“Curva Nord” është ende kundër Mauro Icardi. Sulmuesi zikaltër, në ndeshjen kundër Romës e përçau tifozërinë në “San Siro”. Në momentin e hyrjes së tij në fushë, ai u shoqërua me fishkëllima dhe fyerje nga kjo pjesë e stadiumit. Pjesa tjetër e “San Siro”, megjithatë, ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm, është rreshtuar në mbrojtje të argjentinasit dhe ka sulmuar ultrasit zikaltër.
Në orët e fundit, “Curva Nord” ka lëshuar një deklaratë, në të cilën ka përsëritur qëndrimin e vet për kthimin e Icardit në fushë, pas qëndrimit 40-ditor jashtë ekipit. Numri 9 i Interit, emri i të cilit nuk përmendet fare, përkufizohet si një “njeri i vogël”, që nuk e meriton fanellën zikaltër, ndërkohë që nuk kursehen as kritikat për tifozët që e mbrojtën atë.
“Ai njeri i vogël, që mban numrin 9, nuk e meriton Interin, sepse nuk ka treguar as minimumin e korrektësisë profesionale, që çdo punonjës i një klubi duhet të tregojë, duke shprehur respektin për fanellën, për publikun që beson në të, ose së paku për punëdhënësin, që e paguan.
Në kampionate të tjera europiane nuk mund të ndodhë si në klubin tonë. Pyetja që bëjmë është: a keni parë ndonjëherë lojtarë në kampionate të tjera, që pretendojnë se janë të dëmtuar, që refuzojnë të luajnë, që grinden para humbjeve të ekipit të tyre dhe e braktisin atë për më shumë se një muaj? Pastaj, grupit i imponohet kthimi i tij nga avokatët…”