Baku, 17 tetor – Një sulm me raketa është kryer mbrëmjen e kaluar një orë pas mesnate në qytetin e dytë më të madh të Azerbajxhanit, Ganxha.
Në sulm janë vrarë 12 persona, janë plagosur më shumë se 40 të tjerë dhe është shkaktuar dëm i konsiderueshëm në infrastrukturën civile dhe të transportit, bëri të ditur Prokuroria e shtetit të Azerbajxhanit.
Në të njëjtën kohë, forcat ushtarake në Nagorno Karabah pohojnë se Stepanakert dhe Shusha u granatuan në mëngjes, duke plagosur civilë.
Sipas autoriteteve të Azerbajxhanit, sulmi shkaktoi dëme serioze në infrastrukturën civile dhe nëpër rrugë.
Shtohet se Ganxha është sulmuar me raketa “Skad” (R-17) edhe nga territori i Armenisë, ndërsa pala armene i mohon pretendimet e këtilla.
Një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar për të përcaktuar nëse ka popullsi civile nën rrënojat e ndërtesave.