Në kuadër të sesioneve konkrete shkencore juridike, studentët si pjesëmarrës në konferencë, kanë prezantuar punimet e tyre duke u zhvilluar diskutim interaktiv mbi çështjet dhe fenomenet juridike të caktuara që janë shtjelluar në temat e punimeve të tyre
Tetovë, 1 qershor – Fakulteti i Drejtësisë në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore, krahas veprimtarisë mësimore-akademike, vlerë dhe rëndësi të veçantë i kushton afirmimit dhe promovimit të veprimtarisë hulumtuese-shkencore. Në përputhje me këtë, Fakulteti i Drejtësisë i UEJL-së me iniciativë të Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë të UEJL-së, Dr. Adnan Jashari bëri të mundur dhe siguroj organizimin e Konferencës së 4-të Shkencore Studentore të Fakultetit të Drejtësisë të UEJL-së, me temë: “Reformimi i Sistemit Juridik – Nevojë për Anëtarësimin e Shteteve të Ballkanit Perëndimor në Unionin Evropian”, që u realizua me 23 maj 2020 dhe përfundoi me sukses. Për më tepër, konferencat e këtilla studentore në Fakultetin e Drejtësisë të UEJL-së tani veçmë janë shndërruar në traditë dhe mbahen rregullisht në çdo vit akademik.
Në emër dhe për llogari të Fakultetit të Drejtësisë të UEJL-së Konferencën e shpalli formalisht të hapur Koordinatori Administrativ i Konferencës Doc. Dr. Blerton Sinani, sipas së cilit, në kushte dhe rrethana të pandemisë COVID-19 konferenca përkatëse është mbajtur në formën online nëpërmjet aplikimit të platformës digjitale elektronike Google Meet, dhe si e tillë, është e para e këtij lloji në mjediset akademike universitare shqiptare, që synon t’i stimulojë studentët e drejtësisë Master dhe PhD të UEJL-së për të zhvilluar dhe kultivuar shkathtësi praktike e analitike juridike në planin e aktivitetit hulumtues-shkencor lidhur me fenomenet nga sfera juridike-shtetërore.
Fjalim përshëndetës mbajti Prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare dhe hulumtim-shkencor, Dr. Besa Arifi, e cila theksoi se studentët e drejtësisë në UEJL, përveç fitimit të njohurive teorike-juridike, kanë mundësi të fitojnë edhe dije praktike lidhur me shkencat juridike, e sidomos nëpërmjet konferencave të këtilla studentore që shërbejnë si një forum i rëndësishëm ku ato të mund t’i shkëmbejnë idetë dhe pikëpamjet e tyre dhe njëherazi të mund të përgatiten për punë shkencore, e cila është shumë e rëndësishme për studimet Master dhe PhD. Dekani i Fakultetit të Drejtësisë të UEJL-së, Dr. Adnan Jashari, si kryetar i Konferencës, theksoi se edhe krahas sfidave dhe vështirësive të gjithanshme që ka shkaktuar pandemia COVID-19, konferencën e kualifikoi të suksesshme dhe se në këtë eveniment akademik protagonist ishin studentët Master dhe PhD të drejtësisë të UEJL-së, si pjesëmarrës në një numër të konsiderueshëm në konferencë, me ç’rast vlerësoi lartë guximin dhe ambicien e studentëve përkatës për aktivitetin e tyre fillestar hulumtues-shkencor. Në Konferencë kanë marrë pjesë gjithsej 21 studentë me punimet e tyre që u përkasin programeve të ndryshme studimore juridike Master e PhD, siç janë: Juridiko Kushtetues-Administrativ, Juridiko-Civil, Juridiko-Penal e Juridiko-Ndërkombëtar, përfshirë edhe të Sigurisë.
Në kuadër të sesioneve konkrete shkencore juridike, studentët si pjesëmarrës në konferencë, kanë prezantuar punimet e tyre duke u zhvilluar diskutim interaktiv mbi çështjet dhe fenomenet juridike të caktuara që janë shtjelluar në temat e punimeve të tyre. Pas përfundimit të sesioneve përkatëse shkencore juridike udhëheqësit e secilit sesion shkencor juridik veç e veç, shprehën dhe pasqyruan konkluzat shkencore që kanë rezultuar nga vështrimi dhe trajtimi i temave të punimeve nga lëmi të ndryshme të së drejtës së studentëve të caktuar Master dhe PhD. (koha.mk)