Patriot LUMANI
Strugë, 17 shkurt – Rrjeti i ujësjellësit në pjesën më të madhe të qytetit dhe në disa vendbanime rurale, vazhdon të jetë i vjetër dhe i amortizuar në Strugë, shkruan gazeta KOHA. Pothuajse të gjitha gypat e furnizimit me ujë dhe rrjeti i ujësjellësit në qytet dhe nëpër fshatra janë në përbërje të azbestit, gjë që është e dëmshme për shëndetin e konsumatorëve të thonë njohësit e kësaj problematike. Sipas tyre, është imediate ndërrimi i tubave edhe pse në këtë drejtim, thonë se Struga është prapa shumë komunave të tjera në Maqedoni, ku ky proces është finalizuar prej vitesh.
Ardian Demiri, anëtarë i Këshillit komunal të Strugës, potencon se të furnizohesh me ujë nga tubat e azbestit, siç po ndodh me qytetin e Strugës, është një kambanë alarmi për pasojat që pritet të vijnë për shëndetin e qytetarëve. Për Demirin, përveç deponisë, një nga faktorët që do ndikojnë në cilësinë e jetës të qytetarëve të Strugës, është edhe fakti i gypave të azbestit një material i klasifikuar si shumë i dëmshëm dhe me pasoja për shëndetin e qytetarëve.
Ndërkohë nga “Proaqu”, gazeta KOHA informohet se si ndërmarrje – janë të pafuqishëm për të ndërmarrë një investim të kushtueshëm siç është ndërrimi i tubave të azbestit. Në “Proaqua” thonë se ekziston një plan veprimi për ndërrimin e të gjithë rrjetit të ujësjellësit, por ai plan nuk mund të zbatohet pa sigurimin e mjeteve financiare. Para disa viteve, në tenderin ndërkombëtar të zhvilluar u zgjodh kompania spanjolle “Aqualia”, e cila për 35 vjet do të duhet të menaxhojë me “Proaqua” për 4.2 milionë euro. Spanjollët morën angazhimin që të ndërrojnë të gjithë rrjetin e vjetër të tubave nga azbesti dhe të investojnë deri në 11 milionë euro në këtë kompani. Ndërsa komunat do të duhet të pranojnë një rritje çmimi që shkon deri dhjetë për qind të ujit. Por, edhe pse procedurat ishin drejt finalizimit dy ish kryetarët të Strugës dhe Ohrit, Merko dhe Petresiki, edhe pse ishin promotor të këtij hapi, nuk e konkretizuan këtë koncesionim gjatë mandatit të tyre dhe i njëjti u anulua. Ndërmarrja publike ndërkomunale e ujësjellësit dhe kanalizimit “Proaqua” është themeluar nga Komuna e Ohrit dhe Strugës me seli në Strugë, që për drejtor gjeneral ka gjithmonë kuadër të propozuar nga Komuna e Ohrit për të cilin pëlqim duhet të japë edhe kryetari i Komunës së Strugës, sipas statutit organik të saj. Ndërmarrja “Proaqua” ka disa vite që ballafaqohet më vështirësi të theksuara financiare dhe me detyrime të mëdha ndaj kredidhënsve dhe EVN-së, situatë e cila ka rezultuar me vështirësi të mëdha në dhënien e rrogave për të punësuarit. Kjo situatë e rëndë ka detyruar menaxhmentin e kësaj ndërmarrje që pothuajse çdo vit një pjesë të punëtorëve t’i dërgojë në pushim të detyruar, me qëllim që të përmirësoj situatën financiare, e cila në vazhdimësi prej vitesh është para kolapsit. Ndërkohë, dy komunat si ajo e Ohrit dhe Strugës, në vazhdimësi kanë kërkuar që Ndërmarrja e përbashkët ndërkomunale “Proaqua” të ndahet juridikisht ndërmjet dy komunave, por kjo kërkesë e përsëritur nuk ka gjetur mbështetjen në Ministrinë e Financës për arsye të kredisë disamilionëshe në euro që ndërmarrja ka marr në një bankë ndërkombëtare.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.