“Strugën e ruajtën ata, po e humbim ne”

Një faktor tjetër që ka sjellë degradim dhe mungesë shprese dhe, për pasojë, ikje nga vendlindja, është pamundësia që shqiptarët e Maqedonisë të prodhojnë rrotacion politik normal që do prodhonte energji dhe pritje për realitetet të reja, sepse ky realitet ka prodhuar shprehjen: “’Ky vend nuk bëhet – të ikim për fëmijët’ ose ‘Të gjithë janë njësojë, nuk ia vlen ndryshimi’”

 

Nga Patriot LUMANI

Ishin vitet ’70 të shekullit të kaluar. Qyteti i Strugës, si rezultat i politikave të atëhershme të ndjekura dhe të promovuara nga komunistët – që prej vitit 1945 kur ata erdhën në pushtet, po shndërrohej në një qytet me shumicë maqedonase, ndërsa në fshatra – elementi shqiptarw ishte mbizotërues dhe me shumë dhimbje po mbijetonte, duke bërë një rezistencë të heshtur në atë mikro-kozmosin e tyre. Institucionet dhe fabrikat e klasës punëtore, siç i quanin atë kohë, ishin të rezervuara në masën më të madhe për maqedonasit, të cilët në këtë drejtim stimuluan ardhjen në Strugë të qindra qytetarëve të tjerë të etnisë së tyre nga Maqedonia lindore dhe emigrantëve nga Maqedonia e Egjeut (Greqi). Ndërkohë, në funksion të zvogëlimit të elementit shqiptar në qytet, fatale do të jenë shpërnguljet drejt Turqisë. Por, për fatin e mirë të shqiptarëve, gjithçka nuk shkonte vaj për kalkulimet e pushtetarëve të kohës në jetësimin e planeve të tyre, sepse pavarësisht këtyre zhvillimeve, shqiptarët në nivel komune (qytet+fshatra) ishin në numra të konsiderueshëm dhe shumicë, por në qytet ata kishin humbur primatin.

Advertisements

Padyshim, dy nga elementet që nuk lejuan jetësimin e këtyre politikave të nisura në mënyrë agresive nga pushteti serb pas vitit 1912 dhe të vazhduara edhe nga komunistët pas vitit 1945, ishin lidhja e shqiptarëve të Strugës me tokën dhe nataliteti, dy faktorët që shkatërruan çdo plan të pushtetarëve të kohës.

Gjyshi im kishte 8 fëmijë, po aq kishte edhe vëllai i gjyshit dhe motra e tij. Ai, përveç se kishte një punë standarde, të cilën e kishte fituar, sepse ishte nga të rrallët e moshës së tij që dinte shkrim-lexim, ishte shumë i lidhur me tokën dhe vetmjaftueshmërinë ekonomike, duke punuar 24 orë në bujqësi dhe blegtori që të kishte pavarësinë ekonomike. Si gjyshi im ishin shumë të tjerë të gjeneratës që mbijetesën dhe të ardhmen e kishin mbështetur vetëm te puna, në mënyrë që të kishin një jetesë sadopak normale. Lidhja e tyre me familjen, përkatësinë etnike, buronte nga lidhja që kishin ata me tokën, lidhje kjo që mungon tani dhe po na ndodh eksodi i paparë ndër-shqiptar. Ai dikur më tregonte se si në rini, bashkë me moshatarët e tij, ishin aktivizuar në funksion të sensibilizimit të bashkëfshatarëve që të mos shpërngulen drejt Turqisë, dhe në këtë drejtim kishin arritur të kenë sukses, sepse vetëm një familje ishte larguar nga fshati i tyre. Pra, ata kishin edhe konakun ku kishte rregull kuvendimi dhe ku fjala peshohej para se të nxirrej nga goja, ndërsa tani ne kemi Facebook-un ku vëren ”lëpirje” ndaj pushtetarit apo të fortit dhe nxjerrje mllefi dhe sharje ndaj të dobëtit e të pafuqishmit.

Shpeshherë me gjyshin tim, tashmë të ndjerë, debatonim se cila gjeneratë bëri më shumë: ata apo gjeneratat pas tyre që po krekosen për ndryshimet e mëdha që u kanë sjellë shqiptarëve të këtushëm dhe shqiptarët nga të mirat e shumta po ikin nga sytë – këmbët. Ai, pasi në mënyrë telegrafike ma pasqyronte situatën e atëhershme me atë qetësinë e tij karakteristike, më tregonte bisedën me një të njohur të tij vlleho-maqedonas, i cili në fundin e viteve 70 të shekullit të kaluar i ankohet, duke i thënë se “ju shqiptarët do e merrni sërish Strugën”. Gjyshi im me atë ironinë e tij karakteristike i thotë atij – si do marrin shqiptarët Strugën, kur ju keni policinë, ushtrinë, jeni të punësuar dhe keni kontrollin e plotë të ekonomisë, ndërsa ne kemi vetëm punën e tokës dhe familjen. Ai i thotë se do e merrni Strugën pikërisht për këta dy faktorë – ju po rezistoni duke krijuar familje shumë-anëtarëshe.

Dhe kështu ndodhi. Struga më 2005 iu kthye shqiptarëve, sepse ishin numrat dhe jo sepse dikush ndryshoi rrotën e historisë, ashtu siç mund edhe të humbet kur numrat do ndryshojnë. Ndërsa, për atë se sa shumë të drejta shqiptarët kanë fituar, ai jo pa ironi më thoshte: po kanë fituar shumë, vetëm se e ndërruan pasaportën e një shteti me një shtet tjetër, duke më thënë se ata si gjeneratë e ruajtën dhe nuk e braktisën Strugën, që ju pas nesh ta zhvilloni dhe ta ruani ashtu siç ka qenë që në krye të herës.

Sot kur e analizojmë këtë fragment të bisedës me gjyshin tim, them se ai ka pasur të drejtë. Ata si gjeneratë rezistuan me pluset dhe minuset e tyre në formën e tyre, pavarësisht se nga pikëpamja e rrethanave, kanë jetuar dhe vepruar në një situatë shumë më të vështirë. Ata mbijetuan dhe na sollën në një stad tjetër, duke e ruajtur gjenezën tonë etnike dhe atë ekzistenciale, ndërsa gjenerata jonë pa të keq dorëzohet, duke zgjedhur mënyrën më të lehtë, atë të migrimit dhe materializmit të skajshëm. Ne si gjeneratë nuk po gjejmë forma për të kundërshtuar korrupsionin, keq-qeverisjen, padrejtësinë që është ulur këmbëkryq në hapësirën shqiptare dhe të vetmen formë rebelimi zgjedhim emigrimit ose përshtatjen me rrjedhën, duke bërë konformistin gjoja të ”zgjuarin”, duke ngritur në piedestal pushtetarin për punë që edhe ai vetë nuk i beson se i ka kryer. Duke mos luftuar dukuritë devijante në shoqëritë tona, ne më parë largohemi në fund të botës, se sa t’i themi stop atij që vjedh të ardhmen e fëmijëve tanë, atij që vjedh të mirat publike, shkatërron arsimin apo vjedh fondet që janë kontribut i të gjithëve. Akoma në shoqërinë tonë votohet për më të fortin dhe jo për më të mirin, gjë që ka sjellë këtë situatë ku qeveritari nuk pyet për të qeverisurin.

EKSODI

Pas publikimit të rezultateve të regjistrimit, si shumë të tjerë, kam pritur një ballafaqim shkencor dhe ideor të njerëzve që për nga formimi kanë tagër t’i interpretojnë shifrat, por si gjithmonë ata dinë të të zhgënjejnë: “Ata do reagojnë kur tema të jetë në favor të pushtetit apo grupimit të tyre politik dhe të përshtatet me ambicien e tyre të rehatllëkut për ta dhe familjen e tyre”. Ka tema sa të duash që ata do e shpalosin talentin e tyre të analizës nga integrimi evropian, që do na zgjidh të gjithë problematikat me një të rënë të shkopit apo të analizojnë luftën në Ukrainë, zgjerimin gjeopolitik të Turqisë apo stanjacionin ekonomik të Kinës.

Por të rikthehemi në shtratin tonë të diskutimit. Struga ishte një nga komunat që regjistrimi provoi se për 20 vjet është zvogëluar për rreth 13 mijë banorë, nga 63 mijë banorë ka zbritur në 50 mijë banorë, fakt që në një shoqëri normale do ishte ndezur alarmi, por në shoqërinë tonë çudia më e madhe zgjat tre ditë. Nëse analizojmë shifrat e publikuara, rezulton se janë rreth 10 mijë shqiptarë më pakë për 20 vjet në Strugë. Paramendoni se sa shqiptarë do të jenë në Strugë pas 20 vjetësh, kur sipas regjistrimit, ata janë 25 mijë aktualisht, ndërkohë trendi i zvogëlimit për 20 vjet është 10 mijë më pak, pra nëse situata nuk ndryshon për mirë, Struga pas 20 vjetësh do të ketë vetëm 15 mijë shqiptarë, aq sa dikur kishin bashkë Veleshta, Ladorishti dhe Frëngova. Mjafton vetëm e dhëna që sivjet në klasë të parë në Strugë mësimin do nisin 275 nxënës shqiptar dhe 267 maqedonas si dhe tre turq, për të parashikuar se si do jetë trendi në të ardhmen. Nëse ky trend nuk ndalet, do jetë me pasoja të rënda ekonomike, por edhe politike dhe tashmë indiciet e para po ndjehen gjithandej. Edhe këta që sot ndjehen të kënaqur me situatën, sepse kanë ditur të përshtaten me konjukturën politike apo atë të biznesit dhe i gëzohen migrimit të bashkëqytetarëve të tyre, do jenë më të goditurit nesër, sepse zvogëlimi i faktorit kryesor – pra njeriut, do të jap efekt negativ në çdo drejtim dhe në çdo dimension të ekonomisë dhe jetës së komunitetit. Nëse analizojmë të dhënat që shpalosi Enti i Statistikave, migrimi i shqiptarëve është shumë më i lartë se i bashkëqytetarëve të tyre maqedonas dhe rezulton shumë i frikshëm në trekëndëshin Strugë – Kërçovë – Dibër dhe fajin për këtë nuk duhet ta kërkojmë tjetërkund, por brenda elitave tona vendimmarrëse, edhe atë për mungesë vizioni dhe bashkëpunëtorë dhe pjesë e agjendave dhe programeve të të tjerëve për shpopullimin e shqiptarëve nga kjo pjesë e vendit. Nëse ky trend vazhdon si në 20 vjeçarin e kaluar, nuk do të jetë dita e largët që shqiptarët do të jenë pakicë në këtë trekëndësh, por këtë radhë nuk do drejtojmë gishtin te të tjerët, por te elitat tona politike që nuk ditën të jenë në lartësinë e duhur në politik-bërje. Nëse shqiptarët tashmë janë të papërfillshëm në aksin Ohër – Resnjë – Manastir, zvogëlimi i shqiptarëve në trekëndëshin Strugë – Kërçovë – Dibër do të rezultojë shkatërrues dhe do korrespondojë me propozimin e famshëm joformal të Akademisë së Maqedonisë që si territor të shqiptarëve njihte vetëm Pollogun deri në Grupçin.

PSE PO IKIN STRUGANËT?

Për të detektuar arsyet e këtij eksodi, detyrimisht besojë duhet një studim shkencor dhe sociologjik, të cilin mund ta marrin përsipër vetëm specialistët e fushës. Në një shoqëri si kjo e jona, të cilës po i ndodh ky eksod i paparë, nuk mund të flitet për dështim të këtij apo atij sektori, apo të atij apo këtij politikani, por për kolaps dhe kataklizëm. Në një shoqëri apo në një shtet që i ikin njerëzit në këtë farë feje fjalët janë të tepërta, sepse numrat flasin vetë dhe tregojnë për krizën e thellë që ka shoqëria. Për mendimin tim, nuk janë vetëm arsyet materiale që shqiptarët e Maqedonisë ikin në këtë masë, por janë një sërë parametrash të tjera që kanë ndikuar në këtë rezultat, duke filluar nga dështimi për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe të barabartë karshi individit, ku do respektohet parimi i meritokracisë dhe jo ai i partitokracisë. Nëse dikur diskriminoheshin për arsyeje etnike, tani ka diskriminim brenda llojit me të cilin ndeshesh prej te Kopshti për Fëmijë, ku fëmijët ndahen apo nuk regjistrohen në varësi të përkatësisë partiake të prindërve, te leja e ndërtimit apo legalizimit, mos të flasim për fenomenin e korrupsionit që është prezentë kudo.

Një faktor tjetër që ka sjellë degradim dhe mungesë shprese dhe, për pasojë, ikje nga vendlindja, është pamundësia që shqiptarët e Maqedonisë të prodhojnë rrotacion politik normal që do prodhonte energji dhe pritje për realitetet të reja, sepse ky realitet ka prodhuar shprehjen: “’Ky vend nuk bëhet – të ikim për fëmijët’ ose ‘Të gjithë janë njësojë, nuk ia vlen ndryshimi’”.

Sot struganët dhe shqiptarët e Maqedonisë ikin sepse u mungojnë shërbimet publike. Është fakt se ne të gjithë jetojmë në shtëpi më të mira se sa në ato që kanë jetuar paraardhësit tanë. Por, sa dalim në rrugë, ndeshemi me gropa, me shërbim të dobët shëndetësor e të mos flasim për kushtet dhe cilësinë në shkolla apo në universitete. Prandaj, është momenti i fundit që të shkundet e gjithë shoqëria, në veçanti ata që kanë në dorë të marrin vendime, sepse pastaj do na ndodhi si ajo fabula që e tregonte gjyshi im: “Ujku po e hante gomarin, ndërsa ky me atë moskokëçarjen e tij po thoshte – ishalla jam në ëndërr”. (koha.mk)