Zyrtarët në Kaliforni thonë se një zjarr që filloi një javë më parë është shndërruar në zjarrin më të madh në historinë e këtij shteti amerikan.
Studiuesit në Universitetin e Kalifornisë thonë se kushtet klimatike që mundësojnë këto zjarre të mëdha, po shfaqen më herët dhe zgjasin më shumë. Zyrtarët po paralajmërojnë banorët të përgatiten për më tej.
“Rrethanat që i kishim parë në kulmin e sezonit të zjarreve, tashmë shfaqen që në fillim të sezonit”, thotë Ken Pimlott, drejtor i zjarrëfikësve të Kalifornisë.
Zjarret në pyje kanë përfshirë edhe Evropën. Zjarri më vdekjeprurës në historinë e Greqisë vrau mbi 90 persona muajin e kaluar. Zjarret kanë shpërthyer edhe në pyjet e vendeve veriore, si Suedia dhe Letonia.
Shumë qytete evropiane dhe aziatike po përjetojnë valë të nxehti me temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë.
I nxehti ekstrem po ndikon edhe bujqësinë. Fermerët po i mbledhin të korrat më herët se zakonisht dhe thatësira e zgjatur ka ulur sasinë dhe cilësinë e frutave dhe perimeve.
Në Zvicër, i nxehti po vret peshqit në lumin Rin. Ushtria zviceriane furnizoi me ujë fermat e kafshëve në rajonin Vaud.
“Shërbimet e ushtrisë ofrohen pa pagesë, pasi gjendemi në një situatë katastrofe”, thotë Denis Froidevaux, zyrtar lokal zviceran.
Një studim i ri thotë se nivelet e synuara në marrëveshjen klimatike të Parisit të vitit 2015, mund të mos mjaftojnë për të ndalur ngritjen e dëmshme të temperaturave. Vendet patën rënë dakord të përpiqen për të mos lejuar ngritjen e temperaturave mesatare të botës mbi 2 gradë celsius nga niveli i regjistruar përpara revolucionit industrial. Studimi më i fundit i bërë nga Universiteti Kombëtar Australian, Universiteti i Kopenhagenit dhe institucione të tjera, konkludon se edhe nëse vendet pjesëmarrëse i përmbahen marrëveshjes, proceset e shkrirjes së akujve polarë dhe çlirimi i metanit nga tabani i deteve mund të rrisin në të ardhmen temperaturën e Tokës me 4 – 5 gradë, duke i bërë kështu të pabanueshme shumë pjesë të globit.
Ndërkohë, valët e pazakonta të të nxehtit që po godasin Evropën dhe Azinë pritet që të bëhen më të zakonshme./Top Channel