Sulmet verbale mes oponentëve politikë janë pjesë e “lojërave” zgjedhore, por kjo në teorinë e komunikimit politik duhet të jetë e shoqëruar me premtime për realizmin e projekteve dhe ideve të reja
Destan JONUZI
Shkup, 4 nëntor – Deficiti i ideve dhe projekteve konkrete sjell deri artikulimi i një vokabulari të ashpër, denigrues dhe ofendues për oponentin politikë, kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend duke folur për gjuhën e ashpër dhe ofendues që liderët politik e përdorin në paraqitjet e tyre publike ende pa u shpallur zyrtarisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dakorduar për 12 prill të vitit 2020. Analisti, Gazmend Ajdini thotë se në mungesë të projekteve konkrete liderët politik artikulojnë vokabular që në vete përmban vetëm kriticizëm. “Jo se është e huaj ideja e sulmit ndaj tjetrit në kuadër të “lojërave” zgjedhore, por ky në teorinë e komunikimit politik duhet të jetë i shoqëruar me premtime për realizmin e projekteve dhe ideve të reja të cilat do të jenë kompetitive me ato që ka premtuar apo që i premton tjetri. Kjo është edhe një nga shkaqet kryesore të daljes gjithmonë e më të vogël në zgjedhje sidomos në kampusin e votuesit shqiptar. Ashpërsia në retorik në princip mund të motivoj votuesin tënd por jo edhe atë të papërcaktuar apo neutral, së paku jo për të votuar ty. Ajo që është më e rëndësishmja është premtimi për realizmin e projekteve të cilat do të jenë zgjidhje reale e problemeve prioritare të votuesit, por dhe në të njëjtën kohë, kapaciteti bindës i “premtuesit” për realizmin e tyre”, deklaroi për KOHA, Ajdini. Sipas tij, një ndër faktorët kryesor në vendimmarrjen e votuesit se kujt do ja jep besimin e tij, përveç premtimeve konkrete është edhe besueshmëria në mundësinë e realizimit të këtyre projekteve dhe zgjidhjeve nga ana e partisë politike e cila i premton të tillat në fushatë.
Nga ana tjetër, gazetari dhe drejtuesi i programit “200”, Nazim Rashidi vlerëson se një pjesë e arsyes për këtë situatë është se “betejat” politike më parë kanë qenë e zhvilluar në fushën e legjislacionit.
“Kjo gjë realisht debatet i ka çuar në fushën e argumenteve. Pra duheshin bindur rivalët politik për rëndësinë e ndryshimeve ligjore. Pa diskutim që nevoja për ndryshime ligjore nuk do përfundojë, sepse shoqëritë janë dinamike dhe kërkesat mund të ndryshojnë. Por realiteti politik ka ndryshuar, tashmë “betejat” politike duhen fokusuar tek realizimi, tek zbatimi i ofertave. Këtu lind problemi, ose këtu duhet bërë ndryshimi i mendësisë. Partiakët e kanë më të letë të mbesin tek fusha e argumenteve, debateve, fjalëve. Por kërkesa e shoqërisë është tek realizimi. Që nga pastrimi i rrugëve, e deri tek hapja e vendeve të reja të punës. Që nga ndërtimi i shkollave e deri tek rritja e pagave. Që nga lufta ndaj varfërisë e deri tek të drejtat e secilit. Por këto bëhen duke përveshur mëngët, e duke punuar. E për deri sa presioni nga votuesit nuk do rritet në mase që politika të lëkundet, që të zbatojë projekte konkrete, atëherë debatet do mbesin veç në fushën e zënkave personale, tensionet mes partive se ashtu është më e lehtë. Kështu partitë dhe kenë mundësi të dëshmohen kush shan më shumë rivalët, dhe do kenë luksin e madh që mos premtojnë projekte konkrete. Kështu njerëzit do votojnë për shkak të emocioneve, e jo mbi bazën e ofertave se kush do ua përmirësoj jetën”, deklaroi për KOHA, Rashidi. Ai më tej, thekson se qytetarët duhet të kenë kujdes, sepse tonet e ngritura u shkojnë në favor, vetëm politikanëve, të gjithëve pa përjashtim, dhe jo vetë qytetarëve.
Ndërkaq, gazetari Agron Vrangalla konsideron se retorika e partive politike gjatë fushatës zgjedhore por edhe para fillimit të fushatës, nuk është se ka ndonjë dallim të madh nga retorika e tyre gjatë pjesës tjetër të kohës.
“Në thelb, politikanët tanë nuk kujdesen për të pasur një strategji komunikimi bazuar në orientimet e tyre ideologjike. Ata flasin atë që ju vjen ndërmend për momentin. Përveç se nuk flasin për atë që kanë të ofrojnë, ata nuk kanë çfarë ofrojnë edhe sikur të flasin. Për pasojë akuzojnë njëri-tjetrin me një lloj diskursi që përveç se është i ulët, ndonjëherë duket edhe shumë i lodhur. Retorika politike e njeh edhe sarkazmin e satirën, por ata (politikanët) shumë rrallë arrijnë efektin edhe atëherë kur duan të bëjnë për të qeshur. Klasa politike në vend ka nevojë për kalimin në një stad të ri të të bërit politikë. Zhgënjyese për votuesin ngelet mungesa e opsioneve të reja politike”, shprehet Vrangalla.
Juriasti i së drejtës evropiane, Muhamer Pajaziti, vlerëson se do të ishte mirë që fushata të përqendrohet në kërkesat e reale të qytetarëve, të cilat kanë të bëjnë me kushtet e jetesës, të drejtat e tyre në punë, barazia sociale, shërbime më të mira në shëndetësi, arsim, mjedisi i pastër, trafiku urban, burimet energjetike alternative dhe sfera tjera. “Nevojë imanente duket edhe reformimi i sistemit të jurisprudencës për ti luftuar peshqit e mëdhenj të cilat kanë zhvatur dhe kapur shtetin. Por ka rëndësi edhe mënyra se si të shpalosen këto programe, sepse shumë parti politike marrin modele të gatshëm copy paste të partive evropiane dhe nuk kanë resurse njerëzore për ti elaboruar qartë dhe pastaj për ti zbatuar në praktikë. Shpresojmë që qytetarët të mos përballen sërish me politikanë të cilët shtiren se cili është më patriot se tjetri, e në fakt mendjen e kanë vetëm tek pushteti dhe interesat e tyre personale e klanore. Mbetet të shihet nëse do të ketë një vetëdijesim të qytetarëve për ti votuar programet më të mira, listat më të mira për deputetë, e jo retorika boshe dhe politikat folkloriste”, potencon Pajaziti.
Ndryshe, liderët e partive parlamentare në takimin e fundit në vilën presidenciale në Vodno, janë dakorduar për datën e zgjedhjeve 12 prill 2020. Në bazë të datës së dakorduar për zgjedhjet e parakohshme Parlamenti duhet të shpërbehet më se voni deri më 11 shkurt të vitit 2020, ndërsa sipas dispozitave që dalin nga Marrëveshja e Përzhinos, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve vendi udhëhiqet nga Qeveri teknike me të cilën udhëheq kryeministër teknik, ndërsa opozitës i takojnë disa poste ministrore përfshirë edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme. (koha.mk)