Me rritjen e subvencioneve për domatet dhe pemët e grumbulluara, si dhe me blerjen e 12 mijë tonë të grurit për rezervat shtetërore, Ministria e Bujqësisë është e bindur se dukshëm do të zbuten problemet me shitblerjen dhe çmimet e ulëta të pemë-perimeve në shtet. Njëkohësisht, po punohet edhe në hapjen e qendrave grumbulluese dhe distributive
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 29 qershor – Ministria e Bujqësisë me rritjen e subvencioneve për domatet dhe pemët e grumbulluara, si dhe me blerjen e 12 mijë tonë të grurit për rezervat shtetërore, pritet të zbusë dukshëm problemet me shitblerjen dhe çmimet e ulëta të pemë-perimeve në shtet, shkruan gazeta KOHA.
Njëherësh, po ndërmerren edhe aktivitete për rritjen e plasmanit të prodhimeve bujqësore nga Maqedonia jashtë shtetit, si dhe për hapjen e qendrave grumbulluese dhe distributive. Me vendimet e fundit qeveritare, prej sivjet rriten subvencionet për pemët e dorëzuara në industrinë përpunuese prej dy në tre denarë. Rriten edhe subvencionet prej tre në shtatë denarë për kilogram domatesh të dorëzuara në kapacitetet prodhuese.
Subvencionet pritet të ndihmojnë prodhuesit jo vetëm të pjeshkave në Rosoman, ku në 5000 hektarë pritet të grumbullohen deri në 13 mijë tonë pjeshka. Së fundmi, çmimi grumbullues i këtyre pemëve ishte prej 20 deri 23 denarë.
Kohë më parë, ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski, theksoi se Qeveria përmes Ministrisë së Bujqësisë angazhohet në mënyrë intensive për të gjetur tregje të reja, jo vetëm për pjeshkat, por edhe për prodhimet e tjera bujqësore. Në këtë drejtim vazhdojnë edhe aktivitetet për rritjen e eksportit të prodhimeve bujqësore në Federatën Ruse si treg tradicional i prodhuesve nga Maqedonia.
Ekipe të Ministrisë së Bujqësisë dhe Odës Maqedonase-Ruse kanë mbajtur disa takime me përfaqësues të përgjegjësve të “Rosejhosnador”, me qëllim të eliminimit të të gjitha barrierave potenciale dhe rritjes së eksportit. Gjithashtu, punohet në projekt të ri, përmes së cilit afaristët nga Maqedonia do të realizojnë shitje të drejtpërdrejtë në zinxhirët rusë të marketeve. Kjo pritet të realizohet përmes shtëpisë së Maqedonisë në Rusi, duke evituar ndërmjetësit që për momentin i diktojnë dhe kushtëzojnë çmimet dhe sasitë e prodhuesve, gjithnjë në dëm të fermerëve. Njëherazi në takimin e fundit të Komitetit qeveritar për bujqësi është konstatuar se problemi më i madh për momentin është mungesa e bazës përkatëse të të dhënave për sasitë, çmimet dhe dinamikës e sezonit në kohën e vjeljes së prodhimeve, me qëllim që ato të ofrohen në tregjet e jashtme.
Ministri i Bujqësisë, Nikollovski, ka bërë të ditur se para disa muajsh është dërguar shkresë deri tek të gjithë përfaqësitë diplomatike të Maqedonisë, që të ndihmojnë në hapjen e tregjeve të reja për prodhimet bujqësore nga Maqedonia. Sipas tij, edhe dikasteri i bujqësisë ka përgatitur listën e 50 kompanive të interesuara për investime, ndërsa një pjesë e tyre janë të interesuara edhe për ndërtimin e qendrave grumbulluese-distributive. Në këtë drejtim, Ministria e Bujqësisë ka përgatitur edhe hartën e rajoneve ku mund të ndërtohen ato.
Në ndërkohë, Qeveria si masë intervenuese për të zbutur problemin me grumbullimin e domateve vendosi që me shtatë denarë të ndihmohen fermerët që do të dorëzojnë këto perime tek kapacitete prodhuese, apo tek grumbulluesit e regjistruar. Masa do të vlejë deri më 15 korrik, deri kur pritet të grumbullohen 500 tonë domate. Për pagesën e subvencioneve të rritura prej tre në shtatë denarë janë ndarë dy milionë denarë. Ministria e Bujqësisë ka ndërmarrë një hap të tillë për të balancuar ofertën dhe kërkesën në treg si dhe çmimin e ulët grumbullues. Kjo masë intervenuese pritet të stabilizojë tregun e domateve, ndërsa teprica e prodhimit pritet të përfundojë si lëndë e parë në industrinë përpunuese.
Nga ana tjetër, Agjencia e rezervave shtetërore pritet të blejë 12 mijë tonë grurë nga prodhuesit vendor. Kjo do të motivojë mullisët të blejnë grurë vendor që do t’ia shesin agjencisë, ndërsa blerja intervenuese do të ndihmojë të arrihet çmim solid grumbullues i grurit vendor që sivjet të ketë rendimente prej afër 300 mijë tonë. (koha.mk)