Studentët paralajmërojnë protesta në Tetovë (Foto)

“Studentët e Revoltuar” quhet kanali nëpër rrjetet sociale ku dëgjohen thirrjet e studentëve për të mbajtur protesta kundër, siç thonë ata, kushtet e studentëve në Maqedoni. Protesta e tyre është parashikuar të mbahet të martën (18 dhjetor) në sheshin e Tetovës nga ora 12:30, njofton Telegrafi Maqedoni.

Bashkëngjitur me thirrjen për protestë, “Studentët e Revoltuar” kanë hartuar edhe një listë kërkesash prej 13 pikash të cilat i keni si në vijim.

“1. Subvencionimi ose largimi i pagesës së praktikës dy mujore nga Universiteti (50 euro).
* Zvoglimi i tarifës për studentët e huaj (50%).
* Largimi i pagesës prej 100€ për çregjistrim nga universiteti.
2. Të financohet ekskurzioni profesional ose largimi i saj si lëndë obligative.
3. Ndalimi i kushtëzimit me blerje të librave për nënshkrim nga ana e profesorëve të caktuar.
4.Furnizimi dhe renovimi i sallave, laboratorëve dhe mjeteve tjera të domosdoshme për studentët.
5.Publikimi i statutit të universitetit dhe raport-vlerësimi i evaluimit të studentëve që bëjnë për profesorët të jetë në faqen e universiteteve.
6.Statuti i Parlamentit Studentor të jetë në faqen e universitetit dhe parlamenti studentor të jetë i pamvarur nga rektori dhe partia politike.
7.Largimin e profesorëve të denoncuar për kryerje të ndonjë vepre penale brenda institucioneve arsimore.
8.Rishikimi i titujve akademik dhe verifikimi i plagjiaturave. A është respektuar ligji , koha për kalim prej një titull në tjetër dhe punimet shkencore.
9.Ndalimi i diskriminimit të femrave dhe kushtëzimi i tyre me akte të turpshme në këmbim note.
10. Kërkojmë nga Revizioni shtetëror, agjencioni për antikorupsion, inspektoriati i arsimit dhe policia financiare që të hetojnë çdo shpenzim të buxhetit të universitetit që plotësohet nga studentët dhe taksapaguesit.
11. Kuadri universitar të marr mbi vete ndryshimin e planprogrameve mësimore, diskriminuese, në të gjitha nivelet e arsimit shqip.
12. Tu ndërpritet ndikimi i emërimit të mësimdhënësve nga partitë politike.
13. Kërkojmë urgjentisht të çlirohen Universitetet nga nepotizmi i skajshëm, në vend të familjarëve të punësohen profesorë të kualifikuar që do punojnë për interesin e studentëve e jo për qëllime personalo-familjare.

Me respekt: STUDENTËT, ata të cilët ju mundoheni t’i ndalni!!” thuhet në postimin e studentëve në Facebook, ku edhe shkruajnë problemet e tyre, nëpër fakultete të ndryshme.

Përndryshe, protesta të njejta me kërkesa kanë edhe studentët në Tiranë, të cilët i kërkojnë të drejtat në rrugë për disa javë.