Disa nga problemet kryesore që paraqiten si pengesa që bujqit të fitojnë subvencionet janë kërkesat jo të plota apo me fjalë të tjera bujqit duhet të kenë kujdes që gjatë parashtrimit të kërkesave për subvencione që çdo gjë ata kultivojnë që të theksohet edhe në aplikacion
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 dhjetor – Dokumentacionet e pakompletuara të prodhuesve bujqësorë paraqesin problemin për fitimin e rregullt dhe me kohë të subvencioneve si për një pjesë të fermerëve ashtu edhe për agjencinë pagesore.
Nga ky dikaster apelojnë ndaj bujqve që të bëjnë kujdes ndaj plotësimit të dokumentacionit që kërkohet për fitimin e subvencioneve me qëllim që të evitohen të gjitha mosmarrëveshjet dhe problemet, dhe në favor të asaj që të gjithë fermerët që i plotësojnë kushtet e kërkuara në shpalljet për masat e ndryshme të mbështetjes së bujqësisë dhe zhvillimit rural edhe të fitojnë të njëjtat.
“Disa nga problemet kryesore që paraqiten si pengesa që bujqit të fitojnë subvencionet janë kërkesat jo të plota apo me fjalë të tjera bujqit duhet të kenë kujdes që gjatë parashtrimit të kërkesave për subvencione që çdo gjë ata kultivojnë që të theksohet edhe në aplikacion. Nëse eventualisht gabojnë kanë afat prej 30 ditësh të plotësojnë kërkesën , ndërsa pas këtij afati nuk mund t’ju ndihmohet.”, thotë, për gazetën KOHA, drejtori i Agjencisë për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Nikollçe Babovski. Sipas tij , bujqit duhet të kenë më shumë kujdes dhe vëmendje që çdo ndryshim në numrin e kopeve si rrjedhojë e therjes se lopëve, dhenve etj apo zvogëlimit të numrit të bagëtisë për gjëra të ndryshme edhe të paraqesin si në Agjencinë Pagesore, ashtu edhe në Agjencinë e Veterinarisë dhe Ushqimit.
Një çështje tjetër që kërkon një përkujdesje të madhe gjatë aplikimit për subvencionet nga ana bujqve është edhe llogaria transaksionale që është jo aktive apo e gabuar, që në fund paraqitet si problem teknik që bujqit të fitojnë subvencionet e tyre thekson Babovski. Në ndërkohë nga Agjencia Pagesore kanë kumtuar se ditën e shtunë do të shpalljet thirrje e re për investime në përpunimin dhe marketing të prodhimeve bujqësore dhe të peshkut e vlefshme 13.3 milion euro nga programi IPARD 2. Masa ka të bëjë me investimet në fabrikat përpunuese të mishit, qumështit, prodhimeve të mishit përfshi vezët dhe pulat, pemë perimet, prodhimet e bukës dhe paroritë e bardha, prodhimet bimore etj.
Me këtë thirrje ju mundësohet kompanive dhe kooperativave bujqësore të investojnë në kapacitetet prodhuese, me ç’rast gjysma e investimit do të bashkëfinancohet nga mjetet e IPARD. Mjetet financiare me kërkesë individuale ndahen si mjete të pakthyeshme .Me këtë rast 75 për qind e mjeteve që do të ndahen janë siguruar nga IPARD 2014-2020, ndërsa 25 për qind janë nga arka e shtetit. Afati për këtë thirrje zgjat prej 28 dhjetorit deri më 11 shkurt. Pritet që këto mjete të modernizojnë kapacitetet ekzistuese dhe hapjen e fabrikave të reja të ushqimit, të rrisin prodhimtarinë vendore, si dhe të rrisin plasmanin e përpunimeve bujqësore që do të sjellë edhe rritje të eksportit.
Ndryshe, sivjet janë shfrytëzuar maksimalisht mjetet e programit IPARD në vlerë prej tetë miliardë denarë, me çka shteti nuk do të paguajë penale për mos shfrytëzimin e mjeteve evropiane.