Tomisllsv Perushiq, qytetar serb nga Vojvodina, i cili po merr pjesë në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, në një intervistë për Radio Kosova, deklaroi për përvojën e tij në lidhje me kontaktet e vëna me shqiptarët, për përjetimet e tij përreth Kosovës, etj.
Ai thotë të ketë dëgjuar shumë për Kosovën, por thotë të mos ketë ditur asgjë për këtë vend. Thotë ta ketë paramenduar Kosovën si Sirinë, por me të ardhur për vizitë thotë të jetë befasuar për të mirë.
Studenti nga Beogradi thotë se ka një plan: dëshiron të bëjë ‘master” në Prishtinë.
Më poshtë ndiqni intervistën në tërësi dhënë Radio Kosovës.
Radio Kosova: Ti je rast shumë i rrallë me lidhjen që e ke me Kosovën, me shqiptarët. Ti ke lindur në vitin 1990, pra, në kohën kur është bërë luftë në Kosovë ti ke qenë një fëmijë, s’ke pasur informacione. Si vendose të lidhesh me shqiptarët , t’i kalosh armiqësitë, sidomos çfarë ka ndodhur në vitin 1999?
Tomislav Perushiq: Mund të them që gati tërë jetën jam duke dëgjuar për Kosovën, ama unë s’kam ditur asgjë as për Kosovën e as për shqiptarët. Edhe shpesh jam bërë nervoz kur dëgjoja emrin Kosova, se vazhdimisht dëgjoja të flitej për të, veç Kosova, Kosova. Edhe i thashë vetes çka ka në Kosovë aq interesant, nuk e kuptoja.
Pastaj, kur kam qenë në Amerikë për herë të parë kam takuar shqiptarë. Edhe më vinte turp se s’dija asgjë për shqiptarët. Edhe pse jemi fqinj. Kam dëgjuar vetëm gjëra të këqija dhe dëgjoja vetëm se Kosova është Serbi.
Radio Kosova: Ku i dëgjoje këto gjëra?
Tomislav Perushiq: Në medie, në shkollë, në shoqëri, në rrugë, në lagje …
Radio Kosova: D.m.th. keni qenë i vogël që të përballeni me këtë propagandë?
Tomislav Perushiq: Që kur kam qenë 9 vjeçar kam ndjekur lajmet, se ishin gjithandej veç për Kosovën. S’flitej asgjë tjetër, se në atë kohë ka qenë lufta e Kosovës. Dhe më herët s’kam ditur asgjë, se prindërit e mi s’kanë pasur dëshirë të na tregojnë se çfarë është duke ndodhur.
Radio Kosova: Por, çka t’ju flisnin për luftën?
Tomisla Perushiq: Po, po. Ama s’mund t’u shmangesh këtyre sendeve se në shkollë të gjithë kanë folur për gjendjen, për politikën. Është shumë e zakonshme, politika është një temë edhe te të rinjtë edhe te të vjetrit, e edhe te fëmijët.
Radio Kosova: A arrite ta bësh diferencën me atë çka thotë politika për Kosovën për aq kohë sa ti po vjen muaj për muaj?
Tomislav Perushiq: Unë kurrë s’kam pasur paragjykime për shqiptarët, por as për asnjë. Unë mendoja për Kosovën sikur Siria që është sot kur erdha për herë të parë këtu. Ama u habita kur erdha se sa është ndërtuar Kosova, sa është e modernizuar, sa shumë të rinj ka, shumë gjallëri, më shumë se në Suboticë. Unë jam nga Subotica ama këtu është ndryshe. Me gjithë qejf vij në Kosovë.
Radio Kosova: Por ti po vjen muaj për muaj, madje më tregove se ke një plan?
Tomislav Perushiq: Po, vij muaj për muaj dhe kam një plan. Kam qejf të bëj master në Prishtinë. Vitin e ardhshëm do të vij në Prishtinë për master pasi ta përfundoj fakultetin në Beograd. Jam shumë i sigurt që do të vij në Prishtinë, se Prishtina është vend i mirë. Mendoj se Kosova është vend i mirë jo vetëm për gjuhën shqipe, se unë s’kam filluar mësimin e gjuhës për shkak të gjuhës por për shkak të popullit, për shkak të komunikimit me shqiptarët, se dua t’i njoh më mirë shqiptarët, meqë nuk kam ditur asgjë për shqiptarët.
Radio Kosova: Tomislav, kur po vjen në Prishtinë, a i takon edhe serbët e Kosovës apo vetëm shqiptarët?
Tomislav Perushiq: Në përgjithësi shqiptarët. Unë kam shumë shoqëri këtu me vajza e djem shqiptarë, ama kam taku disa serbë në seminar. Kam folë me ta, ata kanë pikëpamje më ndryshe prej meje.
Radio Kosova: Çfarë pikëpamje kanë ata, paragjykuese?
Tomislav Perushiq: Po, është paragjykuese, por jo të gjithë. Kam takuar edhe do vajza që ishin shumë mendjehapura, por në përgjithësi mendoj se s’kanë dëshirë të flasin me shqiptarët se kanë frikë. Po një gjë që e kam vërejtur është që ata thonë kur kuptojnë që unë studioj gjuhën shqipe, menjëherë fillojnë të flasin për politikë, që nuk është rast me shqiptarët. Kur flas me shqiptarët, flasin për gjëra të tjera e pastaj politika vjen më vonë.
Radio Kosova: Pra, rinia në Serbi është e politizuar, nga çka kanë frikë ata që të mos komunikojnë me shqiptarë, dhe ti pse s’ke frikë?
Tomislav Perushiq: Unë s’kam frikë se kurrë s’kam pasur paragjykime, dhe ndoshta për shkak se jam rritur në një familje të përzier. Jemi serbë, kroatë, hungarezë.
Radio Kosova: Pra, nuk je njëqind për qind serb, mbase ka ndikuar gjenetika?
Tomislav Perushiq: Po, po, mbase (dhe qeshet Tomislavi).
Radio Kosova: E ke nënën apo babanë serb?
Tomislav Perushiq: Nënën e kam serbe.
Radio Kosova: Pra nëna s’paska ndikuar që të ndryshoj…?
Tomislav Perushiq: Jo, jo, as nëna ime s’ka pasur kurrë paragjykime, edhe pse familja e saj është pak më paragjykuese, pak apo shumë s’di tash, se s’flasim shumë në familje për politikë për këtë temë.
Radio Kosova: Çka thotë nëna jote që po vjen ti shpesh në Kosovë?
Tomislav Perushiq: Shpesh më pyesin çka më thotë nëna kur shkoj në Kosovë, se njerëzit që kanë paragjykime s’mund të besojnë që vij shpesh në Kosovë, por atyre u them, nëna më thotë rrugë të mbarë. Ajo më mbështet çdoherë.
Radio Kosova: A i pëlqen nënës që po vjen për çdo muaj në Kosovë?
Tomislav Perushiq: Po sigurisht që ajo dëshiron që unë të shkoj më shumë te ajo në Suboticë se sa në Kosovë, por ajo po pajtohet me zgjedhjen time.
Radio Kosova: Të kthehemi pakëz në retrospektivë, kur ishe student në Amerikë vendose të njihesh me shqiptarët dhe si ishte ai moment?
Tomislav Perushiq: Pasi që kam jetuar me komunitete të ndryshme në Queens, kam takuar meksikanë, italianë, kinezë e të tjerë, më ra ndërmend që vetëm shqiptarët s’i kam takuar, edhe pse në disa raste kam takuar ndonjë por, kemi folur vetëm pak. Edhe nuk kam ditur për kulturën shqiptare. Nuk kam ditur për gjuhën hiç dhe thjesht vendosa t’i takoj. Kështu e gjeta, kërkova në internet, se është afër dita e përvjetorit të Kosovës në shkurt dhe unë kërkova se me siguri ka ndonjë festë dhe shkova dhe e gjeta një në Queens. Shkova atje, dëgjova muzikën shqipe për herë të parë, dëgjova gjuhën shqipe. Shkova edhe në një festë tjetër në Bronx dhe takova shumë shqiptarë, biseduam për shumë gjëra. Madje u vura në siklet t’ua them se jam nga Serbia, se nuk e dija si do të reagojnë duke e ditur që është çështje ndjeshme. Prandaj, ua thashë jam prej Subotice, prej Vojvodine. Dhe vendosa ta mësoj gjuhën shqipe, jo për shkak të punës, se s’kisha plan ta mësoja në fakultet dhe fillova me disa fjalë bazike.
Në fillim m’u duk shumë e vështirë, jo të lexoj, se gjuha standarde nuk është aq e vështirë, sa është dialekti dhe të flasësh. Dialektin e kam mësuar në Kosovë se në degën tonë në Beograd e mësojmë vetëm gjuhën standarde. E kemi një katedër shumë të mirë me profesoresha shumë të mira, dhe programin e kemi vetëm në gjuhën standarde.
Radio Kosova: Mirëpo ti je lidhur më shumë se sa veç me gjuhën, orën e ke me shqiponjë, çantën me shqiponjë. Çka ke tjetër me shqiponjë…?
Tomislav Perushiq: E kam portofolin me shqiponjë…
Radio Kosova: Çka po ndodh me ty, a të stigmatizojnë serbët në Serbi apo në Kosovë, mos do të quajnë tradhtar, a e ke llogaritur këtë, a të kanë quajtur ndonjë herë tradhtar?
Perushiq: Me siguri, ka ndonjë, ama askush nuk guxon të më thotë diçka personalisht, se unë shoqërinë që e kam në Serbi me respektojnë edhe nëse mendojnë ndryshe. Këta që mendojnë ndryshe nuk më flasin për këtë temë, nuk ma thonë, nuk më shesin propagandë….
Radio Kosova: Autoritetet a të marrin në pyetje se shumë shpesh po shkon në Kosovë, je lidhur më shqiptarë, se ndodh bëjnë kështu ndërhyrje?
Tomislav Perushiq: Po, më pyesin. Thjesht ju them kënaqem, kam shumë shoqëri, gjithsesi e shohin në fb, i shohin fotot e mia. Çdoherë i vendosi fotot në fb…
Radio Kosova: Pse e ke vënë emrin në facebool Tomislav Lulzim Perushiq?
Tomislav Perushiq: Kjo është falë një shoku nga Mitrovica, Gentit. Më tha meqë po vjen në Kosovë kaq shpesh, duhesh ta kesh edhe një emër shqiptar. Dhe kështu vendosa për Lulzim.
Radio Kosova: Do të aplikosh për nënshtetësi, të intereson?
Tomislav Perushiq: Po, më intereson. Nëse shpërngulëm këtu në Prishtinë apo në ndonjë qytet tjetër në Kosovë, me siguri do ta marr se me duhet për punë. Edhe pse tash kam tri nënshtetësi.
Radio Kosova: Tri nënshtetësi ?
Tomislav Perushiq: Të Serbisë, të Kroacisë dhe të Hungarisë.
Radio Kosova: I lejon kushtetua e Serbisë tri nënshtetësi?
Tomislav Perushiq : Po, lejohet… nuk më ka pyetur askush a i kam a jo.
Radio Kosova: Janë disa ultra nacionalistë serbë, a të kanë kërcënuar ndonjëherë, a të shkruajnë në fb ndonjëherë?
Tomislav Perushiq: Jo, personalisht jo. Por, kam pasur një incident. Ishim duke e shikuar një film dokumentar kosovar në Beograd dhe ka hy një organizatë ekstreme dhe kanë bë protestë, pastaj u larguan pas 15 minutave dhe njëri prej tyre ka qëndruar ta shikojë filmin. Ai bërtiti me fjalët se Kosova është Serbi kur në një moment shoqja ime qeshi.
Radio Kosova: Ti beson se Kosova është ndryshe nga ajo çka bëjnë thirrje nacionalistët, se Kosova është Serbi ?
Tomislav Perushiq: Është krejt ndryshe.
Radio Kosova: A po arrin që kur të shkosh në Serbi ta thuash të vërtetën se si është këtu?
Tomislav Perushiq: Gjithkund më pyesin, ama unë nuk flas për politikë.
Radio Kosova: Jo për politikë, por për gjërat që t’i i sheh sa herë je në Kosovë?
Tomislav Perushiq: Ju flas nëse janë të interesuar, se nëse jo atëherë s’mund të vazhdoj të flas… se kështu nuk mund të flas pa u hapur tema.
Radio Kosova: Më trego drejt diçka Tomislav…E mban orën dhe çantën me shqiponjë edhe kur je në Serbi?
Tomislav Perushiq: Po patjetër, edhe çantën dhe orën.
Radio Kosova: Kush ta ka dhuruar këtë orë?
Tomislav Perushiq: E kam blerë në Amerikë.
Radio Kosova: Janë simbole të dukshme, të shikojnë njerëzit?
Tomislav Perushiq: Veç i këqyrin, se unë nuk i mbaj këto sende që t’i provokoj njerëzit. Thjesht më pëlqejnë. Unë po, dua ta ndryshoj gjendjen dhe vëmendjen e popullit. Mendoj se edhe nëse tregoj çka jam duke bërë në Kosovë, si po kaloj, mendoj se njerëzit kanë për ta parë se nuk është ashtu siç ata po flasin.
Radio Kosova: A më shumë do të ndikoje për të ndryshuar raportet ndërmjet dy popujve duke ardhur në Kosovë apo duke qëndruar në Serbi?
Tomislav Perushiq: Tani për mua është me rëndësi të vij në Kosovë dhe t’ju tregoj përmes fb, përmes gjërave të tjera se si është në Kosovë, por, mendoj se është me rëndësi të rri në Serbi edhe pak, edhe pse tash për tri vite jam në Beograd. Unë jam gjithashtu aktivist i një organizate joqeveritare “Gratë në të zeza”, dhe ne bëjmë protesta, bëjmë komemoracione për luftërat gjatë viteve të 90-ta, shumë merremi me këtë. Nuk flasim shumë por po mundohemi të tregojmë çka ka ndodhur dhe të mundohemi të ndryshojmë.
Radio Kosova: Beson ti që do të ndryshojë?
Tomislav Perushiq: Unë po mundohem personalisht, se unë nuk e promovoj kulturën shqiptare gjatë protestave, por unë e bëj vetë personalisht në fakultet, në shoqëri, kudo.
Radio Kosova: Ke arritur ta bindësh ndonjë serb tjetër të gjeneratës tënde që të vijë në Kosovë dhe të shohë se këtu është një realitet tjetër nga ai i propagandës politike?
Tomislav Perushiq: Kemi tash mjaft seminaristë, ku më kanë parë edhe mua përmes fb që vij këtu dhe fotot, se unë kaloj mirë në Kosovë, në Mitrovicë apo Prizren dhe kudo tjetër, dhe mendoj se kam ndikim tek ta. Kam shoqëri që duan të vijnë në Kosovë por jo vetë, se ata s’po guxojnë të vijnë vetë se gjëja kryesore, barriera kryesore është gjuha, sepse ata nuk dinë shqip. Këtu është ndryshe, të rinjtë dhe të vjetrit më flasin serbisht kur jam këtu, sidomos ata në Mitrovicë.
Radio Kosova: Më vjen mirë që ti do të bëhesh pjesë e ndryshimit dhe gjeneratës së re për të ndryshuar armiqësitë që janë goxha të gjata dhe të thella, sidomos ajo çfarë ka ndodhur gjatë vitit 1999…
Tomislav Perushiq: Mendoj se është e mundshme të bashkëjetohet. Me ata që thonë ndryshe unë thjesht nuk pajtohem . Përvoja ime është krejt ndryshe. Unë si kuptoj as nuk dua t’i dëgjoj kur dikush më thotë se nuk mund të bashkëjetojmë me shqiptarët. Ne mund të bashkëjetojmë me shqiptarët.