Shkup, 1 qershor – Pjesëmarrja në Ligën e Evropës dhe largimi i Armando Sadikut drejt një kampionati më cilësor në sezonin e ardhshëm ka vënë në lëvizje klubin e Luganos dhe trajnerin Paolo Tramexani. Ky i fundit është vënë në kërkim të elementëve cilësorë për të përforcuar skuadrën dhe sidomos sulmin, ku largimi i bomberit shqiptar i krijon shumë probleme. Sipas mediave italiane, emri i parë në listën e Tramexanit është ai i ish-sulmuesit të Shpresave të Shqipërisë, Isnik Alimi bën të ditur “panorama-sport. Futbollisti 23-vjeçar, kartoni i të cilit i përket Atalantës, në sezonin e fundit është dhënë huazim te Forli dhe aty ka luajtur me rregullsi në Lega Pro. Me sa duket, emri i tij ka qenë në listën e talenteve që Tramexani ka monitoruar në kampionate të ndryshëm dhe duke përfituar nga fakti se ai nuk arrin të gjejë hapësira te Atalanata, ish-ndihmësi i De Biazit është gati ta afrojë te skuadra që drejton.
Ndryshe, Alimi me prejardhje është nga Maqedonia, respektivisht nga Dologozhda e Strugës, ku edhe filloi karrierën si futbollist te skuadra e Vllaznimit, ndërsa në Maqedoni ka luajtur edhe për KF “Ohri”. 23-vjeçarI ka qenë edhe anëtar i përfaqësueses së Maqedonisë deri 19 vjeç, Por siç e dimë strugani ka luajtur një ndeshje miqësore me fanellën kuqezi në kohën kur përfaqësuesja Shpresa drejtohej nga Skënder Gega, ndërsa më pas nuk mundi të aktivizohej në ndeshje zyrtare për shkak të problemeve me dokumentacionin. Ndërkohë, pozita të cilën luan Alimi është sulmuesi, por din të luajë edhe si mesfushor.