Vjenë, 9 janar – Të gjitha shërbimet shpëtimtare, zjarrfikësit, ushtria dhe shërbimet komunale për pastrim të rrugëve tashmë disa ditë janë në luftë konstante kundër fryjave deri tani më të mëdha të borës në pjesën më të madhe të këtij shteti alpin.
Në disa pjesë të Austrisë, vetëm deri dje ra aq sasi e borës, sa që mesatarisht bie gjatë tërë janarit, thekson “N1”. Shërbimet kompetente janë angazhuar në gjurmim të një numri të madh të turistëve të zhdukur dhe banorëve lokalë, por po përballen edhe me mijëra persona të prerë nga bora, bllokime në rrugë për shkak të borës apo rrezik nga orteqet, si dhe me ndërprerje të energjisë elektrike.
Shërbimi qendror për meteorologji dhe gjeodinamikë (ZAMG) për herë të dytë në katër ditë shpalli shkallë më të lartë të rrezikut nga stuhitë e borës dhe paralajmëroi 60 cm të reja të borës në Alpe, që paraqet rrezik të ri nga orteqet sepse bora nuk arriti të stabilizohet.
Nga orteqet posaçërisht është goditur rajoni turistik Dahstain, ku në vende të caktuara fryjat e borës paraqesin edhe deri 10 metra. Gjatë natës pritet shtresë e re bore prej një metër. Nga fundjava deri më tani në Shtajer ranë tre metra borë e re.
Nga orteqet në Austri deri më jetën e humbën 10 persona, por edhe shkatërruan shumë rrugë. Orteku i borës në komunën e Tirolit, Finkenberg mori 100 metra rrugë të asfaltuar, e cila tani është e pakalueshme, transmeton N1. Në malin e njohur për skijim, Loser, ranë madje katër metra borë, kështu që nën shtresë bore mbetën edhe teleferikët.
Stuhia e borës u pamundëson helikopterëve të marrin pjesë në aksionet e shpëtimit,e dhe pse të gjitha fluturaket e ushtrisë austriake janë në gjendje gatishmërie.
Mbrojtja civile u bën thirrje të gjithëve të sillen me përgjegjësi dhe t’i respektojnë vendimet e shërbimeve kompetente dhe në asnjë rast të mos shkojnë në skijim nëse shtegu është i mbyllur zyrtarisht.
Moti i lig me borë e goditi edhe krahinën gjermane të Bavarisë, ku gjithnjë e më shumë shtigje skijimi janë mbyllur për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme të borës dhe rrezikut nga orteqet. Problem paraqet edhe bora e rëndë mbi drunj, për ç’shkak ekziston rreziku nga rrëzimi i trungjeve në shteg apo mbi teleferik.
Në stuhitë e borës në Evropë, gjatë disa ditëve të fundit jetën e humbën së paku 13 persona, pjesa më e madhe e të cilëve në orteqet në Austri dhe Gjermani. Në Norvegji po zgjatë gjurmimi pas katër skitarëve pasi që orteku e goditi qytetin Tromsoe, në veri të vendit. Druhet se suedezja dhe tre finlandezët janë të vdekur.