SUBVENCIONET BUJQËSORE 2020. Blegtorët, përfituesit më të mëdhenj

Programi i ri për subvencionimin e bujqësisë parashikon ndarjen e mbi 70 milionë euro ndihmë financiare për bujqit. Prodhimi i duhanit do të mbështetet jashtë këtyre mjeteve. Blegtorët do të mbështeten me 24 milionë euro, ndërsa prodhimtaria bimore do të fitojë afër 16 milionë euro. Edhd sivjet nuk është harruar ndihma për ruajtjen e racave autoktone të kafshëve

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 23 janar – Në vitin 2020 vetëm për subvencionet e ndryshme edhe nga vitet e kaluara, do të ndahen 350 milionë denarë, ndërsa subvencionet kapitale për firmat dhe organizatat joqeveritare do të jenë të vlefshme 710 milionë denarë. Për fermerët e rinj që do të fillojnë me veprimtari bujqësore parashikohen 30 milionë denarë, apo pesë milion euro, 2 milionë denarë do të ndahen për mbështetjen e grave fermere. Njëherësh për investimet për modernizimin e ekonomive bujqësore do të ndahen 159 milionë denarë. Prej kësaj shume, 120 milionë denarë do të ndahen për blerjen e kafshëve, 22 milionë denarë do të ndahen për ngritjen e plantazheve të reja, afër 10 milion denarë për blerjen e traktorëve të ri. Me afër shtatë milion denarë do të mbështetet blerja e sistemeve për vaditje pikë për pikë, hapja e puseve etj. Gjithashtu 11 milionë denarë janë parashikuar për hapjen e fabrikave të reja të përpunimit të ushqimit. Një vëmendje më e madhe edhe sivjet do ti kushtohet vaditjes së tokave bujqësore. Në Programin e këtij viti parashikohen 360 milionë denarë mjete financiare për infrastrukturën e ujit, ndërsa me afër 10 milionë denarë do të riparohen rruga qasëse deri në tokat bujqësore.

Do të ndahen edhe 45 milionë denarë për veprimtarinë e bujqësisë në vendet që kanë mundësi të kufizuara për tu marrë me bujqësi.

Edh sivjet nuk është harruar ndihma për ruajtjen e racave autoktone të kafshëve siç është rasa e lopës busha, qeni i Sharrit, delet e Sharrit etj. që do të mbështeten me 6 milionë denarë. Nuk do të anashkalohet as mbështetja e prodhimtarisë në rritje e sipër dhe që se vjen e më shumë po kërkohet në tregjet perëndimore. Pra, prodhimtaria organike do të mbështetet me 60 milionë denarë. Nuk do të mungojë edhe sivjet përkrahja financiare për ruajtjen e vendeve rurale dhe karakteristikave rurale. Në kuadër të kësaj do të subvencionohet paga e barinjve me 100 për qind të vlerës së pagës mesatare në periudhën një nëntor 2019 deri më 31 tetor 2020 për stanet në lartësi mbidetare më të lartë se 700 metra. Për kultivuesit e bagëtive nën 700 metra, subvencionimi do të jetë 60 për qind e pagës mesatare. Ndihma përllogaritet për 150 dele, 50 dhi dhe 50 lopë, dhe paguhet më së shumti për 20 të punësuar .Harxhimet e pranueshme për këtë ndihmë nuk mund të jenë më të larta se 300 mijë denarë për një të punësuar. Për sigurimin e prodhimtarisë bujqësore parashikohet ndihmë në vlerë prej 70 milionë denarë, ndërsa shuma maksimale e përkrahjes për një ekonomi bujqësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 mijë denarë. Afatet e pagesave për llojet e ndryshme të subvencioneve fillojnë të rrjedhin prej muajit nëntor të vitit 2020 për pagesat e drejtpërdrejta për tokë të punuar bujqësore dhe për të gjithë prodhimtarinë bimore me përjashtim të duhanit. Deri në muajin prill të vitit 2021 duhet të paguhen subvencionet për kafshët dhe mishin, ndërsa deri në muajin qershor të vitit 2021 duhet të paguhen subvencionet e qumështit. Deri në muajin nëntor 2020 duhet të fitojnë subvencionet edhe ekonomitë e vogla bujqësore.

Për prodhimtarinë e duhanit në vitin 2020 do të ndahen një miliardë e 800 milionë denarë. Lartësia e subvencioneve për një kilogram duhan të dorëzuar dhe të papërpunuar në varësi prej cilësisë do të lëviz prej 60, 70 dhe 80 denarë. Për obligimet e mbetura financiare për shkak të specifikës së prodhimtarisë dhe subvencioneve të papaguara ndaj bujqve në periudhën 2012-2019, janë parashikuar afër 20 milionë euro. Ndryshe për kategori të caktuara të bujqve si dhe për ekonomitë e vogla bujqësore dhe për fermat e kafshëve parashikohen edhe subvencione shtesë. (koha.mk)