agjenda të caktuara, mund të çojë në urrejtje, konflikt dhe dhunë.
- Njerëzimit, sikurse përgjatë historisë, po ashtu edhe sot, fatkeqësitë më të mëdha ia sollën egoizmi i tepërt, shpirtngushtësia e madhe, materializmi vullgar, interesi i paepur, hedonizmi i pangopur, urrejtja e verbër, ekstremizmi i skajshëm, bindjet e rrejshme, ideologjitë e gabuara, agjendat shkatërrimtare, etj.
- Terrorizmi, vërtetë nuk ka fe dhe përkatësi; mirëpo, një maksimë e këtillë duhet të vlejë në të gjitha rastet, e jo të përdoret në mënyrë selektive; me ç’rast, kur njëakt i tillë kryhet nga ndonjëperson i cili i përket fesë islame(qoftë edhe vetëm me emër), personi i tillë menjëherë merr epitetin ‘terrorist islamik’; ndërsa, në rastet kur aktet e këtilla ndërmerren nga ndonjë jomusliman, personi në fjalë cilësohet si ‘içmendur’, ‘i sëmurë psiqik’, ‘ekstremist’, etj., etj., por, në asnjë mënyrë nuk i referohet përkatësisë së tij fetare; e lere mëaktit tëtillë t’i jepet epiteti ‘terrorizëm hebrej’, ‘terrorizëm krishter’, ‘terrorizëm budist’, apose çfarëdo denominimi tjetër fetar. Së këndejmi, orvatja për realizimin e një qasje të këtillë të drejtë dhe të ekuilibruar, duhet të jetë në krye të agjendës mbarë-muslimane, para se të jetë në krye të agjendës mbarë-botërore.
- Metoda më e mirë, më perfide dhe më bindëse për nxjerrjen në pah të prapaskenave dhe realitetit të sulmeve terroriste, është të folurit me gjuhën e fakteve, numrave dhe statistikave; larg nga sloganet dhe parullat boshe. Kështu, analizimi i fakteve dhe shifrave historike, në kuptim të së kaluarës, si dhe analizimi i fakteve, të dhënave dhe statistikave të institucioneve gjegjëse në nivel botëror, rajonal dhe lokal (siç janë Interpoli, Europoli, dhe institucionet tjera gjegjëse), në kuptim të së tashmes, do të qartësonin shumë realitete vis-à-vis fenomeni destruktiv të terrorit, si dhe shkaqeve dhe shkaktarëve të tij.
- Kutet e dyfishta në qasje – karshi ngjarjeve të këtilla – nuk e kanë burimin në natyrën e pastër njerëzore; porse, këto kute të dyfishta nxiten dhe imponohen nga ana e qarqeve dhe kuluareve të caktuara ideologjike dhe politike, si dhe grupeve të caktuara të interest, e, të cilat, shikuar në tërësi, përbëjnë pakicë, në krahasim me pjesën tjetër të komunitetit njerëzor. Mirëpo, agjenda e tyre destruktive, si dhe pakti i tyre djallëzor me megafonët si dhe korporatat e mëdha mediatike, bëjnë të mundur manipulimin me masat e gjera të popujve dhe komuniteteve, edhe atë:herë duke imponuar terr informativ ndaj ngjarjeve dhe aspekteve të caktuara;herë duke i ndryshuar të dhënat dhe faktet; e herë duke përhapur dezinformata dhe të pavërteta. Së këndejmi, një propagandë e këtillë mediatike, e cila arrin që t’i ndryshojë realitetet globale, nuk mund të luftohet ndryshe, përpos me të njëjtën ‘armë’, gjegjësisht, me media të mirëfillta dhe profesionale. E në këtë aspekt, muslimanët e sodit lëngojnë tejmase.
- Manipulimi i mas-mediave të sodit i tejkalon përmasat e propagandës dhe dezinformimit, duke depërtuar thellë në manipulimin psikologjik të konsumuesve të këtyre masmediave. Një manipulim i këtillë tashmë ka tejkaluar suazat e formësimit të vetëdijes dhe krijimit të opinioneve, duke kaluar në sferën e manipulimit të nën-vetëdijes (sub-koshiencës). Kështu, këto mas-media tashmë kanë arritur të krijojnë shabllone mendore dhe stereotipe të pandryshueshme, në mesin e të cilave është edhe satanizimi i të akuzuarit dhe gjithçka që ka të bëjë me të, në rast se i dyshuari për ndonjë sulm terrorist i takon besimit islam (qoftë edhe me emër); si dhe humanizimi i të akuzuarit dhe gjithçka që ka të bëjë me të, në rast se i dyshuari për ndonjë sulm terrorist është i ndonjë feje tjetër.
- Monitorimi dhe analizimi (përmes fakteve, numrave dhe statistikave), si dhe reagimi dhe skandalizimi i korporatave mediatike dhe mjeteve të informimit të cilat i shtrembërojnë faktet dhe të vërtetat, është hapi i parë në funksion të ndryshimit të realitetit të hidhur. Mirëpo, edhe më e rëndësishmja në këtë aspekt është krijimi i platformave të mirëfillta dhe kompetitive mediatike, të cilat do të ofronin informim alternativ dhe të drejtë.
- Në saje të këtij manipulimi mas-mediatik, pjesa dërrmuese e popullatës së globit është shndërruar në konsumues mediatik negativ, e në rastet më të mira në konsumues indiferent. E kur një realiteti të këtillë të hidhur ia shton edhe rolin e rrjeteve sociale në ‘shprazjen emocionale’, atëherë del në pah shkaku se pse niveli i ndërgjegjes së pastër njerëzore dhe zëri i arsyes po zbehet gjithnjë e më tepër në këto kohë të pakohë.
- Është e vërtetë se solidarizimi i masave të gjera të popujve të ndryshëm të botës, në lidhje me rastin e fundit, është për t’u përshëndetur. Mirëpo, në të njëjtën kohë, nuk mund të injorohet fakti se, në krahasim më ngjarje të këtilla të ngjashme (si p.sh. me rastin e sulmit terrorist në Paris, 2015), përmasat e këtij solidarizimi, në kuptimin kuantitativ, si dhe në kuptim të nivelit kierarkik të atyre që reaguan, ishte dukshëm më i vogël. Për më tepër, ajo që ra në sy, ishte reagimi jashtëzakonisht i zbehur i popujve musliman -si në nivel zyrtar, po ashtu edhe në nivel të masave të gjera – karshi një tragjedie të këtyre përmasave; realitet i hidhur ky, i cili solli në kujtesë thënien: “Aq sa e respekton vetveten, po aq do të të respektojnë edhe të tjerët”.
- Për më tepër, mënyra se si u trajtua rasti në fjalë- në tërësi – nga ana e muslimanëve, në gjitha aspektet, qoftë në aspekt njerëzor, fetar, vetëdijesues, mediatik, politik, etj., le të kuptohet se, muslimanët – në përgjithësi – janë shumë larg qasjes profesionale dhe promovimit efektiv të kauzës së tyre të drejtë.
- Sulmi i fundit, sikurse edhe gjithë ajo propagandë anti-islame dhe gjitha ato fatkeqësi që po ndodhin në vendet muslimane në dekadat e fundit, nxjerrin në shesh gjithë atë armiqësi dhe padrejtësi që po ushtrohet ndaj pjestarëve të pafajshëm të kësaj feje të pastër dhe paqësore. Muslimanët, sot, po i nënshtrohen njëpropaganda dhe lufte shfarrosëse. E, ajo qëështë edhe më bengosëse në gjithë këtë aspekt, është lufta e brendshme (lufta ndaj njëri tjetrit) e cila ka filluar ta zhbëjë trupin e ummetit. Andaj, përreth sfidave të jashtme, muslimanët duhet të trajtojnë me shumë kujdes edhe sfidat e tyre të brendshme.
- Sulmi i fundit – sikurse edhe shumë incidente dhe sulme të mëparshme – nxjerr në pah faktin se, islamophobia, si rezultat i propagandës së vazhdueshme të qarqeve dhe individëve të caktuar, është shndërruar në kancer me përmasa metastazike, duke rezultuar në krime të përmasave tragjike… Andaj, muslimanët – anekënd globit – duhet të kërkojnë dhe të lobojnë që islamofobia të sanksionohet me ligj.
- Sulmi i fundit – sikurse edhe shumë incidente dhe sulme të mëparshme – nxori në pah agjendën, rolin dhe misionin destruktiv të së djathtës ekstreme – si dhe protagonistëve të saj – në nxitjen e urrejtjes deri në përmasa terrorizuese. E ajo që është edhe më tragji-komike në gjithë këtë realitet të hidhur, është fakti se, kjo retorikë ultra-djathtiste është pjesë përbërëse e spektrit zyrtar politik në shumë vende të globit; madje, në disa sosh prej tyre, anëtarët e këtij grupi qeverisin shtete! Andaj, është obligim mbarënjerëzor që kjo ideologji fashiste dhe anti-njerëzore të denoncohet si jolegjitime dhe e rrezikshme për shoqërinë njerëzore, para se tëna përsëriten ngjarjet e së kaluarës jo të largët historike.
- Në momentin kur flasim për rolin negativ të disa figurave publike dhe politike të krahut ultra-djathtist në nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve të këtilla, nuk duhet injoruar edhe faktin se, një pjesë e lidershipit aktual të botës islame luajtën rol edhe më destruktiv se sa homologët e tyre jomusliman; me ç’rast, jo vetëm që ishin ndër të parët që nëpërkëmbën dinjitetin dhe jetën e popujve të vet, por të njejtët, ndërsyen dhe nxitën edhe të tjerët që të jenë po aq të pamëshirshëm ndaj muslimanëve në tërësi (siçështë rasti me diktatorin e Egjiptit, Abdulfettah el-Sisi, si dhe rasti i petro-monarkëve të Gjirit Arabik, gjegjësisht Emirateve të Bashkuara Arabe,Arabisë Saudite, si the Bahrejnit); duke vërtetuar kështu thënien popullore: “Qeni i keq e sjell ujkun në turishte”. Andaj, muslimanët, krahas kërkesave të tyre për pastrimin e skenës botërore nga nxitësit e urrejtjes dhe përçarjes, kanë për obligim që të punojnë edhe më fuqishëm në pastrimin e oborrit të vet.
- Fakti se muslimanët po i nënshtrohen dhunës dhe represaljeve në vatrat e tyre, nuk duhet të jetë arsyetim që ata të durojnë padrejtësi dhe dhunë në vendet e mërgimit në të cilat jetojnë. Përkundrazi, ata duhet të shfrytëzojnë të gjitha mjetet legjitime për realizimin e të drejtave të tyre si qytetarë të barabartë. Kjo, nga fakti se,e drejta e lirisë, sigurisë dhe jetës së dinjitetshme në cilindo vend, është e drejtë fundamentale, e jo ‘zgjedhje opcionale’ e cila falet dhe dhurohet; e gjithë kjo, duke patur parasysh maksimën: “Të drejtat fitohen, dhe nuk falen”.
- Është momenti i fundit që muslimanët të denoncojnë – me të gjitha metodat e mundshme legjitime – të gjitha padrejtësitë, kurthet, sulmet dhe krimet të cilat ushtrohen ndaj tyre; qoftë në vatrat e tyre, apo se në vatrat e tyre të mërgimit. Madje, ata, një herë e përgjithmonë duhet të çlirohen nga kompleksi i inferioritetit si dhe nga trauma identitare. Përndryshe, fatkeqësia dhe mallkimi do të na ndjek në çdo hap të jetës.
Përgjatë gjithë këtyre hapave të sipërpërmendur, të cilat duhet të ndërmerren, si dhe përgjatë rrugëtimit të vazhdueshëm jetësor, muslimanët kanë nevojë për shumë shokë dhe miq; e të tillë janë gjithë njerëzit e njerëzishëm anekënd globit.
Andaj, sot, si asnjëherë më parë, është i domosdoshëm ndërtimi i urave, formësimi i aleancave, si dhe ndërtimi i një pakti mbarë njerëzore, me qëllim që t’u bëhet ballë bashkërisht stuhive të kohës, të cilat nxiten nga një grup shumë i vogël i njerëzve të interesit, me agjenda apokaliptike.
Të keqen, ose do ta luftojmë të bashkuar, ose, ajo (e keqja) ka për të na gllabëruar ndaras (një nga një).