Bujqit kërkojnë rritjen e përkrahjes për rrjetet mbrojtëse nga breshëri dhe rrezatimi ultraviolet që nuk duhet të ofrohet vetëm përmes IPARD, por edhe përmes programit për zhvillim rural
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 shtator – Bujqësia vendore më së shumti dëmtohet nga ndryshimi i klimës në kultivimin e rrushit, mollës, specave , domateve. Por dëme jo të vogla shënohen edhe në kultivimin e lopëve dhe dhenve, që në fund ka koston e uljes së prodhimtarisë së ushqimit në shtet. Me fjalë të tjera dukuri natyrore si thatësia, breshëri,ngricat e hershme pranverore e kështu me radhë , për çdo vit radhë po shkaktojnë dëme të mëdha tek fermerët, shkruan gazeta KOHA. Shkenca thotë se bujqësia në Maqedoninë e Veriut është dobët e përgatitur dhe ka vështirësi të mëdha të luftojë kundër ndryshimeve klimatike. Nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë, thonë se nevojitet të modernizohen edhe sistemet për vaditje, për shkak se ndodh që edhe 15 deri ditë ka rajone që mbesin pa ujë që ka për pasojë dëme të mëdha në bujqësi.
Kryetarja e organizatës më të madhe të bujqve në shtet, Vaska Mojsovska, rekomandon rritjen e përkrahjes për rrjetet mbrojtëse nga breshëri dhe rrezatimi ultraviolet që nuk duhet të ofrohet vetëm përmes IPARD , por edhe përmes Programit për zhvillim rural apo subvencioneve. Sipas saj jo se në vend nuk ka rrjete mbrojtëse, megjithatë ato janë tepër të shtrenjta për xhepin e fermerëve për shkak se çmimet grumbulluese të prodhimeve bujqësore nuk mbulojnë koston e tyre. Ekspertët vlerësojnë se tek bujqit vështirë po rritet vetëdija se nevojitet të përshtaten ndaj ndryshimeve të shpeshta të motit, ndërsa edhe kapacitetet e adaptimit në vend janë të vogla.
Sipas profesorit universitar Ordan Çukaliev, si shtet e kemi vështirë të bëjmë hapa serioz dhe të rëndësishëm përpara në luftën kundër ndryshimeve klimatike për shkak punohet dobët me fermerët dhe jo për shkak të politikave shtetërore. “Aktualisht nuk kemi kapacitete që të zgjidhim problemet e tanishme, andaj shtrohet çështja se si do të zgjidhim problemet në të ardhmen. Në fakt, po përpiqemi mjaft në këtë drejtim, shumë institucione edhe po përpiqen të përkrahin masat e ndryshme adaptuese,megjithatë nuk duhet harruar se 170 mijë bujq janë prodhues dhe jo institucionet”, thotë ai.
Sipas Çukaliev nevojitet që dikush të trajnojë , tu sqarojë dhe shpjegojë bujqve për këtë problematikë. Problem tjetër është edhe ajo se bujqit duhet të kuptojnë se dëmet në bujqësi i paguan dikush tjetër, andaj edhe shtrohet çështja se pse ato duhet të investojnë në adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike në bujqësi. Me fjalë të tjera jo se politika është e gabuar për këtë çështje, por sikur nuk e kemi gjetur mënyrën e vërtetë që të vijmë deri tek bujqit shton ai. Ekspertët sugjerojnë një angazhim më gjithëpërfshirës si dhe punë më të madh ndaj sigurimit të bazës së të dhënave me qëllim që të kemi rezultate më të mira. “Si shtet po përdorim në vend të dhënat vendore, po përdorim të dhënat evropiane andaj vështirë është të thuhet se sa është rritur thatësia apo breshëri për shkak se na mungojnë përllogaritje të tilla. Apo nuk e dimë apo lulëzon më herët misri apo jo me qëllim që të zbatojmë masa përkatëse. Bile shkenca nuk disponon as me të dhënat e institucioneve të ndryshme për këto dukuri”, shton më tej ai. Sipas Çukaliev, vështirë është të krijohen masa dhe politika të vërteta për të luftuar apo zbutur ndryshimet klimatike në bujqësi kur shkencëtarëve ju mungojnë të dhëna për këtë problematikë. Nga Ministria e Bujqësisë thonë se nga viti 2015 e këndej dëmet në bujqësi nga moti i keq kanë arritur në 100 milionë euro, prej të cilave bujqve ju janë paguar 15 milionë euro.
Nga ky dikaster thonë se po punohet edhe në parandalimin e kësaj problematike ku në rrjedhë e sipër është investimi i vlefshëm 80 milion euro në katër sisteme të vaditjes që do të mbulojnë mbi 30 mijë hektarë tokë. Së shpejti pritet të shpallet edhe tenderi për mbrojtjen nga breshëri me avion, apo pengimin e formimit të breshrit që në fillim, apo para se ai të krijohet dhe shkakton dëm për prodhimet bujqësore.
Ndryshe, në Maqedoni , në 20 vitet e fundit shënohet rritja mesatare prej dy gradë e temperaturës si dhe rënie e konsiderueshme sasive të shiut. Trende të ngjashme negative, pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Bile pritet që deri në vitin 2030 të ketë ulje më të madhe të rendimenteve të kulturave strategjike bujqësore si gruri dhe domateve në shtet deri në 50 për qind. Vlerësohet se lugina e lumit të Vardarit, rajonet e Strumicës, dhe Gjevgjelisë si dhe fushat e Kumanovës dhe Ovçe Poles janë më të prekshme nga rritja e temperaturave dhe ulja e lagështisë në truall. Mirëpo dëme mund të priten në gjitha rajonet bujqësore të vendit me intensitet më të lartë , por edhe më të ulët. (koha.mk)