Patriot LUMANI
Strugë, 4 shkurt – Dallimi në çmimin e naftës që ekziston ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë ka sjellë një impakt pozitiv prej kohësh për pikat e karburantit në Strugë, sepse një pjesë e shoferëve nga qytetet fqinje shqiptare zgjedhin pompat e Strugës për të furnizuar makinat e tyre me karburant. Sipas pohimeve që vinë nga tregtarët e produkteve të naftës, përveç makinave të vogla në Strugë furnizohen edhe kamionët dhe trajlerët me pronar nga zonat e afërta kufitare. Edhe menaxherët e pikave kufitare në Strugë konfirmuan këtë fenomen dhe ata pa dashur të identifikohen, thonë se klientët më të rregullt prej kohësh në biznesin e shitjes së karburanteve rezultojnë banorët nga zonat e afërta kufitare si dhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë, të cilët vinë apostafat në Strugë për të furnizuar me naftë mjetet e tyre motorike. “Një faktor i rëndësishëm për këtë fenomen është leverdia ekonomike që kanë shoferët shqiptarë nga furnizimi i mjeteve të tyre tek ne. Sepse, siç më pohojnë vetë shoferët nga Shqipëria, produktet e naftës tek ne janë shumë të lira se në Shqipëri, diferencë e cila sillet prej 20 cent deri në 50 cent më lirë te ne se shitja e këtyre produkteve matanë kufirit, dhe kjo besoj se është faktori kryesor për këtë hapë nga shoferët shqiptarë”, pohon një nga menaxherët në një pikë shitje karburanti. Ndërkohë, përveç kësaj dukuri që trajtuam Struga dhe tregu i saj ka disa vite që është atraktive për qytetarët nga zonat e afërta kufitare nga Shqipëria, të cilët furnizohen me produktet elementare ushqimore, duke filluar nga vaji mishi, bulmetet frutat si dhe detergjenti produkte, të cilat i marrin më lirë se në tregjet e qyteteve të tyre. Këtë dukuri në tregun e Strugës e konfirmojnë edhe tregtarët struganë të cilët pohojnë se klientela nga Shqipëria vazhdimisht ka shënuar rritje. Sipas tregtarëve struganë, ata më së shumti blenë produktet ushqimore dhe industriale si dhe fruta-perime dhe i cilësojnë si klientët më të mirë të tyre. Lavdrim Gega, menaxher i depos ushqimore dhe supermarketit “Ge-Ga”,thekson se prej disa vitesh në biznesin e tij klientët më të rregullt, përveç atyre vendorë, janë banorët nga qytet fqinje të Shqipërisë. Sipas tij, esenciale në këtë përcaktim është fakti që disa produkte ushqimore rezultojnë më lirë në Maqedoni se sa në Shqipëri, gjë që i motivon banorët e zonave kufitare me Maqedoninë të përcaktohen që blerjet t’i bëjnë në Strugë. “Më të interesuar janë për produktet ushqimore dhe ato industriale. Për ne si biznes, por edhe për Strugën klientela nga Shqipëria është shumë e rëndësishme në këto kohë kur fuqia blerëse e qytetarëve tanë po reduktohet nga dita në ditë”, përfundon Gega. Ndërkohë, edhe në sektorin e hotelerisë, por dhe të turizmit në përgjithësi ndikimi i klientelës nga Shqipëria ka qenë dhe është jetik për këtë sektor.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.