Strehimore me kapacitete më të mëdha

26

Vazhdimisht në kronikën e zezë hasen raste kur kafshojnë qen endacakë në rrugët e Gostivarit dhe tërë rajonit të Pollogut

Urim HASIPI

Gostivar, 20 korrik – Janë intensifikuar aktivitetet për kapjen dhe trajtimin e qenve endacakë në territorin e Komunës së Gostivarit. Vetëm gjatë muajit të kaluar, në territorin e Komunës së Gostivarit janë kapur 76 qen endacakë, ndërsa prej tyre 42 veç më janë trajtuar. Qentë e trajtuar sterilizohen, vendoset çip dhe transportohen nga vendet publike. Kështu thotë Aneta Filipovska nga Shoqata “Igi” në Gostivar. “Me miratimin e buxhetit të Komunës së Gostivarit, Shoqatës “Igi” iu ndanë 999 mijë denarë, ku janë paraparë aktivitet për trajtimin e qenve endacakë të kapur dhe rregullimin e stacionit të dytë që ndodhet në afërsi të stacionit ekzistues. Stacioni i parë u ndërtuar në vitin 2019 përmes një projekti me UNDP-në me një kapacitet për 50 qen brenda, por edhe në oborrin e tij mund të vendosen rreth 100 qen tjerë. Stacioni i dytë është më i vogël, ku mund të strehohen 30 qen por dhe në oborr mund të vendosen 50 qen. Pra, mendojmë që në dy stacionet të kemi vazhdimisht rreth 200 qen të kapur”, thotë Aneta Filipovska nga Shoqata “Igi” në Gostivar.

Sipas saj, momentalisht është duke u rikostruar stacioni dhe më pas sërish do të strehohen më shumë qen endacakë. Fillimisht janë marrë qentë endacakë në pjesët ku ka më shumë frekuentim të qytetarëve dhe fëmijëve. Ajo thekson se nëse vijohet me këtë ritëm, numri i qenve endacakë do të zvogëlohet ndjeshëm. “Kapja dhe trajtimi i qenve është në kompetencë të Komunës së Gostivarit, e cila ka angazhuar edhe një stacion të veterinës, ku edhe bëhet trajtimi i këtyre kafshëve. Qentë e kapur sillen tek ne në stacionin e veterinës ose dërgohen direkt në stacionin adekuat. Fillimisht kontrollohen nëse janë të shëndoshë, pastaj trajtohen kundër parazitëve të zorrëve, apo parazitëve të jashtëm, vaksinohen kundër tërbimit, u vendosim vathë se janë të vaksinuar, i sterilizojmë dhe më pas i dërgojmë për disa ditë në strehimore, për të parë reagimin e tyre, sepse një qen kur sterilizohet nuk është i rrezikshëm më pas”, thekson Mile Aleksoski, veteriner.

Ndërkaq, Aneta Filipovska nga Shoqata “Igi” në Gostivar, e cila merret me mbrojtjen e kafshëve, ka apeluar deri tek policia që të ndërmerr hapa konkret në parandalimin e sjelljeve të qenve endacakë nga qytetet tjera. Sipas saj, aktualisht në këtë qytet ka rreth 800 qen endacakë dhe sjellja e qenve tjerë do të ishte një ngarkesë e madhe për institucionet që merren me trajtimin e tyre. Ndërkohë, edhe pse ka një angazhim më të madh kohëve të fundit në këtë drejtim, megjithatë qentë endacak hasen akoma në rrugët e Gostivarit dhe jo vetëm, prandaj autoritetet lokale janë të mendimit që duhet një strehimore me kapacitete më të mëdha për trajtimin e qenve endacakë. Nga ana tjetër, vazhdimisht në kronikën e zezë hasen raste kur kafshojnë qen endacakë në rrugët e Gostivarit dhe tërë rajonit të Pollogut. (koha.mk)