Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski dhe Drejtori i Burimeve Energjitike të Maqedonisë (BEM) Bajram Rexhepi sot inspektuan ndërtimin e gazsjellësit kryesor nga Shtipi në Negotinë.
Ai ka gjatësinë prej 36 kilometrash dhe investimi është 15, 8 milionë euro.
“Ky seksion i rrjetit të gazsjellësit është tashmë në fazën përfundimtare, siç kam informacione, ndërtimi do të përfundojë për një kohë të shkurtër dhe do të vihet në veprim menjëherë. Kjo nënkupton përfitime të mëdha për të gjithë qytetarët dhe kompanitë në këtë rajon. Dëshiroj të theksoj se ndërtimi i gazsjellësit në të gjithë Maqedoninë filloi të zhvillohet me dinamikë të përshpejtuar. Pothuajse të gjitha problemet janë tejkaluar dhe nëse zgjidhim shpronësimet këtë vit, duke filluar nga viti i ardhshëm, ndërtimi në terren do të ndodhë me ritme të përshpejtuara”, tha Sugareski.
Gazifikimi, tha ai, është prioritet i lartë i Qeverisë dhe prandaj të gjitha burimet duhet të përdoren për të përfunduar ndërtimin sa më parë, dhe të gjithë qytetarët dhe kompanitë do të ndjejnë përfitimet e gazit. Për qytetarët, kjo do të nënkuptojë energji më të lirë dhe kursime në buxhetet e tyre, pasi gazi zvogëlon koston e energjisë elektrike.
Për kompanitë, futja e gazit do të nënkuptojë kosto më të ulët dhe produkte më konkurruese.
“Gjithashtu, në një kohë kur ne po fillojmë një luftë të fortë kundër ndotjes së ajrit, ndërtimi i gazsjellësit dhe përdorimi i tij do të kontribuojë në një reduktim të ndjeshëm të ndotjes në zonat urbane”. tha ministri.
“Për vitin e ardhshëm, buxheti i Ministrisë së Transportit parashikon 1 miliard dhe 557 milionë denarë për këtë projekt. Gjithashtu dua të informoj se në seancën e parafundit të Qeverisë, Ministrisë së Ekonomisë iu dha detyrë që të krijojë një grup pune që do të vendosë për modelin më efikas për zhvillimin e sistemeve të shpërndarjes së gazit natyror në Maqedoni. Është shumë e rëndësishme që në këtë proces edhe komunat të përshpejtojnë punën e tyre në mënyrë që të jenë në gjendje të ndërtojnë rrjetin komunal dhe gazin ta sjellim sa më shpejt në shtëpitë dhe kompanitë”, shtoi Sugareski.
Drejtori i BEM-së, Bajram Rexhepi, njoftoi se paralelisht punohet edhe në lidhjen e tubacionit kryesor të gazit nga Negotina nëpër Kavadar, Prilep e deri në Manastir me gjatësi prej 92 kilometrash.
Siç theksoi ai është realizuar rreth 40 për qind e punëve ndërtimore dhe vlera e investimit është 36,4 milionë euro.
Rexhepi gjithashtu informoi se punohet intensivisht edhe në sesionin e gazifikimit nga Tetova në Gostivar, investim ky me vlerë prej 29 milionë eurosh dhe aty janë realizuar rreth 35 për qind e punimeve.