Nga Xheladin MURATI
Politika është fushë që i lidh njerëzit. Nga bisedat e ndryshme mësova se nuk duhet të jemi të ngarkuar me idenë se jemi të ndryshëm ose se punojmë më ndryshe, por duhet të fokusohemi në nevojat e përbashkëta dhe në zgjidhjet e problemeve. Kështu bashkërisht, me përvoja të përbashkëta, me fleksibilitet do të përballemi më lehtë me sfidat jetësore, ato të përditshmërisë politike, ashtu sikur të bëhet fjalë për shanse të mëdha. Duhet të bëjmë disa ndryshime dhe të funksionojmë ndaras, por përsëri bashkërisht në sfera të ndryshme të jetës. Duhet t’i përshtatim kërkesat politike-partiake me interesat e përgjithshme shoqërore-kombëtare dhe në këtë mënyrë të ndërtojmë identitet të përbashkët, me të cilin do të konkurrojmë para të tjerëve, para botës, Evropës dhe përsëri ta rruajmë autonominë politike. Në zgjedhjet lokale, për momentin, flitet për probleme të reja madje shqetësuese, të cilat na presin. Duhet të mbështetemi në punën e njerëzve që dine, ata të cilët mendojnë për ardhmërinë, seriozisht. Mungesa e profesionalizmit e bën të orientuar qeverisjen mbrapsht, jo strategjike dhe afatgjate, jo cilësore dhe dështuese. Ndjehem i kënaqur kur e përkujtoj punën tone të përbashkët në të kaluarën, një çerek shekulli më pare, atëherë kur u instalua pluralizmi dhe demokracia, të përcjella gjithmonë me probleme, gjithsesi edhe me suksese.
Duke e shikuar të kaluarën mësojmë se duhet shikuar dhe shkuar para. Partitë duhet të synojnë zhvillimin jo mendjemadhësinë, të kenë plane jo verbërisht të ecin mbi të panjohurat. Filozofia politike synon vazhdimisht kërkimin për të renë, rindërtimin e ideve, kombinimin e mundësive sepse mbetemi në vendnumërim. Prandaj të bërit politikë është art, e pikturon (jo në pëlhurë) të tashmen dhe të ardhmen. Që të ndodh kjo protagonistët e politikës dhe ato që triumfojnë duhet të kujdesen për qytetarin dhe të bëjnë plane strategjike për të ndryshuar në të mire. Zgjedhjet lokale duhet të sjellin risi në vendimmarrjet politike. Nëse i referohemi të kaluarës pak shpresë kemi në këtë sepse në zgjedhjet e kaluara dikush tha “Tetovën do ta bëj Zvicër”, por kjo nuk ndodhi, më shumë i ngjanë Tanzanisë. Prandaj kontradiktat e aspiratave dhe politikave qendrore-lokale ngrihen në formën e pyetjeve, pa elaborate e arsyetime. Duhet të jeni më syçelë për të ardhmen.
Politika nuk duhet t’u errësoj sytë njerëzve, qytetarëve. Ajo duhet të hap vizione e jo të kthehet në të kundërtën e vet. Fatkeqësisht protagonistët e politikës, kandidatët potencial për poste pushteti komunal i përkeqësuan gjërat duke debatuar me kolegë për motive banale. Ata treguan retorikë, ide, shpalosje projektesh e plane. Megjithatë se ngritën botën në këmbë. Debatet, kalkulimet, retorikat mbaruan, u paraqitën shumë dilema e probleme, propozime, ide, përvoja, plane e të ngjashme. Ishte kjo një ndjenjë shumë-dimensionale se do të jetojmë më mire. Pamë shumë njerëz, shumë fytyra por jo edhe filozofi pune, filozofi politike, edukate politike. Nga ato që vërejtëm tri gjëra mbeten me rëndësi: E para, çështjet që përcjellën zgjedhjet dhe debatet e analizat rreth tyre janë komplekse dhe qëndrojnë në qendër të konflikteve verbale politike. E dyta, fushata parazgjedhore dëshmon se pushteti nuk është i ndarë nga partia politike. Së treti, sulmi është ende mbrojtja më e mirë. Bashkërisht shpërndanë mesazhe, por protagonistët politik kanë nevojë për plane të reja, konsultime, eksperienca pozitive. Nga debatet gjithnjë vërtetuan se baza e lidhjeve të tyre janë qytetarët, mos e harroni këtë. Nga ajo që prezantuat nuk mësuam gjë, presim të veproni në praktikë. Duhet të gjeni kohë dhe mundësi për të vënë në praktikë të gjithë projektet që keni në mendje dhe premtimet që keni dhënë. Politika është si njerëzit, ndryshon, të zhgënjejnë, të harron. Nuk duhet të braktisen njerëzit, qytetarët, por ata që bartin poste dhe ato i braktisën postet qendrore për karrierë politike lokale apo interesi lokal, siç ndodh me kandidaturat për kryetar komunash, mendoj se gabuan. Braktisja pa arsye, nuk justifikon kthimin me arsye.
Mbetemi me shpresë se zgjedhjet do të përfundojnë duam apo s’duam ne dhe njëherit mbetemi me shpresë se triumfuesit nuk do të trupëzohen në hipokrizi, pabesi, mendjeshkurtësi, smirë etj., por do të tregojnë burrëri dhe politikën jo vetëm ta përtypin por edhe ta gëlltitin. Për këtë qëllim duhet të kenë parasysh tri elemente bazë: sinqeritetin (me atë e fitoni besimin e qytetarëve), që në fillim shikojeni fundin (duhet ta shihni qëllimin e fundit atëherë kur filloni) dhe selektoni rekomandimet për veprim (rekomandime të personalizuara dhe bëni dallim mes çështjeve individuale dhe kërkesave të përgjithshme). Po e përfundojë me një mendim domethënës: “Të kuptuarit e asaj që është e drejtë dhe mosrealizimi i saj tregon mungesë Guximi” (Konfuçi)