Në moshën 7 vjeçare, Sulejmani iu hoq kujdesit të të ëmës dhe u stërvit si një princ, në trup dhe në shpirt. Përveç turqishtes, mësoi persishten, arabishten dhe serbishten; studioi algjebër, poezi, muzikë dhe Kur’anin. U bë i aftë dhe muskuloz me luftën tribale turke dhe mësoi të kalërojë si dhe të përdorë harkun njësoj si bashkëmoshatarët e tij. Por, si princ që ishte, Sulejmani i ri duhej që të ruhej fort: në atë kohë, për otomanët vlente ligji i vëllavrasjes, sipas të cilit një sulltan kishte të drejtën dhe detyrën që të vriste të afërmit meshkuj që kërcënonin stabilitetin e perandorisë. Babai i tij, sulltani Selimi i Egër kishte mbytur vëllezërit dhe bijtë e tyre, dhe ndoshta kishte helmuar edhe të atin. Selimi ndërroi jetë në 21 shtator 1520: Sulejmani kishte mbetur i vetmi trashëgimtar dhe në 30 shtator 1520, në moshën 26 vjeç, ai u bë i dhjeti sulltan otoman. Aktet e tij të parë ishin akte zemërbutësie, aq sa poetët e quanin „vesa qiellore në një kullotë të djegur prej diellit“ dhe papa u ra kambanave për festë. Por një vit më vonë, ai shfaqi temperamentin e tij të vërtetë duke pushtuar Beogradin, mburojë e Hungarisë në Ballkan.