Është rritur në 21 numri i të vdekurve në sulmin me bombë që ndodhi dje në një kolegj në Krimenë e aneksuar nga Rusia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet lokale kanë njoftuar se me vdekjen e dy personave të plagosur nga sulmi me bombë ndaj një kolegji në qytetin Kerç të Krimesë është rritur në 21 numri i viktimave ndërkohë që vazhdon trajtimi i 50 të palgosurve nga të cilët 10 janë në gjendje të rëndë.
Në anën tjetër gazeta ruse Kommersant ka njoftuar se për zbardhjen e ngjarjes në krye të ekipit është emëruar gjeneral-major Sergey Golkin i cili ka hetuar më parë edhe sulmin terrorist në metronë e St. Petersburgut dhe zjarrin në qendrën tregtare në qytetin Kemerovo ku si pasojë humbën jetën 64 persona.
Pas sulmit në Krime është shpallur 3 ditë zie, ku dhe presidenti rus Vladimir Putin në deklaratën e tij të parë tha se do të hetojnë në mënyrë të detajuar të vërtetat e sulmit dhe se rezultatet e hetimit do t’i ndajnë me opinionin publik.
Ngjarja
Një nxënës 18 vjeçar i quajtur Vladislav Roslyakov nga qyteti Kerç ditën e djeshme kreu një sulm të armatosur dhe me bombë artizanale në një kolegj. Ende nuk dihen arsyet e sulmit të ndërmarrë nga Roslyakov i cili kreu vetëvrasje pas sulmit.
Fillimisht në deklaratën e parë nga Komiteti Hetimor i Rusisë thuhej se rastin e kanë cilësuar si sulm terrorist por më pas thanë se në bazë të hetimeve sulmi konsiderohet si ngjarje krimi.