Studentët përballë deputetëve, protesta zhvendoset para parlamentit

2

Prej dy ditësh studentët protestojnë të ndarë në dy fronte, para kryeministrisë dhe para ministrisë së Arsimit, ndërsa sot protestës i është shtuar edhe një front tjetër, pikërisht aty ku “gatuhet” politika.

Në fakt parlamenti, është edhe vatra kryesore e protestës, pasi studentë nga të gjitha fakultetet po mblidhen aty, për të protestuar paralelisht me seancën plenare.

Protesta e studentëve ka blinduar parlamentin, ku forca të shumta policie ndodhen aty, ndryshe nga dy vatrat e tjera të protestës.

Mësohet se sot, studentët do i drejtohen kryesisht kryeparlamentarit Ruçi, për t’i plotësuar me ligj kërkesat e tyre.

Ndërkohë studentët mbajnë pankarta, ku kërkojnë që politikanët të nxjerrin diplomat e tyre.

Pavarësisht thirrjeve për dialog të kryeministrit Rama dhe gatishmërisë për të plotësuar kërkesat e tyre, studentët refuzojnë të ulen në bisedime.

Kreu i qeverisë mësohet se ka ngritur një grup pune për përgatitjen e dokumenteve në lidhje me kërkesat e studentëve, por insistoi se duhet dialog.

Një ditë më parë Lëvizja Socialiste për Integrim dorëzoi në Kuvend një kërkesë për ndryshimin e ligjit për buxhetin, që sipas saj do t’u japë zgjidhje menjëherë kërkesave të studentëve.

Gjithashtu, dje qeveria miratoi marrëveshjen 3 milionë euro me qeverinë gjermane për rikonstruksionin e konvikteve të studentëve në Tiranë.

Comments are closed.