Strugë, 13 dhjetor – Edhe pse nuk ka një shifër të saktë të struganëve që kanë aplikuar nëpërmjet agjensioneve private apo atyre shtetërore, është i konsiderueshëm numri i atyre që kanë aplikuar për një vend pune në Gjermani. Drejt një vendi pune në Gjermani, përveç se aplikohet në rrugë private, janë të shumtë rastet që ky aplikim shkon nëpërmjet agjencive të ndryshme. Nga agjencia “Aura Travel” për gazetën KOHA informojnë se në harkun kohor të dy muajve me dhjetëra qytetarë të Strugës nëpërmjet kësaj agjencie kanë kërkuar informacione shtesë se si të aplikojnë për një vend pune në Gjermani. Ankica Kërstanoska, menaxhere në “Aura Travel”, tregon se janë me dhjetëra struganë që kërkojnë informacion se si të arrijnë në një vend pune në shtetin gjerman. Sipas saj, më shumë të interesuar janë ata me kualifikim të mesëm, ndërsa ata nga fusha e mjekësisë, sipas saj, aplikojnë nëpërmjet kanaleve të tjera. “Vetëm nëpërmjet agjencisë time për këto dy muaj kanë aplikuar dhjetëra struganë që kërkojnë punë në Gjermani. Viza e punës për aplikantin vjen vetëm atëherë kur kompania gjermane merr aprovimin nga agjencia e punës në Gjermani. Deri tani këtë fazë e kanë kaluar disa dhjetëra struganë, ndërsa aplikantët në fushën e mjekësisë aplikojnë nëpërmjet kanaleve të tjera”, përfundon ajo. Janë disa dhjetëra mjekë dhe të sapo diplomuar në mjekësi me origjinë nga Struga, që tashmë kanë zgjedhur që profesionin e mjekut ta ushtrojnë në Gjermani. Por, nuk janë vetëm të sapo diplomuarit që në mungesë të punësimit në spitalet e këtushme detyrohen të aplikojnë që këtë profesion aq të nevojshëm për shoqërinë ta ushtrojnë në Gjermani. Tashmë mundësia për punësim jashtë vendit është bërë joshëse edhe për mjekët që e kanë një vend pune në spitalet e këtushme, sepse janë regjistruar edhe raste aplikimi edhe nga ata, konfirmojnë nga Spitali i Strugës. Vetëm në këto dy vitet e fundit drejt Gjermanisë nga Struga dhe Ohri, janë zhvendosur më shumë se dhjetë mjekë, trend i cili vazhdimisht është në rritje, sepse vazhdojnë aplikimet nëpër agjencitë që ndërmjetësojnë këto punësime.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.