Nuk kanë kaluar as tre muaj nga botimi i romanit “Funerali i pafundmë” i shkrimtarit të mirënjohur Visar Zhiti në gjuhën italishte, nga shtëpia botuese, edhe kjo e mirënjohur, Rubbettino. Në Itali botohen çdo muaj dhjetra libra në origjinal apo të përkthyera nga autorë të ndryshëm të huaj. Zgjedhja e tyre ka kriteret e veta cilësore apo tregëtare. Vepra e Visar Zhitit hyn pa mëdyshje në kriterin e parë. Fakti që gjen jehonë në median italiane, në faqet e dy gazetave të mëdha kombëtare, asaj kryesores së ipeshkvijve të Italisë, “Avvenire” dhe asaj të Milanos, “Il giornale”, nëpërmjet shkrimesh cilësore kritike, është mjaft inkurajues për suksesin e veprës në publikun italian.
Po kush janë autorët e shkrimeve më të fundmëë Janë gazetarë e shkrimtarë të shquar në jetën kulturore të Italisë. Poeti Davide Brullo është autor i 25 vëllimeve me tematika të ndryshme e të larmishme, poezi, shkrime kritike, shkrime të historisë së krishterimit e të përfaqësuesve të tij të shquar që nga Shën Agostini tek Shën Françesku, libra mbi poetët e revolucionit rus apo Kafkën e mjaft të tjera. është një veprimtari për t’u respektuar, sidomos po të mbahet parasysh fakti se ende nuk ka mbushur dyzet vjeç, është i datëlindjes 1979.
Shkrimi i mëposhtmë u botua në fletën letrare “Album” të gazetës që ka për botues vëllanë e Silvio Berluskonit, “Il giornale”. N’atë shkrim vlerësohet lart vepra “Funerali i pafundmë”, një krijim që na kujton botën e Dostojevskit e në të cilin “ylli i lirikës shqiptare”, simbas autorit, pohon vdekjen e “mendimit të njësuar” të asaj bote, më se 70 – vjeçare, në të cilën popuj të tërë, mes të cilëve edhe bashkatdhetarët e autorit të librit, e gjetën veten në një vargan të pafund mjerimi dhe krimi shtetëror të pandëshkuar. Por për kritikun Brullo ideja përgjithësuese e romanit i kalon shumë kufijtë e kohës dhe të Vendit në të cilin përfytyrohet zhvillimi i subjektit, duke marrë përmasa universale që vërehen në të gjitha diktaturat e ndryshme të historisë së njerëzimit. “Leximi është një zbritje në mitrën e llahtarëshme të shekullit, ku gjithshka është e vdekur, duke vdekur, që do të vdesë…” Kjo është tablloja që përfton kritiku nga leximi i veprës e cila për të është “një roman në vargje i jashtzakonshëm”.
Alessandro Zaccuri, i lindur në La Spezia më 1963, është shkrimtar, gazetar dhe bloger italian. Ka studjuar dhe është diplomuar për letërsi klasike (me një tezë mbi filologjinë mesjetare dhe humaniste) në Universitetin Katolik të Milanos. Emri i këtij universiteti, me një dhimbje të fortë në zemër më sjell ndërmënd emrin e një djaloshi të shkëlqyer, Atjon Zhiti, që studionte aty e që na ka lënë një libër me ese e një album me piktura, të vlerësuara dhe ato në Europë…
E kujtoj se kopertina e romanit “Funerali i pafundmë” në botimin italian është vepër e tij.
Kritiku tjetër, Alessandro Zaccuri bashkëpunon me gazetën “Avvenire” dhe periodikët “I huaji” dhe “Leximet”. është autor romanesh, esesh të kritikës letrare, pregatitës për shtyp të veprave të shkrimtarëve si Elio Fiore, Camillo Sbarbaro, Ray Bradbury, André Malraux. është autor i dhjetë vëllimeve, mes të cilëve katër romane, dhe fitues i disa çmimeve letrare si Biella, Frignano, Basilicata, Mondello, Comisso dhe finalist i çmimit Campiello.
Duke vënë theksin shkurtimisht mbi disa nga vlerat më të spikatura të romanit, mendoj se shkrimi i Zaccurit është një dhuratë e bukur në këtë fillim viti, jo vetëm për autorin e veprës, por dhe për të gjithë lexuesit, italianë dhe shqiptarë që me të drejtë krenohen me emrin e Visar Zhitit, i cili, simbas tij, është “… njëri nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë së re shqiptare, Zhiti është i njohur dhe i vlerësuar në Vendin tonë”. Botuesi i veprës në kapakun e mbramë të librit shkon edhe më tutje në vlerësimin e shkrimtarit tonë të madh. Ja çfarë thuhet aty : “…. Përveç se i ka dhënë një ndihmesë tepër të lartë e origjinale panoramës letrare ballkanike, tregimet e tij, romanet e tij ashtu si dhe esetë e tij kanë fuqizuar lirinë intelektuale dhe jetën demokratike të Shqipërisë…”
Pa dashur të hyj në hollësitë e shfaqjeve të një qëndrimi të turpshëm të ish Kryetarit të Shtetit, por edhe të ndonjë media në nivelin e “keqshkruesve” të internetit në Shqipëri, të cilët me disa veprime të tyre në vitet e fundit, kanë shkaktuar shqetësime të tepërta, banale, të këqia, të pamerituara për të gjithë ne dhe në veçanti për shkrimtarin më të shquar të pas komunizmit shqiptar, prandaj këto shkrime i shoh dhe si vazhdim i një kundërveprimi shumë të fortë nga shumica e shëndoshë e opinionit publik, vendas dhe të huaj, por që përbëjnë dhe një kënaqësi estetike, tejet të merituar, jo vetëm për Visarin, por për të gjithë shqiptarët e ndershëm e dashamirë të kulturës, veçanërisht për ata që kanë jetuar së bashku me të në galeritë e mallkuara të Spaçit.