Invazioni i portaleve, orientimi i reklamave të bizneseve drejt internetit në Google, Facebook, Apple dhe Tuiter nga njëra anë si dhe rritjen enorme të shpenzimeve për letrën e shtypit dhe rritjen e shpenzimeve për distribuimin e gazetave nga ana tjetër, ishin ndër arsyet kryesore se pse mediat e shkruara kanë kërkuar nga Qeveria për subvencionimin prej 50 për qind të shtypit dhe distribumit
Fatos RUSHITI
Shkup, 8 qershor – Mediat e shkruara në Maqedoni, si ato maqedonase ashtu dhe ato shqipe, janë në gjendjen e tyre më të keqe, duke shtruar dilemën nëse duhet të mbyllen pjesa më e madhe e tyre apo të sigurohet mbijetesa e tyre përmes subvencionimin të shtypit dhe distribuimit nga an e Qeverisë. Ky ishte boshti kryesor i diskutimit të premten gjatë debatit “drejt politikave publike për subvencionimin e mediave”, organizuar nga organizatat joqeveritare “Civila Mobitas” dhe Qendra për Zhvillimin e Mediave.
Siç u cek nga pjesëmarrësit e debatit, invazioni i portaleve nga njëra anë dhe nga ana tjetër orientimi i reklamave të bizneseve drejt internetit në Google, Facebook, Apple dhe Tuiter, ka zvogëluar në masë të madhe te hyrat nga reklamat në mediat e shkruara saqë ka ndikuar në uljen e numrit të punëtorëve, por dhe mbylljen e disa gazetave ditore kohë më parë. Drejtori i gazetës KOHA, Lirim Dullovi, njëherësh dhe kryetar i Asociacionit për Mbrojtjen e Mediave të Shkruara në Maqedoni, përmendi rritjen enorme të shpenzimeve për letrën e shtypit dhe rritjen e shpenzimeve për distribuimin e mediave të shkruara, ndër arsyet kryesore pse kanë kërkuar nga Qeveria për subvencionimin prej 50 për qind të shtypit dhe distribuimit.
“Përveç ikjes së reklamave drejt internetit, prej janarit e këndej kemi rritjen e shpenzimeve për letrën prej 18 për qind, ndërsa pritet të rritet deri në 30 për qind muajve të ardhshëm. Plus kemi edhe rritjen e çmimit të naftës që lidhet direkt me rritjen e shpenzimeve për distrubuim, kjo ka bërë që ne të arrimë në përfundim se duhet gjetur një zgjidhje për gjendje e keqe të mediave të shkruara. Si organizatë, kemi bërë kërkesë drejt Qeverisë për të na ndihmuar në mbulimin harxhimeve për shtyp rreth 50 për qind, dhe po aq për mbulimin e harxhimeve për distribuim”, tha Dullovi. Ai u shpreh nga Qeveria kanë gjetur mirëkuptim, por duhet diskutuar modelin më të duhur të financimit.
“Ajo që duhet të shtrojmë para juve është mënyra e rregullimit ligjor, të kemi Ligj të veçantë për subvencionimin e mediave apo kjo të bëhet përmes ndryshimeve të Ligjit aktual për media”, tha Dullovi. Kur jemi tek mediat shqipe, ai përmendi se është kërkuar që mediat shqipe dhe ato të pakicës të ndihmohen me plus 20 për qind, për faktin se siç tha Dullovi, kështu kanë rekomanduar në vijimësi shumë organizma ndërkombëtarë, si raporti i Pribes, Rekomandimet e UNESKO-s të vitit 2012, rekomandimet e OSBE-së gjatë Konferencës në Strugë të vitit 2014, rekomandimet e Komisionit Evropian të vitit 2917.
Ai bëri të ditur se kanë kërkuar po ashtu nga Qeveria në ndërmarrjet publike ku ajo është aksionare, si në Telekom dhe ndërmarrjet e tjera, 10 për qind e reklamave në mënyrë obliguese të shkojnë për shtypin e shkruar. Kjo, siç tha ai, do të krijonte stabilitet më afatgjatë të mediave të shkruara. Biljana Mlladenva nga javorja Fokus shtroi problemin e funksionimit të portaleve që krijojnë opinion dhe marrin reklama të privatëve pa u regjistruar dhe pa u rregulluar me Ligj. “Së pari, gjithë këto portale të regjistrohen dhe më pas të rregullohen me Ligj, dhe të definohen cilat prej tyre informojnë për ngjarje ditore dhe kanë në plan interesin publik dhe çfarë mund të përfitojnë dhe si nga bizneset. Shumica e portaleve që japin lajme në vendet e BE-së janë të rregulluara me Ligj, e njëjta duhet të ndodh edhe tek ne”, tha Mlladenova.
Ndërkaq Zoran Dimitrov po nga javorja Fokus tha se shumica e vendeve perëndimore e subvencionojnë shtypin e shkruar dhe siç tha ai, ka pasur efekt pozitiv. “Në SHBA, ende libri i shkruar është në rend të parë edhe përkundër digjitalizimit të shumicës së librave, që do të thotë se leximi mbetet përsëri në plan të parë. Edhe tek gazetat interesi është në rend të parë publik, dhe kjo është parë drejt nga shumë vende si Franca, Suedia dhe Gjermania dhe kanë pasur efekt pozitiv në subvencionimin e shtypit të shkruar. Kur jemi tek kriteret, duhet dhënë përparësi gazetarisë hulumtuese, aspektit profesional të shkrimit dhe informimit objektiv”, tha Dimitrov. (koha.mk)