Patriot LUMANI
Strugë, 10 prill – Një përfaqësi e zgjeruar nga Komuna e Strugës ka qëndruar në Tiranë, ku ka prezantuar ofertën turistike të rivierës strugane në Panairin Mesdhetar të Turizmit që zhvillohet në Shqipëri. Në Panairin e Tiranës, në këtë aktivitet ku marrin pjesë operator turistik nga më të njohurit nga rajoni dhe më gjerë, u prezantua oferta turistike e Strugës, shkruan gazeta KOHA. Kryetari i Komunës, Mustafa Zabzuni, ishte prezent në këtë panair ku nga afër informoi të interesuarit për kapacitetet turistike të Strugës, si një qytet me një ofertë të larmishme për vizitorët nga Shqipëria, por edhe nga vendet e tjera të rajonit. Gjithashtu, Zabzuni nga afër informoi ministren e Ekonomisë së Shqipërisë, Milva Ikonomin, e cila vizitoi stendën e Strugës ku u interesua për veçoritë e Strugës në fushën e turizmit. Nga kryetari Mustafa Zabzuni dhe delegacioni i Strugës, ministrja shqiptare e Ekonomisë, u informua se Struga prej vitesh është një destinacion i pëlqyer për pushuesit nga Shqipëria, tendencë e cila synohet që në të ardhmen edhe të shumëfishohet, sepse Struga ka mundësi dhe kapacitete për një gjë të tillë. “Komuna e Strugës mori pjesë dhe promovoi me sukses asetet natyrore dhe kulturore të Strugës në Panairin mesdhetar të turizmit të mbajtur në Tiranë. E shfrytëzuam këtë panair si një rast takimi e rajonal i aktorëve të industrisë së turizmit si operatorët turistikë, agjencitë, komunat etj. Me dhjetëra palë të interesuara vizituan stendën e Strugës nga qytetarët e thjeshtë deri te ministrja, znj. Milva Ikonomi. Kryetari i Komunës së Strugës , z. Mustafa Zabzuni u përkujdes personalisht që Struga të promovohej me sukses në këtë panair”, thekson Roland Amzai nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në Komunën e Strugës. Në panairin e Tiranës marrin pjesë mbi njëqind operatorë turistik nga Shqipëria, Kosova,Maqedonia, Mali i Zi si dhe nga vende të tjera dhe ky aktivitet organizohet prej disa vitesh. Përveç aspektit të prezantimit të ofertave turistike, në këtë aktivitet u organizuan edhe një sërë forumesh biznesi ku në themel ishte evidentimi i mundësive për zgjerimin e turizmit si një hapësirë unike në Ballkanin Perëndimor.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara