Delvina KËRLUKU
Arsim Papraniku u lind në Shkup në vitin 1975 dhe rrjedh nga një familje dibrane. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, poashtu edhe të mesmen, por dy vitet e fundit do t’i përfundojë në SHBA. Fakultetin, në drejtimin doganë dhe shpedicion, i përfundoi në Faklutetin e Turizmit. Njihet si një ndër biznesmenët shqiptar më të suksesshëm në regjion. Momentalisht është bashkë-pronar i Kompanisë “Neptun”.
KOHA: Z. Papraniku, ndonëse i ri në moshë, ju jeni drejtues i Kompanisë NEPTUN. Cilët janë hapat e para të sipërmarrjes së biznesit?
PAPRANIKU: Ne kemi filluar që në vitin 1993. Në fakt ishte vëllai që hapi dyqanin e parë me elektronik. Në atë kohë mund të them që ka qenë një ndër dyqanet më të mëdha, ku ka pasur 250 metër katrorë me emrin “I & A”. Në atë kohë kam qenë në studime, në Amerikë, pastaj kur u ktheva u regjistrova në Fakultetin e Turizmit. Ne atë kohë dogana ishte një ndër fakultetet më atraktive dhe për atë arsye vendosa që të regjistrohem ku dhe u bëra pjesë e gjeneratës të parë të degës doganë dhe shpedicion, në vitin 1995, në Ohër dhe paralelisht ndihmoja vëllain që tashmë kishim hapur dyqanin, në Çarshinë e Vjetër, në Shkup. Më vonë bëmë një realokim të dyqanit dhe në vitin 1998 hapëm dyqan të ri me lokacion që ishte relativisht në pozicion shumë të mirë, në qendrën tregtare të Shkupit dhe aty u rimëkëmbën me portofolin e biznesit. Filluam të përfaqësojmë brende të tipit të “Sony”, pastaj “Philips” dhe “Panasonic”, që në atë kohë ka qenë shumë atraktiv. Në atë kohë ishim menaxher dyqanesh. Ku shkonim, blinim mall. Munihu dhe Vjena ishin qendra distributive të mëdha të pjesës së Ballkanit. Në ato vite, kryesisht në vitet 96 –98 e kemi takuar personin, që tashmë është partneri im, pra biznesmenin e mirënjohur në Shqipëri dhe rajon, Samir Mane. Kur jemi njohur ka qenë një rastësi. Njoftimi dhe fillimi i partneritetit në vitet në vijim është një histori në vete që kërkon pak më shumë kohë për ta elaboruar dhe është me të vërtet një histori e veçantë, por do e tregoj në ndonjë rast tjetër. Dhe prej asaj kohe filluan raportet e ngushta me Saimir Manen. Në vitin 1998 pas një vizite të Samirit vendosëm të hapim një zyrë të përbashkët, ku do fillonim shitjen e produkteve elektro-shtëpiake me shumicë. Ai na propozoi të bëjmë një kompani të re dhe të bëhemi partner. Në atë kohë ideja ishte më shumë e fokusuar në distribucion, sepse ishte në natyrën e biznesit, pra shitje me shumice te pajisjeve elektroshtëpiake. Dhe ngadalë filluam përhapjen e rrjetit të shumicës, kishim një magazinë qendrore, po shtua shumë klientë në Maqedoni. Më vonë hapëm dhe dyqanin e dytë në Shkup. Biznesi po ecte mirë dhe në vitin 2000 vendosëm që të hapim zyrë, po me të njëjtin profil edhe në Prishtin, pra do merreshim me distribucion të brendeve po të njëjta, siç përfaqësonim në Maqedoni. Nga Kosova u tërhoqëm rreth vitit 2003-2004, për shkak të disa pengesave në biznes, për t’u futur përsëri në vitin 2007. Nga një treg mirë i zhvilluar në Maqedoni, hymë në Kosovë. Së shpejti edhe e hapëm dyqanin e parë në Qendrën Tregtare “Albi Mall”. Gjatë kësaj periudhe, duke vepruar me distribucion, na doli një ide për hapjen e një retail (shitje me pakicë), sepse e shihnim të arsyeshme që në Shkup e jashtë qytetit, ka nevojë për një koncept të këtillë, model që do të ofrojë produkte dhe shërbime cilësore, për konsumatorët dhe vendosëm të bëjmë komplet rebrendimin e emrit të kompanisë, që quhej Euro Media dhe të kalojmë në konceptin e ri që do quhej NEPTUN. Duke shtuar brendet botërore në dyqanet e NEPTUNIT, u imponua nevoja që dyqanet t’i zmadhojmë dhe të dalim në formate më të mëdha, 500 -600 m2. Thënë drejtë, as unë, as Iliri, as Samiri nuk kishim pikën e idesë për një retail modern. Filluam, por në ndërkohë u përballëm me shumë pengesa në koncept dhe në ‘Know How’. Në atë kohë morëm një konsultant, që paguhej goxha mirë nga ana jonë, gjë që sot s’do ta besonte kush se aq e kemi paguar. Megjithatë, sot mund të them se do të duhej t’i ngremë një përmendore. Duke vazhduar ritmin e lart të punës brenda 3 viteve arritëm të hapim më shumë se 7 dyqane jo vetëm në Shkup, por edhe në Tetovë, Manastir, Ohër, Strugë, Gostivar dhe sot që flasim, numri i rrjetit NEPTUN i dyqaneve arrin në 23 dhe deri në 2017 do arrijë shpresojmë të kemi 25 dyqane me një xhiro totale mbi 65 milion euro.
KOHA: Pse pikërisht një këshilltar nga Athina,që ka të drejtën të japë vetëm mendime, por nuk vendos. A mungojnë në tregun e Maqedonisë persona të këtillë?
PAPRANIKU: Sigurisht eksperienca e stafit profesional për të ndërtuar një retail modern jo vetëm në sferën e lëmit tonë, por në përgjithësi mungonte. Ishin koha që nuk kishte pas jo vetëm në Maqedoni, por edhe në gjithë eks Jugosllavinë e atëhershme një retail modern. Kjo na shtyu që të kërkojmë ndihmë nga vendet ku kishte kulturë dhe traditë për retial. Pse në Greqi? Kishte sigurisht edhe nga Gjermania, Anglia që na ofroheshin shërbime te ngjashme. Mirëpo, mentaliteti i Ballkanit është shumë i ngjashëm mes vendeve tona. Greqia, për dallim nga Bullgaria, ishte shumë më e avancuar, jo për arsye se grekët kishin investuar në këtë fushë veprimi, por kishte një “Dixon” – grup “anglez”, që grekët e kishin përvetësuar dhe ishin avancuar. Dhe pikërisht ky njeri ishte drejtori i zhvillimit të ekspansionit të Dixsonsit. Dhe pastaj filluam hap pas hapi etj.
KOHA: Ju u qasët në veprimtarinë tregtare, sepse keni studiuar “biznesin” apo është një trashëgim i paradhësve që janë marrë me tregti?
PAPRANIKU: Sigurisht që ka një “damar” në familje nga ana e babait. Gjyshin e kam pasur në atë kohë mjaft të suksesshëm, edhe babai është marrë me tregti gati gjithë jetën e vet dhe në atë kohë ka qenë shumë i suksesshëm dhe ka drejtuar kompani jashtëzakonisht të suksesshme dhe ka një karrierë profesionale shumë të madhe. Ne si fëmijë, me vëllain, nuk mund të them se s’kemi pas mbështetje në hapat e para nga eksperienca e babait, sepse si të vegjël relativisht shpesh shkonin dhe vizitonim ambientete e punës, ku babai vepronte dhe punonte dhe sigurisht kjo ishte një eksperiencë e madhe për ne. Është për të theksuar se personalisht kurrë nuk e kam pasur si synim që të merrem me ketë lloj biznesi, ndërsa vëllai po. Dëshirat e mia kanë qenë të fokusuara në hapjen e një restoranti ku pastaj do zhvilloja një rrejt të restoranteve në Shkup. Ky ishte si rezultat i idesë që nga Amerika të kthehem në vendin tim e të hap një biznes të tillë. Por, duke u marrë me këtë lëmi, ngadalë u zhyta në këtë fushë veprimi. Mirëpo, ideja akoma vazhdon dhe nuk e mohoj faktin që në të ardhmen dhe kjo ëndërr e jetës sime të realizohet.
KOHA: A ka ndikuar te ju jeta dhe studimi në SHBA, që të merrni guximin dhe t’i qaseni biznesit në Maqedoni, për të arritur deri te kulmet?
PAPRANIKU: Shkollën fillore e kreva në Maqedoni, ndërsa të mesmen, një pjesë në Maqedoni dhe një pjesë në Amerikë, dhe pastaj vendosa të kthehem në Maqedoni, ku edhe e mbarova fakultetin. Amerika është një ndër eksperiencat më të bukura të jetës. Në atë kohë, nëpërmjet Beogradit kishte nje program shkollor që quhej “Exchange student” (shkëmbim studentësh), ku ishte, relativisht, shumë e rëndë për mua. Ideja e programit ishte që: të merrnin, të çonin diku, të vendosnin në një familje ku nuk njihje askënd. Në atë pjesë ku kam qenë unë, në Washington State – Spokane, mentaliteti për dallim nga New York, që përputhet disi me Evropën, ishte totalisht ndryshe nga pjesa ku unë vija. Shumë e vështirë ka qenë për mua! Por, një përvojë të madhe që fitova ishte se nuk varesh nga prindi, për të blerë gjërat e domosdoshme, por atje siç isha edhe në moshën 17 vjeçare, duhej që nga ora 8 deri në ora 14 të edukoheshe në shkollë, ndërsa prej orës 16 duhej të punoja në “McDonalds” ose “Burger King”, që të fitoja 5 dollarë dhe këto para do të harxhohen për nevojat personale. Para nuk kishte në shtëpinë ku jetoja, e as nga Maqedonia.
KOHA: A u avancoi shkolla në Amerikë, përkatësisht a ua shkurtoi kohën e parashikuar për të bërë biznes?
PAPRANIKU: Koncepti i shkollimit që kishim këtu për dallim nga ai në SHBA, ishte krejt ndryshe. Aty nuk e vëreje se testoheshe çdo orë, se mëson e edukohesh në çdo aspekt. Gati se gjithë mësimdhënësit që përkujdeseshin për nxënësit, në çdo orë ishin në maksimum të përkushtuar dhe dinin çdo detaj për çdo nxënës, bile dhe për jetën e tyre personale. Ata dinin se unë vija nga Maqedonia, se në ish Jugosllavinë bëhej luftë, ku në Bosnjë dhe Hercegovinë ishte më aktuale, pra ata hynin në çdo pikë të jetës tonë. Pas përfundimit të gjimnazit, qëndrova edhe një vit në New York, ku u regjistrova në një ‘community coleg’ në Bruklin dhe paralelisht punoja në një dyqan për bravari dhe çelësa. Kjo eksperiencë zgjati rreth 13 muaj dhe pastaj vendosa që të kthehem në Maqedoni. Kur erdha u regjistrova në Fakultetin e Doganës në Ohër.
KOHA: Në një konkurencë të madhe në fushën e biznesit, ju jeni një nga afaristët e suksesshëm shqiptar. Cili është çelësi që u drejton drejtë sukseseve?
PAPRANIKU: Sigurisht që në vend të para është vullneti i madh për të përparuar në jetë. Me vullnet paralelisht shkon edhe puna. Fati im, përveç dëshirës është se kam pasur edhe prej ku të mësoj, duke takuar njerëz dhe kultura të ndryshme në pjesën e industrisë sonë, siç janë: LG, Sony, Samsung, që nga Koreja e këndej, që kanë një ekonomi e treg shumë të madh e të zhvilluar, duke shëtitur në këto pjesë e duke takuar këta biznesmenë të mëdha. Sigurisht dhe një eksperiencë të madhe kam absorbuar edhe nga partneri im, Samiri. Kemi njohuri dhe miqësi me shumë biznesmen në mbarë botën, meqë merremi gjatë kohë me këtë lloj të biznesit. Gjithë ky rrugëtim është përvojë që e zbatoj në Kompaninë NEPTUN, që sot funksionon goxha mirë.
KOHA: Nga 200 kompani më të suksesshme në Maqedoni, NEPTUN është e 37-ta, ndërsa 1 nga 100 kompanitë shqiptare. NEPTUN ka pasur një xhiro të qarkullimit në vlera shumë të larta?
PAPRANIKU: Suksesin e bëjnë vullneti dhe puna, por nuk e shmang edhe faktin e fatit. Një pjesë e madhe sigurisht i dedikohet dhe stafit të NEPTUNIT, por edhe fati i madh që hasa në resurse njerëzore të mirë dhe të ndershme që edhe sot e kësaj dite kam një staf mjaft të organizuar dhe kam persona që ka mbi 18 vjet që punon me mua. Tjetra është se ditëm dhe nuhatëm të implemetnojmë prej botës së jashtme moderne një koncept modern retail brenda kufijve të vendeve ku ne veprojmë. Arritëm në piedestalin numër 1 retail në Maqedni. Fokusi ndaj konsumatorit dhe shërbimet që ne vazhdimisht u kemi ofruar konsumatorëve tanë, është sigurisht dhe një pikë e suksesit tonë. Modestia gjithashtu për mua ka të bëj shumë dhe mendoj që është një pikë e fuqishme e imja personale, por edhe e karakterit të Kompanisë NEPTUN dhe gjithë stafit rreth saj.
KOHA: Ekonomia e Maqedonisë, shpesh ndodhet para sfidave të mëdha. Sa ndikojnë “luhatjet”, sidomos politike, në biznesin tuaj. Nga shkon vendi, nga recesioni apo..?
PAPRANIKU:Ndikmi i politikës në ekonomi jo vetëm në Maqedoni, por dhe në rajon ka të bëj shumë. Por, duhet ndarë dy çështje. Si NEPTUN nuk kemi ndjerë ndonjë lëkundje gjatë gjithë këtyre viteve veprimi, për faktin se numrat që ka kompania të shprehur në bilancet vjetore që nga viti 2005 e deri më sot që flasim, janë rritur në vazhdimësi… Nuk mbaj mend nëse kemi pasur më pak rritje se sa nën 10 për qind, por sigurisht qe kemi pasur mbi 10 deri 25 për qind. Këtu flas si përgjegjës i NEPTUNIT. Pra, në këtë aspekt nuk kemi ndje luhatjet qofshin ato politike apo ekonomike dhe të gjitha reformat që kanë ndodhura në dhjetëvjeçarin e fundit, pozitive apo negative dhe impaktet që kanë pasur në pjesën e biznesit dhe të ekonomisë, në përgjithësi në Maqedoni. Dhe kjo ndoshta vjen nga mënyra se si ne e kemi konceptuar ne atë, pra ne si NEPTUN, sa treg kemi “vjedhur” nga të tjerët, se si e kemi trajtuar NEPTUNIN dhe se si e kemi avancuar atë rrjet të shitjes me pakicë, në Maqedoni dhe më gjerë. Po nga ana tjetër, ekonomia në vend ka pasur shumë plus në aspekt të reformave, por edhe shumë minuse të vete. Lëmi ynë është pak e ndjeshme, sepse ne jemi diçka dhe konsumi nuk është një gjë e përditshme, është destinim, që blihet me një vlerë më të konsiderueshme të hollash. Sigurisht që i gjithë ky rrjedhim i politikës, që e influencon edhe ekonominë, ka ndikim dhe ndjehet edhe tek ne. Por, te ne, siç edhe theksova, nuk është ndje edhe aq, nuk kemi pasur ndonjë sfidë shumë të madhe, ndoshta siç edhe e kemi bërë biznesin “merr përsipër” ose i jemi qasë strategjive të tjera. Nëse flas në kontekstin e përgjithshëm, besoj që ka shumë punë për t’u bërë në Maqedoni. Ka reforma jashtëzakonisht shumë pozitive, sidomos në doganimin e mallit, që na e lehtëson të gjithë atë procedurë, siç edhe ka ndodhur gjatë fillimeve pas vitit 2000, ku të doganohej një kamion me mall, do të duhe të kalonin diku 5 ditë, ndërsa sot ndodh thuajse për 5 – 25 minuta. Kjo është një reformë e madhe. Edhe në pjesën e tatimeve janë bëre disa reforma pozitive, siç është tatimi i sheshtë prej 10 për qind që ndjeshëm reflektohet pozitivisht në bilancet e kompanisë. A është e mjaftueshme? Sigurisht që është 5 për qind nga 100 përqindshi, që akoma duhet të zhvillohet, sidomos në pjesën e biznesit shqiptar, ku ka pak kompani që janë të suksesshme, të cilat mund t’i numërojmë me gishta.
KOHA: Atëherë, përse bizneset shqiptare nuk kanë këtë renditje të suksesit, nuk ndihmohen nga shteti, edhepse ka biznese që kanë përfituar subvencione. Si e shihni ju mossuksesin e bizneseve shqiptare në Maqedoni. Është keq-menaxhimi i tyre, apo..?
PAPRANIKU: Të jemi të realët. Ne kemi marrë një veti të tillë, sepse sistemi në atë kohë ka qenë i tillë. Është fakt që kemi qenë të diskriminuar në shumë aspekte, por dhe ne kërkojmë çdoherë probleme te “komshiu “ dhe kjo duhet stopuar. Kjo dukuri akoma ka mbetur te ne, me idenë se pala maqedone i mori të gjitha, ndërsa ne mbetëm pa hiç. Ne i kërkojmë problemet te tjetri e nuk përqendrohemi te vetja dhe punët tona. Kjo është e para dhe e dyta është mungesa e eksperiencës, edukimi, arsimimi, investimet, mos integrimi në shoqëri. Por, çfarë është e rëndësishme dhe çfarë është pozitive që ka një tendencë, të paktën në 5 vjeçarin e fundit, që shqiptarët, pra kompanitë shqiptare, marrin dita ditës treg dhe zhvillohen për çdo ditë në mënyrë pozitive më mirë e më mirë. Është fakt se ka diku 10 kompani shqiptare që janë të përfshira në 100 kompani më të mira në Maqedoni. Kjo ka të bëjë jo vetëm me faktin që këta biznesmenë kanë investuar në kompanitë e veta, por nga ana tjetër, edhe konsumatori shqiptar në tregun e Maqedonisë, po bëhet i rëndësishëm Kjo ka të bëjë pastaj me reforma për punësime, me trajnime – edukime. Por, personalisht mendoj që me pak a me shumë vullnet dhe përkushtim besoj që rritja e cilësisë në veprimin e fushës së biznesit në ndërtimin e kuadrove cilësore, rritja e eksperiencës do i shtynin shumë kompani shqiptare të ecin me hapa më të mëdha rreth rezultateve akoma më pozitive.
KOHA: A ka Maqedonia klimë pozitive për të bërë biznes, në shitjen me shumicë dhe me pakicë të produkteve elektronike, televizorë, celularë dhe pajisje të tjera, të teknikës së bardhë, frigoriferët, lavatriçet, etj?
PAPRANIKU: Po të krahasojmë tregun maqedonas me atë kosovar dhe tregun e Shqipërise, Maqedonia është jashtëzakonisht shumë më e avancuar në njohjen e teknologjisë. Dhe pse vjen kjo? Sepse, në Ish Jugosllavi ne kemi patur njohuri mbi brendet që sot janë trendi, si Philips, Sony, etj, se realisht i kemi pa, i kemi prekur, meqë kanë qenë pjesë e tregut tonë, për dallim nga Shqipëria e ndonjë tjetër. Kjo na ka avancuar që ne të shesim mall më eksluziv, me çmim të volitshëm për ne.
KOHA: Cilat janë risitë që priten të ndodhin në biznesin e juaj?
PAPRANIKU: Në biznesin tonë kemi investuar dhe akoma po vazhdojm të investojmë. Jemi të suksesshëm dhe dallohemi shumë nga konkurrenca, pikërisht nga risitë që çdo vit i sjellim në treg. Vjet, për herë të parë bëmë prezantimin në tregune e Maqedonis të kartës për lojalitet “ Happy card”, që është prodhim unik. Sot që flasim “happy card” ka 143.000 parapagues, ku konsumatori fiton shumë benificione përmes këtij projekti. Jo vetëm që është një kartë e thjeshtë lojaliteti, por ofron edhe një produkt shumë unik që është financim me këste, që ka dhënë një vlerë dhe benificion të madh të konsumatorëve tanë. Ne për vitin 2017 – 2018 jemi në fazë të testimit të shumë produkteve dhe shërbimeve të reja, ku do të ofrojmë një pako shumë të madhe të shërbimeve brenda në kompani, që do të jetë një risi jashtëzakonisht e madhe për tregun etj. Per momentin kemi 23 dyqane në Maqedoni dhe në vitin 2017 planifikojmë të hapim dhe 2 të tjera, pra do e mbyllim ekspansionin për vitin 2017 me 25 dyqane në total.
KOHA: Produktet që shiten në NEPTUN, janë të gjitha produkte të importuara, apo..?
PAPRANIKU: Gjithçka që shihni brenda në shitoret e NEPTUNIT janë 93 për qind import dhe vetëm 7 për qind “in house”, që blihen lokalisht nga kompani distributorësh.
KOHA: Cila është lloji më i shitur në NEPTUN?
PAPRANIKU: Nuk mund t’i gjeneralizoj, por ka disa kategori që janë pjesë e shitjes totale. Neve pajisjet i ndajmë në të zeza dhe të bardha. Të zeza i quajmë, pjesën elektronike: televizorë, IT, telefonë, audio produkt dhe të bardha: lavatriçe, frigorifer, pra teknika e bardhë. Nëse e shohim “teknikën e zezë”, aty dominojnë dy brendet, më të mëdhaja në botë, LG dhe Samsung, ndërsa nëse i shohim të bardhat, është Arçelik Beko, pjesa dominante e shitjeve tona.
KOHA: Maqedonia, Kosova, Shqipëria u kanë ofruar mundësi për zgjerimin dhe realizimin e ndonjë projekti investitor?
PAPRANIKU: Po mendojmë dhe po e shohim shumë afër Serbinë si treg, ku besoj që nga 2018 do e rihapim përsëri zyrën në Beograd, ku edhe kemi pasur më parë. Por, para dy vtesh kemi vendosur që ta mbyllim atë zyër, por nuk do të thotë që nuk qëndron akoma ai plan për të zgjeruar biznesin tonë. Nuk është vetëm fokusi personalisht i imi, i shitjeve të pajisjeve elektronike, por kam ide për të zhvilluar disa projekte të mëdha në Shkup, Tetovë, Prishtinë, ku besoj që do të jenë një nga investimet kapitale më të mëdhaja në këto qytete. Për detaje do flasim pak më vonë në 2017.
KOHA: S’ka zhvillim ekonomik pa pavarësi të biznesit?
PAPRANIKU: E vërtet është dhe nëse kjo nuk bëhet realitet në çdo kompani private, do jetë e vështirë ekzistenca e çdo biznesi privat.
KOHA: Cilët janë rekomandimet e juaja për studentët dhe për të rinjtë që duan të nisin një biznes?
PAPRANIKU: Eksperienca është shumë e rëndësishme, jashtëzakonisht shumë. Unë e kam vajzën 13 vjeçare ku e inkuadroj thjeshtë të palojë letra, të arkivojë, që të dijë ç’është puna dhe si ta bëjë punën.
KOHA: Franshizimi është një metodë e biznesit, e bërjes më mirë se sa nisja e një biznesi të ri, që nga fillimi?
PAPRANIKU: Ky lloj koncepti i biznesit varet dhe nga lloji i industrisë. Ne si grup kemi një eksperiencë pozitive dhe është pikërisht koncepti JUMBO, që kemi përfaqësinë në Kosovë dhe në Shqipëri dhe po funksionon jashtëzakonisht mirë. Koncepti franshizimi është e mirë nëse ky koncept të ofron strukturë, kapacitete, ‘now how’ dhe fitim. Nëse këto lloj koncepte të japin një vlerë që ti nesër mund ta implementosh në kompani tjera, atëherë them që duhet provuar. Por, për mua personalisht është më mirë të kesh biznesin tënd, sepse franshiza ka shpenzime dhe procedura të tjera. Por, gjithsesi të jep mësim mbi konceptin e biznesit.
KOHA: Pas suksesit, a fshihet familja e juaj?
PAPRANIKU: Pjesa më e madhe e suksesit tim është familja ime. Nuk është e lehtë të jesh bashkëshortja e Arsimit. Jeta bashkë me dy gocat e mija, Hana dhe Klea, më kanë dhënë përkrahje maksimale deri tani. Unë jam një person – biznesmen që lëviz dita ditës, dhe bashkëshortja ime është ajo që më kupton, më jep dorë dhe besoj që në të ardhmen do vazhdojmë me ritmin e njëjtë.
KOHA: Do të dëshironit t’ia trashëgonit rolin tuaj në biznes ndonjë anëtari të familjes?
PAPRANIKU: Pa dyshim që po. Unë i kam fëmijët e vegjël. Kam dy vajza, Hana është 14 vjeçare, Klea është 11 vjeçare. Akoma është herët ta them se nëse kanë potencial për të punuar në fushën e biznesit ku operoj. Por, nuk e kam me domosdo që t’i imponoj që të qëndrojnë në biznesin që udhëheq. Por, gjithsesi ka një të ardhme të panjohur, pra nuk i dihet jetës…Vajzat, sipas asaj që shoh, janë të dhëna më shumë në sferën e artit, për dizajn, modë, vizatim – arkitekturë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.