Sulme ajrore në Idlib, goditet spitali dhe një furrë buke

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore të kryera nga forcat besnike të Bashar al-Assadit mbi një spital dhe furrë buke në Idlib, raporton Anadolu Agency (AA).

Gazetari i AA-së në Idlib njofton se sot kanë vazhduar sulmet mbi rajonin i cili me marrëveshjen e Astanas është shpallur zonë jokonfliktuale.

Në sulmet e sotme mbi qarkun Maarretinuman është goditur një spital, ndërsa në vendbanimin Serakib një furrë buke.

Siç bën të ditur gazetari i AA-së, spitali është shkatërruar në masë të madhe, ndërsa furra e bukës më nuk është në gjendje funksionale.

Mësohet se njëri nga personat e vrarë në sulm, është një burrë i cili kishte sjellë gruan e tij shtatzëne për të lindur në spital.

“Ky spital ka qenë ekskluzivisht i karakterit civil. Frontet e luftës janë larg nga këtu, prandaj nuk e kemi të qartë përse godasin spitalin”, tha njëri nga dëshmitarët e sulmit.

Siç rrëfen Mussenna Muhammed nga qarku Serakib, në njërin nga sulmet e sotëm është qëlluar furra e bukës, por fatmirësisht sipas saj është qëlluar depoja dhe jo reparti prodhues ku ka pasur dhjetra punëtorë.