Patriot LUMANI
Strugë, 17 prill – Deponia e mbetjeve urbane në Strugë prej tre ditësh si pasojë e zjarrit ka rezervuar tym, kundërmon dhe ajër të ndotur për banorët e qytetit të Strugës dhe vendbanimet e afërta përreth., shkruan gazeta KOHA Më kritike sipas banorëve të qytetit të Strugës që jetojnë jo shumë larg lokacionit të deponisë, situata nga pikëpamja e cilësisë së ajrit paraqitet në orët e mbrëmjes dhe në orët e para të mëngjesit, si pasojë e djegies së brendshme të mbeturinave. Ata kërkojnë që kjo situatë problematike, e cila po vazhdon prej vitesh, të gjej solucion sepse me përjashtime të vogla nuk ka ditë që si pasojë e zjarrit të mos vijë deri te ndotja e ajrit nga tymi që liron deponia që ndodhet rreth 200 metra nga qyteti i Strugës. Ndërkohë, ajër më të mirë nuk thithin këtyre ditëve as banorët e fshatrave Shum, Zagraçan apo Teferiç, të cilët në disa raste kanë përcjellë këtë shqetësim, por deri tani asgjë nuk ka ndryshuar. Nëpërmjet një njoftimi ka reaguar Komuna e Strugës e cila njofton qytetarët se autoritetet lokale; Njësia e Zjarrfikësve dhe kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen e deponisë së qytetit, po bëjnë përpjekje maksimale për të neutralizuar dhe për të ndaluar problemin e djegies se deponisë.
“Nga vendi i ngjarjes, ditën e djeshme u konstatua se dy goma të vjetra të lyera me benzinë, janë hedhur qëllimshëm në deponinë e qytetit, për të shkaktuar kaos, zjarr të pakontrolluar dhe natyrisht të bëjnë të padurueshëm qëndrimin në Strugë në këto ditë festash, si pasojë e tymit të madh dhe erës së keqe që lëshon zjarri i vënë qëllimisht. Për rastin në fjalë janë njoftuar organet e policisë dhe po merren masa për zbulimin e autorëve. Kjo nuk është hera e parë që persona të kësaj kategorie, shkaktojnë zjarre të tilla në deponinë e qytetit, por fatkeqësisht nga organet kompetente policore, deri sot askush nuk është marrë në përgjegjësi. Kërkojmë mirëkuptim nga ana e banorëve përreth deponisë dhe ju sigurojmë se përpjekjet për të marrë situatën nën kontroll janë të mëdha dhe se shpresojmë që gjatë paradites së nesërme problemi do të mënjanohet”, thuhet në njoftimin e Komunës së Strugës. Nga Komuna e Strugës thonë se kjo problematikë e trashëguar është shumë komplekse për faktin se kjo çështje do mund të zgjidhet vetëm atëherë kur pushteti qendror do të ndihmoj seriozisht me investime konkrete në sferën e menaxhimit të mbetjeve urbane jo vetëm në Komunën e Strugës, por për gjithë komunat e këtij rajoni.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara