Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Daniel Sturridge, i është bashkuar klubit turk, Trabzonsport, duke nënshkruar kontratë trevjeçare. Sturridge kishte biseduar me Trabzonsporin dhe Besiktasin në kërkim të një ekipi të ri pasi i kishte mbaruar kontrata me Liverpoolin në qershor, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta KOHA.
29-vjeçari zgjoi interesimin e shumë skuadrave nëpër Evropë, ndër to edhe Atalanta në Serie A dhe Eintracht Frankfurt në Bundesligë. Megjithatë, ai e ka zgjedhur Trabzonsporin ku do t’i kalojë të paktën tri vjetet e ardhshme të karrierës së tij.
Sturridge i shënoi 67 gola në 160 paraqitje për Liverpoolin pasi iu bashkua nga Chelsea në janar të vitit 2013, por nuk e ka gjetur rrjetën e portës që prej shtatorit të 2018-es.