Vjollca SADIKU
Dibër, 17 janar – Nënat dibrane edhe gjatë vitit 2016 pjesën më të madhe të lindjeve e kanë realizuar në Spitalin e Përgjithshëm në Strugë, shkruan gazeta KOHA. Kjo dukuri është prezent viteve të fundit dhe në Spitalin e Dibrës në repartin e gjinekologjisë realizohet një pjesë më e vogël e lindjeve. Sipas të dhënave zyrtare të drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Dibër, Baki Alili, në repartin e gjinekologjisë gjatë vitit të kaluar janë realizuar 52 lindje. Sipas tij, një pjesë e madhe e nënave edhe gjatë vitit 2016 , lindjet i kryen në Spitalin e Strugës, njëherit edhe në Shkup ku kanë lindur 40 foshnje. Duke dhënë sqarime rreth numrit të vogël të lindjeve që bëhen në Spitalin e Dibrës, drejtori Alili, thotë se shkaku kryesor që nënat dibrane zgjedhin Spitalin e Strugës është mungesa e një kuadri standard në Spitalin e Dibrës, por edhe besimi për të realizuar lindjet tek stafi gjinekolog pranë Spitalit të Strugës. Drejtori Alili shton se janë ndërmarr të gjitha aktivitete për të kompletuar stafin profesional të repartit gjinekologjik në Dibër. Në një situatë të këtillë para disa viteve ka pasur edhe një bashkëpunim me spitalin e Strugës për kuadro të këtij institucioni shëndetësor që kanë qenë të angazhuar në repartin e gjinekologjisë në Spitalin e Dibrës. Këto ditë pritet nënshkrimi edhe i një memorandumi të rij të Spitalit të Dibrës me Spitalin e Strugës, pikërisht për kuadro të cilët do të angazhohen në repartin e Dibrës, thotë drejtori Alili. Në bisedën që patëm me përgjegjësin e repartit të gjinekologjisë pranë Spitalit të Përgjithshëm në Strugë, Muhamed Asani, u informuam se gjatë vitit të kaluar në këtë Spital janë realizuar 125 lindje të nënave dibrane. Udhëheqësi i repartit dhe gjinekologu i njohur strugan Muhamed Asani, thotë se tani më vite me rrallë pjesa më e madhe e nënave dibrane lindin në Strugë. Kemi një ekip të përsosur profesional i cili realizon lindjet, meqë edhe dëshira e nënave dibrane është që lindjet ti kryejnë nga ky staf në Strugë, në të cilin kanë edhe besim të plotë. Gjinekologu Asani thotë se përveç lindjeve të nënave dibrane, këtu realizohen edhe kontroll të rregullta gjatë shtatzënisë si dhe intervenime të ndryshme sipas nevojës. Situata e Repartit të gjinekologjisë në Dibër është e qartë, meqë kemi informata se atje ka vetëm një gjinekolog. Pa me pasur një staf të kompletuar nuk mund të bëhet asgjë. Prandaj, edhe pjesa dërmuese e nënave vendosin që lidhjet t’i kryejnë në Spitalin tonë në Strugë thotë gjinekologu Asani. Unë si gjinekolog kam qenë i angazhuar para disa kohëve me punë edhe në repartin e Dibrës dhe në atë kohë nënat dibrane .
Nënat dibrane lindjet i realizonin në Spitalin e Dibrës, thotë gjinekologu Muhamed Asani dhe shton se para disa viteve, pjesa dërmuese e nënave dibrane lindjet i kryenin në Dibër. Ne jemi të gatshëm, thotë gjinekologu strugan, që përsëri të angazhohemi dhe t’i ndihmojmë repartit të gjinekologjisë në Dibër, me qëllim që nënat të mos maltretohen sa këndej e andej gjatë periudhës së shtatzënisë, por edhe gjatë lindjes. Besoj se ky problem duhet të tejkalohet në interes të shëndetit të nënave, por edhe të fëmijëve të posalindur. Kontaktet vazhdojnë të jen prezent mes Spitalit të Strugës dhe Spitalit të Dibrës, dhe besojmë se do të vazhdojë bashkëpunimi mes reparteve të gjinekologjisë. Dibranët janë të vetëdijshëm se mungojnë në Dibër kuadro të mantelbardhëve. Por, shtojnë se problemi në fjalë nuk duhet të zvarritet kur është në pyetje sfera e shëndetësisë. Konkretisht kur bëhet fjalë për repartin e gjinekologjisë në momente kur Dibra nuk ka potencial kadrovik për të kompletuar repartin në fjalë duhet në kontinuitet të angazhoj mjekë nga Spitalet e tjera, ashtu siç ka qenë edhe më parë. Në një situatë të këtillë kur tejkalohet problemi, rritet edhe besimi i tyre për të kryer lindjen në vendlindjen e tyre. Kur jemi te lindjet, të theksojmë se për shkak të migrimit brenda tre dekadave ka një ulje drastike të numrit të lindjeve. Para tre dekadave të dhënat thonë se numri i lindjeve në Spitalin e Dibrës ka qenë mbi 700 kurse viteve të fundit ky numër mesatarisht është afro 200.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.