Qendrat e Shteteve të Bashkuara për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) po planifikojnë një studim mbarëkombëtar me deri në 325’000 njerëz për të zbuluar se si koronavirusi i ri po përhapet në të gjithë vendin deri vitin e ardhshëm dhe më gjerë, i thanë agjensisë së lajmeve Reuters një zëdhënëse e CDC-së dhe shkencëtarët që po marrin pjesë në këtë përpjekje.
Studimi i CDC-së, që pritet të nisë në qershor ose korrik, do të testojë mostra nga dhuruesit e gjakut në 25 zona metropolitane për antitrupa të krijuar kur sistemi imunitar lufton koronavirusin, tha Dr. Michael Busch, drejtor i Institutit Kërkimor Vitalant.
Dr. Busch po udhëheq një version paraprak të studimit – financuar nga Instituti Kombëtar i Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut dhe Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive – që po teston 36’000 mostrat e para.
Pjesa e financuar nga CDC-ja, që do të shpallet zyrtarisht këtë javë, do të zgjerojë objektivin dhe kornizën kohore, duke marrë mostra gjatë një periudhe prej 18 muajsh për të parë se si antitrupat evoluojnë me kalimin e kohës, tha zëdhënësja e CDC-së, Kristen Nordlund.
Vitalant, një organizatë jofitimprurëse që menaxhon qendrat e dhurimit të gjakut dhe teston mostrat, do të drejtojë gjithashtu përpjekjen më të gjerë.
Studiuesit synojnë të publikojnë rezultatet me etapa, tha zonja Nordlund.
Studimet e antitrupave, të njohura gjithashtu si kërkime të seroprevalencës, konsiderohen kritike për të kuptuar se ku po përhapet një shpërthim virusi dhe mund të ndihmojnë vendimmarrjen për udhëzimet e kufizimeve të nevojshme për ta frenuar atë.
Studimi i CDC-së gjithashtu duhet t’i ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë nëse përgjigjja imune ndaj COVID-19 zbehet me kalimin e kohës.
Koronavirusi i ri ka infektuar rreth 1.5 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe ka vrarë gati 90’000, sipas një raporti të agjensisë Reuters.
Studimi i CDC-së do të testojë gjakun nga 1.000 donatorë në secilën nga 25 zonat e metrosë në muaj, për 12 muaj. Studiuesit pastaj do të testojnë gjakun nga 25,000 donatorë të tjerë pas 18 muajsh. Mostrat do të vijnë nga “njerëz të rregullt, altruistë”, të cilët paraqiten për të dhuruar gjak, tha dr. Busch.
‘Të lënë të ekspozuar’
Disa zyrtarë të shëndetit publik janë ankuar se CDC-së i mungon puna kërkimore dhe udhëzimet për qeveritë lokale që po përpiqen të përballojnë pandeminë. “Ne po ndjehemi të ekspozuar në nivelin lokal, në kuptimin që nuk e shohim atë lloj të planit të organizuar nga CDC-ja“, tha në një intervistë javën e kaluar Dr. Matt Willis, oficer i shëndetit publik për kontenë Marin, në shtetin Kaliforni.
Lajmi për këtë studim i dha zotit Willis një nivel sigurie. “Përgjigjet e pjesshme dhe rezultatet paraprake janë më mirë se (kur nuk keni) asgjë kur ju duhet të merrni një vendim për të marrë” që mund të ndikojë në jetët e njerëzve, tha ai, si p.sh. kur të rihapen parqet dhe bizneset.
Zonja Nordlund e CDC-së tha se studimi “është tregues i mënyrës sesi drejtuesit në të gjithë qeverinë federale po punojnë në bashkëpunim me partnerët në komunitetin akademik dhe në industrinë e dhurimit të gjakut dhe testimit” për të monitoruar COVID-19.
Ajo shtoi se rezultatet e dhuruesit të gjakut mund të përdoren nga CDC-ja për të formuar vlerësime për popullatën më të gjerë përmes metodave statistikore. “Kjo është bërë me virusin e Nilit Perëndimor, Zikan dhe sëmundje të tjera infektive në zhvillim“, tha ajo.