Stres dhe frikë nga rrëshqitjet e gurëve

Vitet e fundit, edhe pse dibranët udhëtojnë për në Gostivar, Tetovë dhe Shkup, por edhe për në Strugë dhe Ohër, shumë shpesh për të kryer obligimet e tyre ditore, këto udhëtime i realizojnë me frikë jo vetëm për dëmet që mund t’u shkaktohet në automjete, por edhe për sigurinë e jetës së tyre

Vjollca SADIKU

Dibër,13 shkurt- Rrugët që lidhin Dibrën me Mavrovën dhe Strugën karakterizohen me rreziqe të shumta për pjesëmarrësit në komunikacion. Pothuajse gjatë 12 muajve të vitit rrëshqitjet e gurëve dhe dheut janë prezente në të dy akset rrugore që lidhin Dibrën me qytete të tjera të vendit. Dibranët për çdo ditë kanë strese të shumta gjatë udhëtimit në akset rrugore të lartpërmendura dhe deri tani, për fat të keq, nga rrëshqitjet e gurëve – por shpeshherë edhe të shkëmbinjve, ka patur dëme materiale, por edhe viktima. “Rrëshqitjet e gurëve janë prezent në shumë lokacione në rrugën Dibër-Mavrovë”, thotë për gazetës KOHA, pronari i kompanisë për transport të udhëtarëve “Unik Turs”, Azem Ballanca. Shumë herë, shton ai, kemi patur dëme në automjetet tona, por për fat të mirë – deri tani pa pasoja për pasagjerët.

“Gjatë rrugës Dibër-Mavrovë, në më se dhjetë lokacione – si gjatë dimrit ashtu edhe gjatë verës ka rrëshqitje të gurëve. Asfalti i rrugës është shumë i dëmtuar, ka gropa të shumta, por jemi duke rrezikuar jetën për çdo ditë nga gurët, por edhe nga shkëmbinjtë të cilët bijnë në rrugë e veçmas në pjesën e Rekës së Poshtme”, ankohet bashkëbiseduesi jonë. Ai apelon tek pushteti vendor, por edhe tek institucione qendrore, veçmas tek Agjencia për Rrugë Shtetërore të sigurojë rrugët që lidhin Gostivarin-Tetovën dhe Shkupin me Dibrën, meqë sipas të dhënave të tij, kjo është rruga më e rrezikshme në vend. “Edhe në aksin rrugor Dibër-Strugë rreziku nga gurët është i njëjtë”, thotë ai.

Në bisedën që patëm me udhëheqësin e Njësi të ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë”, Dear Limanoski, ai thotë se të dhënat që i posedojnë në këtë njësi, janë se në dy akset rrugore më të rrezikshme në vend, gjendet rruga Dibër-Mavrovë. “Për fat të keq situata është problematike dhe për çdo ditë njësia jonë është duke pastruar gurët e rënë në aksin rrugor Dibër-Mavrovë. Rrënia e gurëve është e përditshme dhe ekipet tona pastrojnë gurët 24 orë. Ne nuk jemi ndërmarrje kompetente për të tejkaluar problemin në fjalë, por kemi kompetenca vetëm për të pastruar rrugët. Rreziqet që ka ky aks rrugor ndaj pjesëmarrësve në komunikacion janë të përditshme dhe jam i mendimit se Agjencia e Rrugëve Shtetërore të Maqedonisë së Veriut duhet të ndërmerr aktivitete që edhe në këtë pjesë të vendit, komunikacioni të ketë sigurinë e tij. Informata për situatën e sigurisë në rrugët Dibër-Mavrovë kemi dërguar në kontinuitet. E njëjta situatë është edhe në aksion rrugor Dibër-Strugë”, tregon për KOHA, Limanoski, ndërsa shton se edhe përkundrejt aktiviteteve të rregullt të ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë”, rrëshqitja e gurëve nuk ndalet.

Vitet e fundit, edhe pse dibranët udhëtojnë për në Gostivar, Tetovë dhe Shkup, por edhe për në Strugë dhe Ohër, shumë shpesh për të kryer obligimet e tyre ditore, këto udhëtime i realizojnë me frikë jo vetëm për dëmet që mund t’u shkaktohet në automjete, por edhe për sigurinë e jetës së tyre. Përveç dëmeve materiale në të kaluarën ka patur edhe lëndime të personave dhe për fat të keq, ka patur edhe viktima pikërisht nga gurët dhe shkëmbinjtë që janë bien sidomos gjatë udhëtimit në kanjonin e Radikës. Si lokacione më të rrezikshme në rrugën Dibër-Mavrovë janë lokacionet në afërsi të fshatit Rajçicë, Ura e Mollniçanit, Ura e Kosovrastit, Ura e Rostushës, si dhe disa lokacione të tjera në afërsi të fshatrave Jançe dhe Sencë. (koha.mk)