Strugë, 7 dhjetor – Në shesh me një festë gjithëpërfshirëse, ku nuk do të mungojnë edhe yjet e estradës ,Struga do të festojë ndërrimin e vitit. Nga Komuna e Strugës për gazetën KOHA potencojnë se tashmë kanë hartuar programin festiv, ku përveç instalimit të një zbukurimi cilësor në rrugët dhe shëtitoret e qytetit do të ketë edhe një festë gjithëpërfshirëse në qendër të Strugës. Roland Amzai, nga zyra për Marrëdhënie me publikun, potencon se sivjet festa në shesh të Strugës do të jetë më masovike ku përveç artistëve më në zë të Strugës pritet të performojnë edhe emra të njohur të estradës shqiptare. Gjithashtu, Amzai sqaron se edhe ndriçimi do të jetë dinjitoz me një kolorit të shumëllojshëm, gjë që, sipas tij, do të krijojë një panoramë mbreslënëse për të gjithë struganët dhe vizitorët që do zgjedhin Strugën për të festuar festat e fundvitit. “Këtë vit Struga në çdo drejtim do të ketë një festë dinjitoze në qendër të qytetit, ku struganët dhe vizitorët do të kenë mundësi të shikojnë një program të pasur kulturo-artistik”, thekson ai. Gjithashtu, Amzai informon se sivjet Struga do ofrojë një pamje tjetër në drejtimin e dekorimit dhe zbukurimit në mënyrë që festat e fund-vitit dhe ndërrimit të moteve të ketë një impakt shumë më të mirë vizual për qytetarët dhe turistët e shumtë, që këto festa i kalojnë në qytetin breg-liqenas. Ndërkohë, kanë filluar përgatitjet për festën e ndërrimit të vitit, menaxherët e hoteleve restoranteve diskotekave dhe bareve të ndryshme, janë në përgatitjet e fundit për atë se çfarë do të ofrojnë për natën e vitit të ri. Edhe pse akoma është herët, shumica e objekteve hotelerike në Strugë, një pjesë të kapaciteteve të tyre tashmë i kanë të rezervuara. Interesi për të festuar Vitin e Ri në Strugë, siç pohojnë në disa hotele është i madh, edhe këtë, siç thonë ata, për Vitin e Ri do të kemi mysafirë nga Shqipëria, Kosova si dhe nga vendet e rajonit konklundojnë menaxherët e hoteleve. Siç merret vesh, çmimet dhe këtë vit për të festuar në Strugë nuk do të ndryshojnë nga viti i kaluar. Këto çmime sillen nga kategoria e hotelit, menyja si dhe nga oferta artistike që ofrojnë objektet turistike në natën e ndërrimit të viteve. Gjithashtu edhe kafeteritë dhe baret e Struges organizojnë festa për ndërrimin e viteve. Çmimi për të festuar në to sillet nga 500 denarë deri më 1500 denarë për natën e ndërrimit të moteve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.