Në Maqedoni, shitja e veturave elektrike është shumë e vogël. Në bazë të dhënave, nga 1755 automjete të reja të shitura për gjashtë muajt e parë të këtij vitit, vetëm tre janë elektrike dhe 27 janë hibridë. Në këtë drejtim ka filluar të punojë edhe EVN Maqedoni me instalimin e karikuesve në disa komuna
Remzije BILALLI
Shkup, 29 gusht – Makinat elektrike ngadalë, por me hapa të sigurt, kanë filluar ti pushtojnë tregjet botërore. Industria e automobilave gjithnjë e më shumë po fokusohet në prodhimin e këtij lloji të automjeteve për shkak efikasitetit ekonomik dhe ekologjik që kanë.
Të dhënat nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tregojnë se numri i automjeteve elektrike në mbarë botën është rritur në rekord prej 3.1 milion automjetesh, ndërsa parashihet se nëse rritet kapaciteti i prodhimit të makinave elektrike deri në vitin 2030, do të ketë 125 deri në 220 milionë makina elektrike në botë, shkruan gazeta KOHA. Gjatë vitit të kaluar, në Evropë shitje më të lartë ka pasur Gjermania duke e lënë pas Norvegjinë. Sipas të dhënave nga Shoqata Evropiane e Prodhuesve, shitja e këtyre automjeteve në këtë shtet u rrit për 70%. Qeveria gjermane së bashku me ato lokale kanë filluar të ndërmarrin hapa për largimin e automjeteve dizel të cilët janë ndër ndotësit primarë të ajrit.
Në Maqedoni, shitja e këtij lloji të makinave është shumë e vogël. Në bazë të dhënave, nga 1755 automjete të reja të shitura për gjashtë muajt e parë të këtij vitit, vetëm tre janë elektrike dhe 27 janë hibridë. Në këtë drejtim ka filluar të punojë edhe EVN Maqedoni me instalimin e karikuesve në disa komuna. Qëllimi i tyre është të inkurajojnë qytetarët në përdorimin e këtyre makinave duke kontribuar kështu në mbrojtje e mjedisit.
Në Qytetin e Shkupit, ku kemi shitje më të madhe të veturave, janë vendosur pesë karikues në parkingjet publike, por autoritetet nga Qyteti i Shkupit njoftuan se në të ardhmen do të vendosen edhe 17 tjera në lokacione të ndryshme të qytetit. Ata theksuan se janë duke punuar në rregullimin dhe përgatitjen e infrastrukturës për automjete të tilla, e cila paraqet problem kryesor për përdorimin e tyre.
Në ndërkohë, ekspertët vlerësojnë se për të nxitur blerjen e këtij lloji të veturave, duhet të shoqërohen me sërë përfitimesh si subvencione për blerjen e këtyre veturave, parkim falas, karikim falas dhe të tjera. Qendra e Kërkimit për Energjinë dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (AMSHA) madje ka përgatitur një studim mbi transportin, analizën e politikave dhe masat, që përcakton se deri në vitin 2035, 35 për qind i dyoksidit të karbonit do të eliminohet nga mjetet e transportit.
Studimi propozon uljen e akcizës dhe TVSH për importin e automjeteve hibride nga 18 në 5 për qind, ndërsa për automjetet elektrike të mos ketë akcizë. Nga ana tjetër, duhet të bëhet rritja e taksës së mjedisit për karburantet nga 0.08 për qind e çmimit të shitjes për litër benzinë dhe 0.03 për qind për litër naftë, ndërsa dallimet në taksë të shfrytëzohen për subvencionimin e automjeteve hibride dhe elektrike.
Nëse Qeveria dëshiron të stimulojë blerjen e automjeteve ekologjike, propozohet subvencione prej 5000 euro për blerjen e një automjeti elektrik dhe 1000 euro për automjetet hibride. Deri në vitin 2035 parashihet të ketë kryesisht automjete elektrike ose hibride, gjegjësisht 40 për qind të jenë elektrike nga të cilat 25 për qind të jenë elektrike të pastërta dhe 16 për qind hibride. Në baze të studimit të ASHAM-it, politika për import të automjeteve të vjetra nga viti 2010 ka kontribuar në rritjen e ndotjes nga transporti, sepse numri i automjeteve në katër vitet e fundit është rritur për 27 për qind. Ekspertët thonë se automjetet me naftë janë ndotësit më të mëdhenj të mjedisit, sepse masa e importit të lirë të automjeteve të vjetra ka kontribuar në rritjen e ndotjes, pasi shumica e automjeteve të importuara janë dizel.
“Ndotës kryesorë janë automjetet dizel, ndërsa si të parë llogariten taksitë, sepse kanë më shumë kilometrazh. Do të jetë mire sikurse Qyteti i Shkupit të mendojë për ti dhënë subvencione taksive për të kaluar në një karburant më të mirë dhe në afat kohor prej 2-3 vjetësh, të ndaloj automjetet dizel. Pra, të japë subvencione që të kemi taksi me energji elektrike, me metan ose propan-butan, dhe deri në vitin 2020, të mos ketë taksi dizel në Shkup”, thuhet në studim.
Sipas EUROSTAT-it, Maqedonia me 147gram dyoksid karboni për kilometër radhitet në vendin e fundit në Evropë. Versionet e tanishme të makinave elektrike përdorin bateri që mund të mbajë deri në 200 kilometra, por katër kompanitë japoneze: Toyota, Honda, Nissan dhe Panasonic kanë njoftuar se po punojnë së bashku për të zhvilluar një bateri të re për të udhëtuar deri në 800 kilometra me një herë mbushje. (koha.mk)