Athinë, 9 gusht – Vazhdojmë dinamikisht nga shtatori të luftojmë kundër vendimeve të qeverisë, thonë studentët të cilët dje u tubuan në protestë në sheshin e Athinës që të shprehin pakënaqësinë e tyre nga ligji për heqjen e imunitetit të studentëve, tubim i mbajtur në të njëjtën kohë kur Parlamenti grek votoi ndryshimet.
Studentët me të cilët ka biseduar korrespondentja e MIA-s në Athinë konsiderojnë se me ligjin e ri, policia do të mund sipas dëshirës të hyjë dhe të intervenojë në universitete.
“Nëse qeveria imponon praninë e policisë në universitete dhe nëse tenton ta pengojë lëvizjen e studentëve, do të merr përgjigjen adekuate”, komenton studenti Vasilis i cili shpjegon se ekziston tashmë mobilizim tek bashkësia universitare, studentët, të punësuarit dhe një pjesë e profesorëve të cilët u japin mbështetje lëvizjeve të studentëve të cilët e organizuan protestën.
Në Parlamentin grek dje kanë kaluar ndryshimet në ligjin me të cilin hiqet imuniteti i studentëve. Partia qeveritare Demokracia e Re dhe partia e orientuar djathtiste Zgjidhja greke kanë qenë “për”, Lëvizja për ndryshime ka votuar “pranishëm”, Partia komuniste kundër, ndërsa SIRIZA dhe MERA25 nuk kanë marrë pjesë në votim pasi më parë e lëshuan seancën në shenjë të protestës kundër amendamenteve të dorëzuara nga ministri i Punës.