Pas 6 vjetësh jetese si i arratisur në Suedi, Xhabir Zharku lirshëm mund të kthehet në Kosovë. Vendimi nga Gjykata është marrë më 11 maj dhe që nga kjo datë, ish-kryetari i Kaçanikut mund të kthehet në Kosovë.
Gjykata e Ferizajt, dega e Kaçanikut, e ka nxjerrë vendimin bazuar në dispozitat e Kodit Penal të Kosovës. Zharku ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale detyrim dhe armëmbajtje pa leje, kurse qysh nga arratisja e tij ka jetuar në Suedi e në disa raste ka marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës.
Ky shtet kishte njoftuar autoritetet kosovare se nuk mund ta ekzekutojë dënimin në Suedi, sepse s’ka marrëveshje ndërshtetërore. Njëjtë sikur Zharku, vite më parë, në Kosovë u kthye edhe Leme Xhema, ish-drejtoreshë e PTK-së, sepse asaj i ishte parashkruar dënimi me burgim për keqpërdorim detyre.