Një vajzë ambicioze, një bashkëshorte, një nënë e tre vajzave dhe një sfiduese e jetës, një biznesmene që nuk di të ndalet është pikërisht Suela Brahimllari, e cila vjen në një rrëfim të saj të jetës për InfraRed të gazetës KOHA duke folur kështu mbi jetën, sfidat që ka kaluar, sukseset e saj që vijnë çdo ditë e shumë gjëra të tjera. Nëse dëshironi të motivoheni për jetë dhe punë, duhet doemos të lexoni intervistën e saj!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Je angazhuar në biznes që në moshë të re, baticat dhe zbaticat që ke pasur gjatë gjithë kësaj kohe?
Jam angazhuar pas mbarimit të fakultetit në moshën 28 vjeçare, kam pasur momente të vështira por ja kam dalë me sukses, gjithmonë pas shiut del dielli dhe madje një ylber i bukur.
KOHA: Ke një angazhim mjaft të përgjegjshëm, a njeh suksesi yt limite?
Të gjitha limitet gjenden në mendjen tonë.. unë kam disa qëllime dhe objektiva të cilat i shënoj në një ditarë, në momentin që më plotësohen gjej një qëllim tjetër, pra kam vendosur të mos ndalem kurrë.
KOHA: Po na thuaj peripecitë që po mban mbi supe?
Të gjitha peripecitë i kam kaluar tashmë, vetëm gjëra të vogla që janë të zgjidhshme kollaj. Zoti nuk të sjellë kurrë peripeci pa të dhënë edhe zgjidhjen.
KOHA: Ndien nervozë në punë krahas përgjegjësisë që e përjeton në punë?
Po ndihem plot herë. Duke qenë se jam mësuar që çdo gjë të kem perfekte dhe nën kontrollë, kur më del ndonjë gjë e papritur në biznes ndihem pak nervoze por marrë frymë thellë, i them vetes qetësohu dhe kur jam e qetë i jap zgjidhje.
KOHA: Ke pasur ndonjë situate të pakëndshme dhe a ja vlen të merresh me biznes?
Biznesi ka ulje ngritjet e veta, e rëndësishme është të ecësh përpara, sigurisht që ja vlen të merresh me biznes e sidomos nëse e ke me pasion, por duhet patur parasysh që të update me të rejat e fundit, duhet të qëndrosh e informuar dhe të trajnohesh vazhdimisht bashkë me stafin.
KOHA: Po kur punët nuk ecin si duhet që ne e njohim si “dështim”, a ka vend për dëshpërim?
Në një seminar me Mimoza Thaçin dhe Behgjet Pacollin kam dëgjuar një fjali që më ngeli në mendje ‘në biznes nuk ka dështim ka vetëm përsëritje. Ato “dështime” apo vështirësi mua personalisht më bëjnë më të fortë.
KOHA: Krahas gjithë këtij suksesi ju njiheni edhe si humane, do vazhdoni edhe më tej në këtë drejtim?
Unë kam një shprehje që u them të tjerëve. Pasioni im më i madh është kur ndihmoj të tjerët, humanizmi e kam në vena, në gjak. Unë nuk sforcohem për ta bërë, më vjen natyrshëm dhe kur kam mundësi e bëj. Njeriu ndjehet më mirë kur jep. Shumicën e gjërave i bëj në heshtje për shpirtin tim.
KOHA: Njeh dështim Suela?
Kam lindur për të qenë kampione, kam lindur për të fituar. Ajo fjalë nuk ekziston në fjalorin tim. Është zëvendësuar me fjalën sukses. Çdo njeri prej nesh duhet ta bëj me jetën e tij, njeriu është një qenie kaq e bukur dhe Zoti na ka sjellë në jetë vetëm për të fituar, duhet ta përdorim mendjen tonë vetëm për t’i sjellë suksese vetes, për ta dashur veten dhe të tjerët, për të respektuar çdo sekondë dhe për të qenë mirënjohës.
KOHA: Je shumë e njohur në mesin e shqiptarëve për gjithë sfidat që ke kaluar në jetë, për forcën dhe kurajon që ju ke dhënë njerëzve?
Faleminderit. Po secili prej nesh duhet ta ketë atë forcë, duhet të ketë kurajo.. unë punoj me fëmijët kryesisht dhe para se të fillojmë kursin, aktivitetin ne bëjmë ushtrime për vetëbesimin dhe kurajon, unë e bëj me qejf, e kam bërë që e vogël, nuk kam dëshirë të ankohem edhe pse ndonjëherë harroj dhe e bëj, por kurajon e gjen, sa të hapësh sytë, ke një familje që je mirënjohëse, ke një punë, ke gjithçka çfarë ke dashur, e pse duhet të mërzitesh? Kështu që forca kurajo, sa më shumë energji pozitive, sepse nëse e ndryshojmë këtë gjendje edhe Shqipëria ka për të qenë më mirë.
KOHA: I ke rënë pishman deri më sot që merresh me këtë biznes?
Jo jo. Sepse kënaqem shumë. Fëmijët kur veshin fustanet që ne stilojmë në atelier kënaqen, gëzojnë, ato mesazhet e shumta që më vijnë në formë falënderimi më bëjnë zemrën mal, s’kam pasur kurrë arsye për të qenë pishman. Madje s’do ndalem derisa të plotësojë objektivat e mia ndërkombëtare.
KOHA: E keni problem dakordimin me klient dhe na e përshkruaj si shkon gjithë procedura?
Jam përgjithësisht njeri i qetë, nuk mërzitem kurrë, e kam të lehtë këtë pjesë madje. Kam dy lloj klientësh ata që blejnë online dhe më shkruajnë në të gjitha faqet ose në numrat e mi që janë të shumtë dhe nga e gjithë bota si dhe klientët që vijë në atelier ose dyqan. Ata që blejnë online e bëjnë porosi në inbox, në chat, ka raste më japin masat, ka raste i bëj me masa standarde dhe i dërgoj me postë por të betohem që kam gati 7 vjet që gjithmonë në inboxin tim ka një mesazh: uou ishte më e bukur live. Dhe janë klientët që vijnë në dyqan të cilëve u marr masat, ka raste ma lënë në dorë mua, ka raste e stilojmë bashkë me klientin.
KOHA: Kur e ke ndërmend të ndalesh, të thuash nuk vazhdoj më tej?
Njeriu po u ndal vdes. S’kam ndërmend të ndalem, edhe kur dukem sikur kam ndaluar jam duke u përgatitur për të hapur një biznes të ri.
KOHA: Si është një ditë e jotja jashtë angazhimeve, një 24 orësh?
Zgjohem në mëngjes herët dhe përgatis 3 vajzat e mia për në shkollë. Me pas meditoj 20 minuta, dhe e filloj ditën “full of energy”, bëj një listë se çfarë do të bëj sot, ha mëngjesin, nuk dal asnjëherë pa ngrënë, ha një frut dhe dal.. rrugës për në punë filloj numëroj me vete gjërat për të cilat jam mirënjohëse, për të gjitha, madje edhe për pastruesen e pallatit, hap dyqanin dhe filloj përgatis punët që duhet të dorëzoj më shpejtë, i lë stafit punën dhe shkoj në dyqanin tjetër, kur kam lënë takime me klientët, jam gjatë gjithë kohës në takime ose edhe punë intensive, sepse unë punoj edhe vet, nuk jam vetëm urdhra, tani që kam hapur edhe një biznes të dytë agjencinë e modelingut që po ecën edhe ajo shumë mirë, merrem edhe me fëmijët të cilët bëjnë kurse, prova apo shfaqje. Më pas në drekë shkoj në shtëpi gjithmonë, e ha ushqimin në shtëpi sepse jam e fiksuar që ushqimet të jenë bio, ushqime shtëpie. Më pas shkoj prapë në punë dhe në mbasdite kur vajzat vijnë në shtëpi unë merrem me to, bëjmë detyrat, luajmë ka raste kërcejmë, bëjmë lojëra, lexojmë përralla, vjen darka dhe ky është momenti im i preferuar i ditës, lexoj, lexoj derisa më zë gjumi. Unë kam shumë vite që nuk fle kurrë pa lexuar. Lexoj kryesisht për fushën e modës dhe libra motivues.
KOHA: Do vazhdosh njëjtë me këtë ritëm, cilat janë planet?
Kam plane të tjera.. dua të rris pak ritmet që të kap sa më shpejtë tregun botërorë sepse dua që marka ime Bel Eve të njihet globalisht. Kam ndërmend të nxjerr 2 koleksione të reja, dua të iki në Milano ose Firence për të vazhduar një shkollë mode më e mira në Itali, dua të mësoj të perfeksionohem që kur të jem e njohur nderkombëtarisht të jem e kompletuar. Kam një listë të gjatë me plane, do t’i realizoj.