Është përtej parashikimeve ecuria fantastike e kombëtares suedeze në këtë botëror. Nordikët kanë treguar një shpirt të lartë gare dhe solidaritet absolut brenda grupit. Shumëkush mendonte se lënia jashtë grupit e një bomberi si Zlatan Ibrahimoviç do të peshonte së tepërmi në radhët e skuadrës. Në fakt deri më tani zgjedhja e Jane Anderson ka rezultuar një vendim në mos ndoshta i drejtë, por që nuk ka dhënë aspak efekt negativ. Suedia fare mirë mund të konsiderohet dhe si “vrasësja” e ekipeve të mëdha. Gjithçka nisi që në fazën e kualifikueseve të botërorit “Rusi 2018”. Holanda ishte “viktima” e tyre e parë, edhe pse në sfidën ndaj tulipanëve u mposhtën 2-0, pikët e grumbulluara bën që ata të mbeteshin jashtë botërorit dhe Suedia të zinte një vend në fazën Play-off. Vrasja e radhës erdhi ndaj katër herë kampionëve të botës, Italisë. Për ironi të fatit “të kaltrit” kishin mbetur dy herë jashtë botërorit. I pari ishte në atë të 1958-ës që zhvillohej në Suedi, ndërsa këtë herë ishin pikërisht nordikët që lanë jashtë Italinë. Në fazën e grupeve të këtij botërori, skuadra e teknikut Anderson e nisi mirë aventurën e saj, teksa arriti një fitore minimale ndaj Koresë së Jugut, ndërsa më pas erdhi humbja në sekondat e fundit të sfidës përballë Gjermanisë, një humbje ndoshta e pamerituar. Kur gjithçka dukej se po i vinte fundi erdhi dhe surpriza e madhe. Një fitore e thellë 3-0 kundër Meksikës, një asist nga ana e “pancerave” me humbjen befasuese kundër Koresë së Jugut dhe vendi i parë në grupin F shkoi pikërisht për ta. Suksesi përballë Zvicrës dhe kualifikimi për në çerekfinale, një sukses i jashtëzakonshëm për ta sepse një kualifikim i tillë i mungonte që prej vitit të largët 1994. Verdheblutë kanë një tjetër pengesë për të kaluar, një skuadër të madhe, Anglinë. A do të jenë “tre luanët” viktima e radhës?