Bota pret, jo pa hallet e veta, pret që ne të vijmë në vete, nuk do të presë përgjithmonë, as ne nuk do të jemi këtu përgjithmonë, asgjë nuk mund të marrim me vete përveç se të lëmë kushte më normale jetese për brezat tanë! Ka ardhur koha të imponojmë moralin politik, me votë, me kurajo e me vullnet që na jep Zoti e dashuria për jetën!
Nga Arben TARAVARI
Pjesa më e madhe e çdo progresi bazohet në ligj, vullnet për t’a zbatuar, por mbi të gjitha në strukturë morale!
Morali megjithëse tingëllon deri diku si demagogji është një shtyllë shumë e rëndësishme për një shoqëri që kërkon të zhvillohet. Që në momentin që vijmë në jetë ne jemi të rrethuar nga e mira dhe e keqja, nga e moralshmja dhe e pamoralshmja. Si fëmijë ne kryesisht veprojmë nëpërmjet instikteve, por menjëherë mund të dallojmë se si dhe në fazat latante njeriu është i ndjeshëm nëse nëna e tij e le për të ushqyer një foshnje tjetër. Këto forma të ekzistencës janë normale, të pranueshme dhe të kalueshme në çdo familje. Por çfarë ndodh me moralin dhe njeriun kur ky i fundit rritet? Ai sofistikohet deri në pikën e gjykimit adult, ai dënohet nga ligji nëse e thyen këtë të fundit, ai gjykohet nga opinioni nëse kryen vepra të pamoralshme dhe këtu nuk nënkuptoj vetëm veprimet me amoralitet seksual, por i referohem një game shumë më të gjerë aksionesh amorale, si janë mashtrimi, abuzimi, vjedhja, tallja etj…
Shoqëria nuk fal, ajo dënon kur preket morali i ndërtuar prej saj! Por duket se ka një përjashtim. Ky është rasti i politikanëve, fis në të cilin përkas momentalisht pavarsish që unë jam dhe mbetem i “Familjes së Mjekëve”.
Në politikë duket se gjithë aftësia është të shkelet sa më shumë morali. Nga ana tjetër në popull gjithnjë do ketë nga ata që do dënojnë por sidomos nga ata që do mbrojnë me fanatizëm të amoralshim.
Kështu në këtë rast si paradigmë marrin rastin e atyre politikanëve në detyrë që u akuzuan nga “bombat” e përgjimeve. Portalet, më pak televizionet, u mbushën me biseda që të rrëqethnin mishtë. Si në ndeshjet e rëndësishme të futbollit burra, gra, fëmijë e pleq dëgjonin me kërshëri të mbledhur rreth celularëve të vegjël hatara!
Dëgjonin se si jepeshin urdhra me kontekst kriminal, se njerëzit ishin dënuar pa bërë faj, e si mbaheshin padrejtësisht përjetë prapa hekurave si justifikime për të kamufluar krime të tmerrshme! Biseda mafioze që vet Camorra italiane do t’i shpallte si kriminale, shifra prej miliona eurosh që futeshin në xhepat e të akuzuarve, ishin një Hiroshimë për ne, popullin e varfër që jeton nga këto anë. Mirëpo dhe në atë gjendje, kishte ca që thoshin “Mirë kanë bërë” e ca të tjerë që kinse duke heshtur bënin protestën e tyre që në fakt ishte një dakordim me krimin që po na faktohej. Kishin dijeni të huajt për këto përgjime? Mendja ma thotë se po. Zaevi erdhi me aminin e tyre, por aty ku të huajt e humbën llogarinë dhe ne pusullën, ishte tek ajo që do vinte më pas. Zaevi mbajti në qeveri BDI-në të pareformuar, duke mbajtur kështu një pjesë të krimit afër vetes. Struktura morale që ndoshta do të fillonte të ndërtohej, u thërrmua e u bë pluhur që pa nisur. U amnistua BDI-ja nga Zaevi për çështje numrash, se pa të nuk hynte dot në qeveri, por duke fituar komandën e qeverisë, humbi një gjë të madhe: Moralin! A ishim ne fajtorë?! Sigurisht që po! Ne ende nuk e kemi kuptuar që morali në politikë është faktor që duhet të motivojë lojën! Amnistuam prapë! Të rinjtë po ikin, pleqtë po vdesin parakohe me pengje, kurse ne të moshës së mesme mbajnë në qafë peshën e atyre që nuk bëmë!
Të lumtur janë vetëm fëmijët…sepse ata nuk e dinë se çfarë i pret! Ata nuk e dinë që po rriten në një shtet ku hajduti(sa e shëmtuar është kjo fjalë), po po, pikërisht hajduti, është ai që vendos për të ardhmen e tyre! Po rriten në një vend ku çfarë premtohet sot, harrohet nesër. Në këtë ngrehinë ballkanike ku dhe të huajve ju çalon strategjia pavarësisht eksperiencës së tyre!
Në këtë vend ku morali kuptohet vetëm me tradhti bashkëshortore, po nëse krimineli të hiqet si vëlla dhe të vret vëllain, nëse mashtruesi të kërkon votën në emër të lirisë dhe të merr edhe lirinë e fundit që të ka mbetur, punë e madhe! Ky nuk është problem për ne! Jemi mpirë…nuk dua dhe nuk është e mundur që të mos jemi të aftë t’i imponojmë politikës strukturën morale! Nuk mund të jemi kaq mizorë ndaj vetes e ca më shumë ndaj fëmijëve tanë!
Bota pret, jo pa hallet e veta, pret që ne të vijmë në vete, nuk do të presë përgjithmonë, as ne nuk do të jemi këtu përgjithmonë, asgjë nuk mund të marrim me vete përveç se të lëmë kushte më normale jetese për brezat tanë! Ka ardhur koha të imponojmë moralin politik, me votë, me kurajo e me vullnet që na jep Zoti e dashuria për jetën!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)