Aktivisti suedez me prejardhje hebreje, Benjamin Ladraa, me qëllim të reagimit ndaj persekutimit të ushtruar nga Izraeli ndaj Palestinës, ka nisur një marshim nga Suedia për në Palestinë dhe në fund të 7 muajve të rrugëtimit ka arritur në Stamboll. Ladraa më 15 gusht të vitit 2017 është nisur nga qyteti Göteborg i Suedisë dhe pas Gjermanisë, Austrisë, Sllovenisë, Kroacisë e Greqisë, tani ka arritur në Turqi. Ai në shtetet prej nga kalon gjatë gjithë rrugës tregon për kauzën e Palestinës, merr pjesë në programe të organizuara në disa shtete dhe nëpërmjet rrjeteve sociale njofton ndjekësit e tij për informacionet rreth rrugëtimit.
Aktivisti i cili ka hyrë në qarkun Silivri të Stambollit, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) thotë se ai ka dalë në një rrugëtim të vështirë me iniciativën e vet. Duke u shprehur se ka një mesazh të qartë dhe se ka filluar që të ecë nga Suedia për të tërhequr vëmendjen e botës në kauzën Palestineze, Ladraa bën të ditur se për 7 muaj ka arritur në Stamboll. Ai po ashtu bën të ditur se është dorëhequr nga puna e tij në Kryqin e Kuq, për të treguar këtë kauzë dhe se ka marrë parasysh rrugëtimin për më shumë se 4 mijë e 800 kilometra.
“Një udhëtim i vështirë, mund të ballafaqohesh me probleme si ato të sigurisë. Në rrugëtimin në Turqi, mua më shoqërojnë edhe dy miq palestinezë. Pranë e mbaj një flamur të madh të Palestinës. Po bëhen kurioz dhe po më pyesin. Kur iu tregoj, ndonjëherë marr reagime të mira, e ndonjëherë edhe negative”. Ladraa thotë se nga Stambolli do të ecë në Ankara dhe se më pas do të kalojë në Republikën Turke të Qipros Veriore, prej nga synon që me anije të arrijë në Portën Haifa të Izraelit. Ai shpreh dëshirën që rrugëtimin e nisur nga Suedia të përfundojë për një vit.
Benjamin Ladraa thotë se gjatë këtij rrugëtimi ku është nisur për të tërhequr vëmendjen edhe një herë te kauza palestineze, në çdo vend ku ndalet për pauzë informon njerëzit për këtë çështje. “Në këtë rrugëtim kam dalë për të tërhequr vëmendjen te pushtimi i Palestinës nga ushtria izraelite, persekutimi të cilit i nënshtrohen palestinezët, si dhe te shkeljet e të drejtave të njeriut. Izraeli, ka shndërruar Gazën në burg të hapur. Ka vendosur mur prej betoni në kufi. Mijëra persona po jetojnë në kushte të vështira nëpër kufij. Po i pengojnë ndihmat humanitare të cilat dërgohen në Gaza”.
Ai thotë se përpjekjet individuale janë shumë të rëndësishme në zgjidhjen e kauzës së Palestinës. “Nuk kemi kohë për të pritur për vendimet e politikanëve. Rrugëtimi im kryhet me sukses apo jo, unë kam dalë në rrugë për të tërhequr vëmendjen në kauzën palestineze, për të treguar reagimin tim kundër Izraelit. Çdo hap që ndërmerret është i rëndësishëm. Gjithkush në botë ka të drejtën e jetesës dhe të lëvizjes së lirë. Gjithkush dëshiron që të jetojë në një botë më paqësore dhe më të mirë, edhe populli i Palestinës ka këto të drejta si të gjithë. Ne duhet të përçojmë këtë mesazh”, thotë ai.